Home Politike Kuvendi shkëput marrëdhëniet me Prokurorinë

Kuvendi shkëput marrëdhëniet me Prokurorinë

701
0

Krisja institucionale mes mazhorancës dhe institucionin e Prokurorisë, të cilin ajo i akuzon si të lidhur me opozitën ka shënuar një kulm të ri. Ndonëse është detyrimi i drejtuesve të institucioneve të raportojnë në përfundim të çdo viti për veprimtarinë e kryer, Kuvendi i Shqipërisë nuk merr përsipër dëgjimin e tyre. Pas një tradite të nisur sipas rregullores së Kuvendit, kjo e fundit ka vendosur në bojkot shumicën e institucioneve. Megjithëse në fillim institucionet e pavarura raportin si në komisionin përkatës edhe përpara deputetëve në seancë plenare, prej kohësh drejtuesit e tyre nuk raportojnë punën e bërë nga foltorja e Kuvendit.

Një prej institucioneve që është sorollatur më shumë në dyert e Kuvendit të Shqipërisë është raporti vjetor i Prokurorisë së Përgjithshme. Drejtuesja e këtij institucioni, Ina Rama, gjatë katër viteve që ka drejtuar institucionin e akuzës, vetëm në vitin 2008 ka mundur që të flasë përpara deputetëve për veprimtarinë e prokurorisë në vitin 2007. Në atë kohë, përplasja e mazhorancës dhe prokurorisë për çështjen e Gërdecit solli dhe bojkotimin e sallës nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe deputetët e Partisë Demokratike. Kjo gjë solli dhe krisjen e marrëdhënies midis dy institucioneve.

Në vitet që pasuan, raportimi i këtij institucioni u kthye në një sorollatje. Kjo gjë solli dhe pengimin e qëllimshëm nga ana e mazhorancës të daljes së të dhënave që mund ta dëmtonin atë në kohën e fushatës. Duke qenë se shumë çështje të nxehta që prekën qeverinë hetoheshin nga organi i akuzës, Partia Demokratike nuk thërriti për raportim Prokurorinë e Përgjithshme për të dëgjuar raportin e punës të kryer gjatë një viti. Ky skenar është përdorur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, por edhe në zgjedhjet e fundit vendore që u zhvilluan më 8 maj të këtij viti.

Përpos këtij institucioni, i cili ka marrëdhënie të ndërprera me Kuvendin e Shqipërisë, një panoramë krejt tjetër është për institucione të tjera, siç është Banka e Shqipërisë. Nga kërkimet e bëra rezulton se kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili është në përfundim të mandatit të tij, ka raportuar në muajin prill të çdo viti mbi veprimtarinë e institucionit që ai drejton. Nga viti 2006, kur ai ka nisur raportimin e parë deri në muajin prill të këtij viti, guvernatori i bankës ka qenë sistematikisht për të raportuar tek Komisioni i Ekonomisë apo në seancë plenare.

Duke u bazuar në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është përgjegjëse për krizën e krijuar midis institucionit që ajo drejton dhe atyre të pavarura. Sipas rregullores, është kryetarja e Kuvendit që u kërkon dërgimin me shkrim të raportit institucioneve përkatëse të paktën dy javë para datës së caktuar për t’u mbajtur në seancë plenare dhe pas paraqitjes së tyre, ia dërgon menjëherë komisionit të përhershëm përkatës për shqyrtim.

Rastet konkrete

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka raportuar më 15 korrik të vitit 2008 në Kuvendin e Shqipërisë për punën dhe rezultatet e institucionit që ajo drejton për vitin 2007. Në atë kohë çështjet e nxehta si tragjedia e “Gërdecit” apo të trafikut të armëve, sollën dhe bojkotin e Kuvendit nga vetë kryeparlamentarja Topalli dhe deputetët e Partisë Demokratike.

Megjithëse raporti i prokurorisë është dorëzuar nga Kuvendi për vitin 2008, Kryesia e Kuvendit e ka mbajtur të arkivuar, i cili nuk është diskutuar dhe më pas raportuar përpara deputetëve. Kjo për arsyen se mazhoranca në atë kohë, meqenëse ndodhej në një vit zgjedhor shmangu dhënien e shifrave që mund t’i dëmtonin imazhin gjatë zgjedhjeve parlamentare.

Fakte

2010 – Më 25 maj të viti 2010, kryeprokurorja ka raportuar në Komisionin e Ligjeve për punën e ndjekur nga institucioni i akuzës për vitin 2009. Megjithëse Ina Rama do të duhej që të raportonte edhe para Kuvendit, i cili në fund duhet që të miratojë një rezolutë për punën e organit të akuzës, asgjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi prokurorja e përgjithshme nuk është thirrur për të raportuar në seancë plenare.

2011 – Ashtu si në çdo vit zgjedhor, mazhoranca ka përdorur të njëjtën taktikë si në vitin 2009. Në këto zgjedhje vendore, Kryesia e Kuvendit ka shmangur raportimin e Prokurores së Përgjithshme në komision dhe më pas në seancë plenare. Arsyet e kësaj shmangien të raportimit kishin të bëjnë me parandalimin e daljes së të dhënave që mund të ndikonin negativisht për fushatën elektorale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here