Home Kulture Libri i Luljeta Lleshanakut një shënim i shkurtër në “The New York...

Libri i Luljeta Lleshanakut një shënim i shkurtër në “The New York Times”

722
0

Libri me poezi të përkthyera në anglisht nga krijimtaria e poeteshës shqiptare, Luljeta Lleshanaku u përshkrua shkurtimisht në numrin e djeshëm të gazetës së njohur amerikane “The New York Times”, në një shkrim kushtuar disa botimeve të reja.

“Në universin e medias, planeti i vogël i poezisë” titullohet shkrimi i Dana Jennings në gazetën njujorkeze që tërheq vëmendjen te shtëpitë e vogla botuese amerikane që vazhdojnë të botojnë poezi, ndonëse këto lloj botimesh nuk kanë ndonjë sukses në treg.

“Gratë dhe burrat që drejtojnë shtëpitë e vogla botuese, shpesh në shtrëngicë të skajshme financiare, e dinë në thellësi të vetes se ndonëse mbetet një punë kulturore e nënçmuar, poezia është e nevojshme.

E dinë se poezia, edhe nëse përbuzet nga bota e gjerë kulturore, nuk skadon kurrë”, shkruan Jennings përpara se të përshkruajë disa vëllime poetike të botuara kohët e fundit, të cilat “dëshmojnë se si poezia mbijeton, madje edhe gjallon në ujërat e definicionit të lartë të masmedias”.
Më poshtë vijon, përshkrimi i librit të poeteshës shqiptare:

CHILD OF NATURE (Fëmijë e natyrës) nga Luljeta Lleshanaku
Përkthyer nga Henry Israeli dhe Shpresa Qatipi
93 faqe botuar nga “New Directions” – çmimi $13.95.

“Luljeta Lleshanaku u rrit në gjendje arresti shtëpiak në Shqipërinë totalitare. E lindur në 1968, asaj nuk iu lejua që të ndjekë studimet në universitet apo të botonte poezitë e saj deri në vitet e para 1990, pas rënies së komunizmit. Mirëpo, ndonëse frymëzohen nga e kaluara, poezitë e saj të brishta, janë të tërthorta dhe rrallë bëhen polemike.

Melankolia e muzgët që përshkon Shqipërinë e saj ku “shiu i butë bie si apostrofë në një bisedë mes dy botëve”, trungjet familjare “rrëzohen nga rënia e rrufesë” dhe shumica e ditëve i bëjnë jehonë “një vetmie metalike ngjyrë gri”.

Këto detaje gërshetohen duke thurur pamjen e një Shqipërie të një mërgimi të brendshëm dhe në fund, ndihemi me fat që znj. Lleshanaku na ka ftuar në ngritjet dhe uljet fluturuese në pistën e shpirtit të saj”.

(Ruben Avxhiu është kryeredaktor i gazetës “Illyria” në New York)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here