Publikohen sot emrat zyrtarë të kandidatëve që kanë aplikuar për Shkollën e Policisë. Lista përmban 1908 kandidatë të cilët kanë dorëzuar dokumentacionin pranë strukturave të personelit të Drejtorive të Policisë në Qarqe. Të gjithë kandidatët duhet të paraqiten pranë Drejtorive të Policisë në Qarqe, ku kanë aplikuar për të tërhequr kodin e aplikantit. Aplikantët do të njoftohen për ditën e zhvillimit të testimit me shkrim. Policia e Shtetit, përmes këtij procesi që është ndërtuar bazuar në metodat më të mira perëndimore, synon përzgjedhjen e kandidatëve sa më cilësorë për të shërbyer si punonjës policie. Është objektiv parësor i Policisë së Shtetit të përzgjedhë vetëm kandidatët e kualifikuar si më të mirët, përcaktuar nga një proces i drejtë, transparent dhe i plotë përzgjedhje, në mënyrë që të përmbushë me sukses misionin e saj dhe të sigurojë një shërbim cilësor për qytetarët. Të gjithë aplikantët për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me procesin e përzgjedhjes mund të drejtohen pranë Zyrave të Personelit në Drejtoritë e Policisë në Qarqe ose pranë Sektorit të Pranimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Po ashtu mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre dhe me e-mail në adresën shkollaepolicise@mrp.gov.al .