Home Aktualitet Kuotat e pranimit per Master ndryshojne sipas degës

Kuotat e pranimit per Master ndryshojne sipas degës

745
0

Nisi dje në të gjitha universitetet e vendit viti i ri akademik 2010-2011. Për herë të parë këtë vit, u ulën në auditorët e universiteteve publike rreth 21 mijë studentë të rinj, ose 10 % më shumë studentë se një vit më parë. Në ditën e parë të fillimit të vitit akademik, drejtuesit e universiteteve kanë përcjellë edhe problematikat, të cilat kërkojnë zgjidhje urgjente, për një mbarëvajtje më të mirë të procesit mësimor. Shtimi i numrit të studentëve ka përforcuar nevojën për godina shtesë dhe pedagogë të rinj, sidomos në Universitetin e Tiranës. “Rritja e studentëve sjell nevojën për ambiente dhe për staf të ri pedagogjik, por edhe nevojë për bazë laboratorike. Në universitet nuk ka turne, në universitet ka punë mësimore që fillon në orën 8 të mëngjesit dhe mbaron në orë 20:00 (tetë të darkës)”, ka theksuar dje Jorgaq Kaçani, rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës.
Studimet Master
Këtë viti të ri akademik do të zbatohen edhe ndryshimet që janë bërë në Ligjin e Arsimit të Lartë, ku si më i rëndësishëm konsiderohet cikli i studimeve master (Shkencor dhe Profesional), cikle këto që pritet të startojnë shumë shpejt, tashmë edhe me miratimin e kuotave nga qeveria. I pyetur nga gazeta mbi ndryshimet e Ligjit të Arsimit të Lartë, rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani theksoi me rëndësi, unifikimin e titujve të diplomave me ato të universiteteve Perëndimore. “Titujt që merren sot, me ndryshimet që i bëhen ligjit, bëjnë një unifikim të titujve të diplomave që jepen në universitetet publike dhe private të Shqipërisë, me titujt e diplomave që jepen në universitetet e vendeve Perëndimore, të cilat janë përfshirë në procesin e implementimit të Bolonjës”, tha Kaçani. Tashmë diploma sipas sistemit të Bolonjës do të shoqërohet edhe me një suplement i cili do të përmbajë të dhëna më të detajuar mbi programet e studimit që ka ndjekur studenti.
Sistemi 4-vjeçar
Ndryshimet e reja që kanë prekur Arsimin e Lartë kanë favorizuar edhe studentët të cilët kanë një diplomë sipas sistemit të vjetër 4-vjeçar. Diploma 4-vjeçare të çon direkt në doktoraturë pasi studentëve që kanë një diplomë të tillë iu njihet automatikisht Masteri Shkencor. Diplomat që janë dhënë me sistemin e vjetër katërvjeçar, thotë Kaçani, e kanë të përfshirë masterin. “Diploma master jepet për të gjitha nivelet e diplomave, të cilat janë për bursa 300 kredite. Kjo merr parasysh unifikimin e të gjitha diplomave që janë dhënë deri më sot, të cilat nuk plotësojnë 300 kreditet, këto njihen si diploma master që jepen dhe në universitetet perëndimore”, tha Kacani.
Kriteret
Të gjithë ata student që që deri më tani kanë kryer një master MND apo MNP me 60 kredite do t’iu jepet mundësia ti transferojnë kreditet në Master Shkencor ose Profesional. Përsa i përket ndarjes në  Master Shkencor dhe Master Profesional (që do të nisin për herë të parë këtë vit akademik) Kaçani tha se si kriter bazë do të vlejë mesatarja e cila nuk do të jetë fikse për çdo fakuletet. Kjo do të thotë se çdo program studimi do ketë një mesatare të ndryshme nga të tjerët, kjo në bazë të nivelit të përgjithshëm të studentëve që i përkasin një dege të caktuar. Për shembull nëse Departamenti i Elektronikës dhe Telekomunikacionit do ta ketë mesataren për të hyrë ne Master Shkencor 8, një degë tjetër që mund të jetë Departamenti i Mekanikës do ta ketë mesataren e pranimit 7. Gjithsesi Kaçani tha se kuotat tashmë janë miratuar nga qeveria por ende, Ministria e Arsimit nuk i ka shpërndarë në universitete. Në momentin që kuotat do t’ju vijnë fakulteteve atëherë secili do të shpallë kriteret e pranimit për studentët e interesuar.
Pagat e pedagogëve
Përsa i perket pytejes mbi problemet me pagat e pedagogëve, Kaçani theksoi se ky problem tashmë është i zgjidhur. “Është e vërtetë që ka pasur shkurtime të buxhetit në Arsimin e Lartë, por se kjo nuk do të prekë aspak pagat e pedagogëve dhe nuk do të ketë as ulje të rrogave të tyre. Universitetet kanë të drejtë ta menaxhojnë vetë buxhetin dhe pagat janë të parat që nuk duhen prekur”.
Dje Fakulteti i Filologjisë dhe Historisë dha një urdhër për datën e nisjes së vitit të ri akademik për studentët që vazhdojnë studimet në DND dhe MND. Për studentët e vitit të dytë DND dhe MND shkolla fillon më datë 25 tetor dhe jo më 18 tetor. Gjatë ditëve të javës deri ditën e enjte do të zhvillojnë mësim studentët e DND-së ndërsa të premten dhe të shtunen ata të MND-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here