Home Sport Lorente çon Juven ne krye te Serie A

Lorente çon Juven ne krye te Serie A

641
0

Lorente-dhe-TevezSërish e para në renditje. Juventusi merr kryesimin e Serisë A, ndërsa Roma ka mundësinë që ta kalojë prapë, nëse mund në transfertë Kaljarin. Fitorja e Livornos, në një moment emergjence për mungesat e shumta në mbrojtje, mban firmën e Fernando Jorentes, i cili është autori i golit të parë dhe të asistit që u kthye në gol nga ana e Karlos Tevezit. Skuadra bardhezi fiton kështu ndeshjen e pestë radhazi pa pësuar asnjë gol, ndërkohë që tani presioni është te verdhekuqtë.

Pjesa e parë
Taktika e ndeshjes, e cila është mjaft e qartë që në nisje të saj, bëhet realitet që në minutën e parë. Livorno vendoset i gjithi në gjysmëfushën e vet, duke i lejuar Juves që të zotërojë topin dhe të dirigjojë lojën. Megjithatë, fillimisht bardhezinjtë duken joprodhues, pasi e qarkullojnë topin ngadalë. Pirlo nuk gjen hapësira për t’u dhënë mundësinë shokëve të tij që të mund të rrezikojnë, ndërkohë që futbollistët e krahut nuk arrijnë të prodhojnë asnjëherë asgjë të rrezikshme. Realisht, zgjidhja për të hedhur në fushë ekipin me modulin 3-5- 2 kundër një skuadre të mbyllur si Livorno ka kuptim, nëse nga krahët arrihen që të fitohen duelet me rivalët direkt dhe që nga aty nisin të vijnë krosimet në qendër për sulmuesit. Por, kjo gjë nuk ndodh dhe Juvja asnjëherë nuk arrin që ta shqetësojë Bardin. Rasti i parë drejt portës së vendësve do të vijë në minutën e 21-të, me një gjuajtje me kokë të Jorentes që përfundon lart. Pastaj vjen një goditje e Pogbasë dhe në vazhdim e Azamohas, por në të gjithë pjesën e parë “Zonja” nuk arrin që të ndërtojë asnjë aksion goli. Livorno nis në kundërsulm vetëm disa herë, ndonëse këtë e bën me pak bindje. Dhe, kur arrijnë që të gjejnë një hapësirë, kundërsulmi i nisur shpejt dështon, sepse Emeghara gabon në mënyrë të pafalshme pasimin ndaj Skiatarelas.

Pjesa e dytë
Me nisjen e lojës ekipet hapen pak në fushë, kjo për shkak të ndonjë gabimi në vendosje. Emerson shpërdoron një kundërsulm të filluar mirë, më pas arbitri Masa fal Çekerinin, i cili kap topin me dorë pas një goditjeje të Jorentes. Duhet të ishte akorduar penallti. Torinezët shtojnë presionin dhe në minutën e 63-të Pogba jep një kros të mrekullueshëm dhe është Jorente, që fluturimthi gjuan me të djathtën në ajër dhe shënon. Spanjolli, i cili po bëhet gjithnjë e më shumë protagonist, në vazhdim jep një pasim për Tevezin, i cili dyfishon dhe i jep fund takimit. Jorente arrin të lëvizë mirë dhe pastaj të mbrojë topin me mbrojtësit që duan t’ia marrin dhe, kur shikon të lirë Apashin, ia pason topin, që në kufi të zonës së rreptësisë e gjuan saktë. Me këtë sukses, i cili vjen nga një Juve që ka pasur probleme me mungesat, trajneri Konte ka të drejtën që të jetë i kënaqur. Tashmë, lufta është me Romën, ndërsa Napoli e gjen veten disi më larg, 6 pikë më pak se “Zonja e Vjetër”. Për Juven vjen një test më të vërtetë i vështirë, ai në Champions, kundër Fc Kopenhagenit. Bardhezinjtë e kanë të nevojshme që të fitojnë, që t’i mbajnë gjallë shpresat për kualifikimin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here