Home Kulture KUR FOLI BISMARKU… “DIKUSH” TURFULLOI!

KUR FOLI BISMARKU… “DIKUSH” TURFULLOI!

1598
0

Atëherë, kur Bismarku në 1878 foli kundër Shqiptarëve, dikush…turfulloi! Shqiptarët u çuen peshë sesi një burrë shteti nuk njohu Shqipninë. Një delegacion shqiptarësh, kryesisht katolikë nga Shkodra, shkuen me u ankue, po edhe me e skjarue se “në Shqipni jemi edhe na që ju nuk na keni vlerësue fare!”…Ai i pyeti: – “Sa baheni ju që keni ardhë këtu për këte punë”? Ata i treguen se jemi dikund te 100.000 frymë katolikë! Ai i shikoi dhe u tha krejt i qetë: – “Ju, sa mundoheni tue qindrue nën turq, pse nuk baheni edhe ju turq?”… Delegatët u kthyen shumë të merzitun! Mjaft edhe turfulluen…
Me kohën u fashitën shumë gjana… Në vitin 1966 pata hapë një ekspozitë personale pikture… Ndër shumë vizitorë, pat ardhë edhe Don Nikollë Mazrreku me e pa. Dijshe se ky ishte shkrimtari me pseudonimin e njohun “Nik Barcolla”…po, jo ma gjatë. Mbas pak ditësh që vizitoi ekspozitën, erdhi në shtëpi me pi një kafe bashkë me At Aleks Baqlin… U hap biseda e letrës që edhe Ky iu pat përgjegjë At Cordignano-s me Zadejen etj…Në një artikull tjetër Don Nikolli ishte shprehë edhe kundër Bismarkut për pyetjen që u kishte ba delegatëve katolikë …At Aleksi, tue e njohë natyrën e Tij, e ngacmoi sesi “ai artikull ishte sjellë mbrapësht në hetuesi në vitet e para kur komunistët e kishin arrestue…e gati e nxorën Don Nikollin ‘nazist”… Sigurisht, qeshëm, po Don Nikolli vazhdonte me kenë i zemruem me Bismarkun dhe me sigurimin e shtetit, që edhe pse e dinin se ka kundërshtue Cordignano-n, e quenin edhe “fashist”…
Nga një punim i imi, “Xhamija e Plumbit”, u bisedue për vlerën e saj, po në atë rasë unë nuk mujta me pranue se ajo xhami ka të njajtat vlera me xhaminë e Tiranës… që për mue ishte një “çudi” sesi asht mendue qendra e Kryeqytetit Tirana me pasë xhaminë mu në “zemrën e saj”, kur ndertuesit e ministrive kishin mujtë me ikë pak ma larg saj… Don Nikolli më ndërpreu fjalën: “Xhamija e Tiranës asht mu në vendin ku duhet me kenë e do t’ ishte fatkeqësi me e hjekë prej aty, mbasi kushdo i huej që vjen në vendin tonë, porsa të vejë kambën në Tiranë, ka me kuptue se edhe qeveritarët tanë janë ashtu si na paraqet Europa, “anadollakë me thundra” e, po mos të ishte xhamija aty, edhe mund t’u dukemi pak Europjanë kur shohin sheshin Skenderbej rrethue me pallatet e ministrive…”
Pak vite mbrapa, me stuhinë e “revolucionit kultural”, Don Nikolli u arrestue prap dhe u dënue 25 vjet burg…tue u lirue ndër të fundit, mbasi kishte vuejtë mbi 36 vjet burg e interrnime me etiketat e vume nga sigurimi komunist, që gati i morën edhe jetën! Duhej zhdukë sepse kundërshtoi diktaturat fashiste e komuniste, punoi për “njohjen e Shtetit tonë si Shtet Europjan!” në të gjitha shkrimet e veta me karakter Atdhetar!
Pak ditë mbasi erdhi në Shqipni sekretari i shtetit ShBA Beker, e takova në rrugë Don Nikollin dhe i thash: “Kur e çuen sekretarin Beker në xhami, porsa mbërrijti në Tiranë, përnjëherë më jeni kujtue Ju!”…Ai qeshi dhe më tha: “Amerikanët, tue mendue se po vijnë në një shtet të vjetër të Europës, zgjohen prej gjumit sa të takojnë qeveritarët anadollakë të shtetit tonë, që kujtojnë se po i nderojnë tue i tregue se kush janë porsa të huejtë vijnë këtu…” Edhe Don Nikoll Kaçorri, tue pasë Nanë muslimane, shkon e bahet Prift katolik…Do edhe me formue Shtetin e Parë Shqiptar në 1912… Edhe Atij pushtetarët tanë pak ditë ma parë i treguen se “kush janë” porsa mbërrijti në Rinas… Për fat që u ndodhë aty një nga sharabajkat e mallnave dhe e nxorën sa me ua dorzue Eshtnat e Tij familjarëve… Gjithë fajin e kishte pasë një “zv.ministre”…e qeverisë sonë…po, jo kush tjetër!

Bashkthemeluesi i Shtetit Shqiptar në 1912…
Nënkryetari i Qeverisë së Vlonës…
Don Nikoll Kaçorri…në sharabajkë në Rinas,
“i nderuem” nga Qeveria e Tiranës…
Foto në Rinas…Shkurt 2011
“Qeveria di po nuk do..!”

Prap një tjetër ngjarje këto ditë që ngjet me riatdhesimin e një ushtari shqiptar i quejtun Shahin Toçi nga Burreli, që pritet nga ministri i mbrojtjes së qeverisë së Tiranës, nderohet për vepren e Tij nga qeveria ynë…ndonse emnin e Tij nuk e kishe ndigjue kurrë ma parë… Por, prap mirë…madje, shumë mirë, se më përforcon mendimin e Bismarkut, “që na duhet të ishim kthye të gjithë muslimanë, “për me nderue veten”!!… Mbasi Europa po “provon” përditë me veprat që ngjajnë në Tiranë e Prishtinë, me ministra arësimi e zv. ministra anadollakë të tjerë…“kush jemi”, pa kenë nevoja me na pyet kush!”
Ja dhe fotot e pritjes së ushtarit Sh. Toçi, që tregojnë kjartë faktin e pritjes kur: “Qeveria di po edhe… do”!

Nga Melbourne, 27 Mars 2011.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here