Krimi në familje trondit sërish. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Korçë, ku për pasojë ka pasur një vrasje të trefishtë.
Raportohet se burri ka vrarë me armë zjarri gruan, fëmijën e tij e më pas i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë. Mësohet se viktimat janë Edmond Fiqi, 50 vjeç dhe Albina Fiqi, 40 vjeçe dhe fëmija i tyre vetëm 1 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur në banesën e viktimave në periferi të Korçës, pranë fshatit Boboshticë.
Sipas informacioneve që bënë të ditur policia e Korçës, mësohet se Edmond Fiqi, nga Korça dyshohet të ketë vrarë bashkëshorten e tij Albinën, lindur në Shijak, e më pas fëmijën e tyre.
Mësohet se është ngritur një grup hetimor për kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme procedurale për zbardhjen e plotë të motiveve që kanë çuar në këtë krim makabër.
Ndërkohë, ditën e martë një ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Suk të Fierit, ku një 73-vjeçar kreu masakër të vërtetë në familjen e tij, duke vrarë dy vëllezërit, kunatën dhe mbesën 17-vjeçare, e më pas u vetëvra me armë, pasi kundërshtonte fejesën e kësaj të fundit.