Shqipëria dhe Serbia luajnë aktin e dytë, frikë nga incidentet. Sonte në Elbasan do të jetë një mbrëmje historike, pasi përballë Shqipërisë në fushë do të jetë kombëtarja e Serbisë.
Sfida që mbart brenda saj shumë urrejtje dhe histori të mbushur me gjak dhe dhimbje vështirë se do të shikohet vetëm si një ndeshje futbolli.
Në stadium për të ndjekur ndeshjen pritet që të jenë personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, ndërsa kryeministri i Serbisë, Vucic ende nuk e ka konfirmuar nëse do të jetë i pranishëm, por sipas të gjitha gjasave do të udhëtojë drejt Tiranës me charter sot pasdite.
De Biasi-Cana
Trajneri i kombëtares shqiptare, De Biasi u ka bërë thirrje tifozëve që të respektojnë kundërshtarin dhe të shmangin incidentet në stadium. “Besoj se ne mund t’ia dalim dhe nëpërmjet kësaj ndeshje ne do të tregojmë se përveç futbollit ne dimë të respektojmë kundërshtarin. Është një ndeshje deçizive, ndaj ju bëj thirrje se pa ndihmën, mbështetjen tuaj nuk arrijmë dot objektivat”, tha ai. Ndërsa më pas është ndalur te ndeshja “Serbia është një kundërshtar i fortë, e njohim mjaft mirë, e kemi studiuar por dhe ne kemi pikët tona të forta. E respektojmë Kombëtaren Serbe, por ne do të besojmë në forcën tonë duke luajtur për të fituar ndeshjen”.Ndërsa përsa i përket formacionit tekniku nuk zbuloi asgjë. “Ekipi është gati për ndeshjen përballë Serbisë, të gjithë lojtarët janë në gjendje shumë të mirë. I kam idetë e qarta, lojtarët të gatshëm” përfundoi ai.
Ndryshe nga herët e tjera tekniku italian u shfaq mjaft i tensionuar gjatë konferencës për mediat.
Duke mos e përmendur asnjëherë gjatë konferencës së shtypit fjalën Serbi, por vetëm kundërshtar, kapiteni Lorik Cana shprehet se “i gjithë populli pret fitoren ndaj kundërshtarit. Ndeshja është shumë e rëndësishme, pasi luhen fatet e kualifikimit. Të gjithë jemi gati dhe të motivuar për të fituar, besoj që një gjë të tillë do ta arrijmë edhe me mbështetjen e tifozëve në shkallët e stadiumit, për më shumë… do flasim nesër (sot)” përfundoi ai.
Plani serb
Trajneri Radovan Curçiç si dhe kapiteni i Ivanoviç e presin që situata në Elbasan nuk do të jetë aspak e qetë, pasi shprehen se nuk parashikojnë që të duartrokiten nga tifozët kuqezinj, por vlerësojnë Shqipërinë për paraqitjen që ka bërë dhe punën e De Biasit. “Shqipëria është një skuadër e fortë dhe e konsoliduar, ndryshe nga Serbia që është ende në formim e sipër. Skuadra do të mendojë vetëm te luajë futboll dhe asgjë tjetër”deklaroi Curçiç. Ndërsa kapiteni Branislav Ivanoviç u shpreh se kjo sfidë i kalon kufijtë e sportit, por ekipi do të jetë i përqendruar vetëm te loja e luajtur. “Serbia dëshiron ta fitojë ndeshjen dhe pret që skuadra të luajë më mirë se në Beograd. Trajneri i Shqipërisë, De Biasi e ka përgatitur skuadrën mirë nga ana psikologjike”.