Home Aktualitet Opozita proteston sot, policia blindon Tiranen

Opozita proteston sot, policia blindon Tiranen

669
0

Demonstrata e opozitës që do të mbahet sot në Tiranë nuk do të jetë si organizimet e tjera. Mësohet nga selia rozë se kjo do të jetë një demonstratë që do të ketë mënyrë organizimi të pa parë ndonjë herë në vend. Fillimisht do të mblidhen njerëzit nga të gjitha drejtimet e Tiranës dhe më pas do të marshojnë drejt bulevardit kryesor ku qendra do të jetë selia e qeverisë.Nuk do të ketë një pikë takimi të caktuar, por demonstruesit do të grumbullohen në orën dy në rrugë të ndryshme të kryeqytetit për t’u drejtuar më pas në bulevardin “Dëshmorët e kombit”. Një tjetër ndryshim me organizimet e mëparshme është fakti se këtë herë në vendin ku do të bashkohen turmat në bulevard nuk do të ketë të vendosur asnjë qendër zëri, podium apo gjithçka tjetër që ka të bëjë me formën normale të manifestimeve të shkuara.
Organizimi
Në demonstratë nuk do të ketë fjalime nga krerët e opozitës, çka në një mënyrë është pohuar në daljet e fundit edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i cili ka theksuar se PS dhe opozita do të jenë në rrugë bashkë me njerëzit jo si drejtues, por si pjesë normale e popullit. Në demonstratë nuk do të ketë flamurë partiake apo pankarta forcash të ndryshme pasi, sipas organizatorëve, ajo do të jetë tërësisht jo për marrje pushteti politik, ndaj i është bërë thirrje për t’u bashkuar jo vetëm të majtëve, por edhe të djathtëve. Një tjetër ndryshim me organizimet e mëparshme është fakti se kjo demonstratë nuk parashikohet të paktën deri në këto momente të jetë maratonë, pra të zgjasë me ditë.
Slogani
“Sali dorëzo bllokun” do të jetë slogani që organizatorët kanë menduar për të pasur në duar demonstruesit që do të jenë në 21 Janar. Sipas nismëtarëve demonstrata do të nisë të premten në orën 14:00 dhe qytetarët nga e gjithë Shqipëria do të bashkohen në Tiranë për t’u mbledhur më pas në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Frika nga demonstrata e socialistëve, RENEA blindon rrugët drejt Tiranës
Demonstrata e paralajmëruar e socialistëve kalon Policinë e Shtetit në një shkallë të lartë gatishmërie. Ndërsa fillimisht ishte paralajmëruar për një protestë në 21 Janar, kthimi në demonstratë ka bërë që nga operacionet e forcave të rendit dhe tek tuk organizimi i FNSH-ve, tashmë në rrugë të operojnë dhe forcat RENEA. Prej 24 orësh po kalojnë në sitë kontrolli të gjitha mjetet dhe personat që udhëtojnë drejt Tiranës, nga frika e kalimit transit të armatimeve apo municioneve dhe armëve të ftohta. Kështu mësohet se janë ngritur postblloqe në hyrje dalje të qarqeve të mëdha si Shkodra, Lezha, Dibra, Kukësi, Durrësi, Elbasani, Fieri, Gjirokastra, Vlora dhe Korça. Forca të FNSH-ve dhe RENEA-s janë të vendosura në rrugët dalëse të qyteteve të mëdha dhe kalojnë nën kontroll personat dhe mjetet. Ky plan tenton të parandalojë dyshimet për një demonstratë të dhunshme, ashtu siç është pretenduar nga mazhoranca në pushtet. Indiciet kanë bërë që prej dy javësh Policia e Shtetit të shoqërojë mbi 1 mijë persona dhe kontrollojë të paktën 5 mijë mjete në rrugë. Janë mbi 100 të arrestuar me armë pa leje, municion, armë të ftohta, drogë apo të kërkuar për krime të ndryshme. Edhe 24 orët e fundit ka pasur të ndaluar me armë e drogë në të gjitha qytetet. Madje në Kurbin, një shofer kamioni ka çarë patrullën e RENEA-s dhe ka hedhur nga dritarja e mjetit një thes të mbushur me municion dhe armë.

Kreu i LSI paralajmëron se demonstrata e opozitës do ketë akte dhune

Meta: Rama kërkon të marrë pushtetin me dhunë

Ilir Meta e cilëson protestën e 21 janarit si presion i Edi Ramës për të mbajtur Bashkinë e Tiranës dhe i bën thirrje institucioneve të shtetit që atë ditë të marrin të gjitha masat për të ruajtur qetësinë por edhe për të mbrojtur institucionet. Më tej kreu i LSI-së i kërkoi kryetarit socialist t’i kthehet dialogut politik për të diskutuar mbi reformën zgjedhore dhe “të mos qëndrojë peng i bandave”.
Deklarata e Metës
Në një konferencë për shtyp, nga selia e LSI-së, ish- zv kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, i cili dha dorëheqjen pas publikimit të videopërgjimit, reagoi ndaj deklaratës së një dite më parë të kryesocialistit Edi Rama. Ai e cilësoi “tregues të dëshpërimit” ku ndodhet Rama për të mbajtur pozicionin e kryebashkiakut, “kërcënimet e këtij të fundit në emër të popullit”. “Kjo deklaratë e rrallë e padëgjuar më parë është tregues i dëshpërimit pa fund ku ndodhet kryetari i opozitës për të mbajtur pozicionin e kryetarit të Bashkisë nëpërmjet votës së lirë dhe njëkohësisht për të sjellë opozitën që përfaqëson në pushtet nëpërmjet votës së lirë. Ndaj, si zgjidhje e fundit i mbetet përdorimi i fjalës “popull” për t’i shërbyer interesit të tij dhe bandave të tij të cilat e kanë financuar e sponsorizojnë e që nëpërmes bashkisë së tij prej një kohe të gjatë pastrojnë paratë e tyre në kryeqytetin tonë“, nënvizoi Meta.
Të dhënat për dhunë
Sipas tij “LSI përmes strukturave të saj nga disa rrethet të vendit, sidomos nga Vlora, Shkodra e Laçi, nga Durrësi, nga Fieri ka të dhëna se përfaqësues të Edi Ramës i është bërë apel elementëve që i fshihen drejtësisë, dhe me precedentë penalë për t’u mobilizuar më 21 Janar “me të gjithë arsenalin për të shkaktuar turbullira me qëllim gjoja marrjen e pushtetit në emër gjithnjë të popullit”. Për këto tha Meta do të informonte dhe strukturat e policisë së shtetit. “Edhe një herë dua t‘i bëj të qartë Edi Ramës të heqë dorë nga marrëzira të tilla të heqë dorë nga kërcënimet që bën ndaj rendit kushtetues në vend, të mos qëndrojë peng i bandave, sikurse tashmë është konfirmuar qartë nga të gjithë“, theksoi Meta.

Deputetët e PS nisin fushatën për të pasur sa më shumë përkrahës

PS çon ftesa derë më derë për demonstratën

Partia Socialiste ka nisur të çojë ftesat derë më derë për të marrë pjesë në demonstratën e ditës së nesërme. Deputetët e kësaj partie kanë qenë në lagje të ndryshme të Tiranës. Përveç orarit dhe vendit ku do të zhvillohet protesta, ftesa mban në krye në njërën anë foton e kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Jashtëm Ilir Meta. Protesta do të nisë rreth mesditës dhe nuk thuhet asgjë se kur do të përfundojë.
Ftesa
Deputeti Ditmir Bushati dhe kryetarja e njësisë numër 1 në Tiranë Lindita Nikolli kanë qenë dje në një nga lagjet e Tiranës ku kanë shpërndarë festa për qytetarët që të jenë pjesë e demonstratës së ditës së nesërme në Tiranë. “Bashkë me ju për të luftuar më datë 21 kundër gjithë padrejtësive që iu bëhen qytetarëve dhe që ju i ndjeni në familjet tuaja. Duhet që qytetarët të marrin në dorë fatet e veta. Duhet një protestë vetëm për popullin”, ka deklaruar Lindita Nikolla, kryetare e minibashkisë numër 1, gjatë bisedave me qytetarët. Demonstrata paralajmëruese e opozitës do të zhvillohet në orën 14, ditën e premte, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ashtu sikurse është bërë me dije nga organizatorët, kjo demonstratë do të jetë ndryshe nga herët e tjera pasi nuk do të ketë as podium, as folës. “Ju ftojmë që më 21 janar të jemi bashkë për t’i dhënë fund kësaj kusarie. Ju presim. Do të jemi bashkë”, është shprehur Nikolla.
Thirrja e PS-së
Duke folur për demonstratën e 21 Janarit, socialistët theksuan se ajo nuk është për të pushtetin e socialistëve, por një protestë kundër provokimeve të përditshme që po u bën kryeministri. Deputeti Saimir Tahiri tha se kryeministri po e fut vendin gjithnjë e më shumë në qorrsokak.  “Pas lajthitjes së Saliut që të gjithë pamë e dëgjuam ditën e hënë në parlament, sot ky njeri foli përsëri për lajthi e për kumbulla, për zana nëpër male të mbuluara me dëborë, por përsëri nuk tha asnjë fjalë për zgjidhjen e krizës, të cilën shqiptarët e presin me padurim”, theksoi ai në konferencën për shtyp.  Tahiri shtoi se Partia Socialiste është e shqetësuar për provokimin e përditshëm që kryeministri po i bën shqiptarëve. Për këtë arsye, ai ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestë.

Kreu i PSV91 ka folur në emër të “Opozitës së Bashkuar”

Koçi: Berisha të shpallë zgjedhjet e parakohshme

Në emër të “Opozitës së Bashkuar” kreu i PSV91, Petro Koçi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të behën pjesë e demonstratës së ditës së premte dhe gjithashtu ka kërkuar dhe nga kryeministri Berisha që të shpallë zgjedhjet e parakohshme që të dilet nga kjo situate që është futur vendi. “Si kryetar i PSV91 jam sot këtu në krah të Opozitës së Bashkuar për të vijuar thirrjen e çdo qytetari opozitar në Shqipëri, që në datën 21 janar në ora 14.00 të mblidhen në sheshin qendror të Tiranës për të demonstruar kundër këtij realiteti krize, të prodhuar nga mazhoranca dhe qeveria e kryesuar nga Sali Berisha. Opozita e Bashkuar e ka për detyrë që pas djegies provokative të fletëve të votimit dhe mbas shfaqjes së shëmtuar të korrupsionit qeveritar në mënyrë të regjistruar në mediat e vendit, të orientojë çdo zgjidhje politike drejt një demokracie reale, ku qytetari të thotë fjalën e tij. Është detyra e opozitës që të orientojë zgjidhjen politike, të orientojë reagimin qytetar ndaj këtij realiteti krize të prodhuar nga qeveria Berisha”, tha Petro Koçi. Sipas kreut të PSV duhet të bërë dy palë zgjedhje në një datë. “Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme dhe pse jo që të bashkojë zgjedhjet lokale me ato parlamentare sepse parlamenti është institucioni kryesor ku kapet shteti dhe ku prodhohet korrupsioni. Parlamenti është institucioni kryesor ku bllokohet sistemi i drejtësisë për të luftuar korrupsionin. Prandaj është e domosdoshme që në datën 21 janar çdo qytetarë i lirë dhe çdo qytetar opozitarë të vijë në Tiranë për të demonstruar në një protestë të madhe, sigurisht kur bëjë këtë thirrje kam parasysh një pjesëmarrje pa mungesa”përfundoi deklarata e Koçit.

Dule: Të bashkohemi për të ardhmen evropiane

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, u ka bërë apel qytetarëve të bashkohen në demonstratën e 21 Janarit për të ardhmen evropiane të vendit. Në një konferencë për shtyp, Dule ka dënuar “shfaqjen e shëmtuar” të kryeministrit Berisha gjatë seancës së të hënës në parlament. “Duhet të shprehim vendosmëri për një demokraci funksionale, shtet të së drejtës, votë të lirë dhe frymë evropiane. Berisha nuk mund të ndryshojë asgjë duke mbyllur sytë përpara realitetit. Në politik dallimi i realitetit, dallon burrat e shtetit nga njerëzit e përditshëm”, theksoi Dule. Po ashtu dhe Paskal Milo nga selia e partisë së tij ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në demonstratë.

Çela: PD-ja, parti pa demokraci

Një nga themeluesit e Partisë Demokratike si dhe deputet i saj për disa legjislatura, Blerim Çela, hedh akuza të renda mbi lidershipin e një prej partive më të mëdha në vend. Çela e drejton gishtin nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili sipas ish-deputetit, ka mbytur demokracinë e brendshme te kësaj partie, ka krijuar një qeveri e administratë nepotike dhe kontrollon Parlamentin e drejtësinë në vend. I të njëjtit mendim me Blerim Çelën, është edhe ish-kryeministri Aleksandër Meksi, i cili shprehet se tashmë Partisë Demokratike, i ka mbetur vetëm emri i tillë, pasi për të, idealet e PD-së kanë mbaruar që në vitin 1997. Deklaratat e themeluesve të kësaj partie, u bënë gjatë promovimit të librit “Deformimi i Partisë Demokratike”, i cili mban firmën e Blerim Çelës. Botimi i cili përmbledh shënime personale nga periudha e punës, është për Çelën një libër tërësisht politik, i cili sipas tij, duhet t’i hapë sytë elektoratit të djathtë në vend.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here