Home Shendetesi Perurohet filiali i trete i Spitalit Amerikan

Perurohet filiali i trete i Spitalit Amerikan

881
0

Spitali Amerikan është një nga investimet më serioze private të shërbimeve shëndetësore. Pas dy spitaleve në kryeqytet dhe të tjerëve në rrethe si edhe në Prishtinë, në Tiranë të mërkurën u hap filiali i tij i tretë, me shërbime të reja që deri dje nuk ofroheshin në Shqipëri.

Së bashku me drejtuesit e spitalit, ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ai u ndal tek lehtësirat që sjell shërbimi i ri shëndetësor në Shqipëri. I anatemuar nga kritikat e opozitës, kreu i qeverisë solli shembullin e këtij spitali për të theksuar se bashkëpunimet me partneritetin publik privat do i mundësojë pacientëve shërbime tek privati të financuara 100 përqind nga shteti.

“Për të gjithë ata që nuk i kanë mundësitë që të marrin një shërbim tek privati dhe që kanë nevojë për këtë shërbim, ky shërbim do të paguhet 100 përqind nga shteti. Pra, ata që do të vijnë këtu do ta kenë atë falas”, tha Kryeministri Rama.

Ky lloj bashkëpunimi, shtoi kryeministri, i ka dhënë tanimë frytet e para duke sjellë një transformim në shërbimin shëndetësor që konsiston në shërbim më cilësor për qytetarët. Falë këtij bashkëpunimi, së shpejti do të kemi një sistem të ri laboratorësh. Por, ajo që është shumë e rëndësishme, tha Rama, është garantimi i autonomisë spitalore.

“Besoj do të jetë me rëndësi të veçantë edhe çuarja përpara e programit të autonomisë spitalore dhe të jemi në gjendje që përfundimisht ta ndajmë Ministrinë e Shëndetësisë nga gjithë infrastruktura spitalore, duke i lënë shërbimit spitalor autonomi në përdorimin e fondeve në dispozicion”, tha Rama.

Buxheti i këtij viti për shëndetësinë, tha Rama, “është buxheti më i madh në të gjitha vitet e tranzicionit dhe do të ecet përpara me transformimin e infrastrukturës spitalore në të gjitha rrethet e tjera, ashtu sikurse bëmë me Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here