Me qëllim parandalimin e shkëputjes se shkencëtarëve nga njëri brez në tjetrin, që prej qershorit të këtij viti, Shqipëria ka Akademinë e saj të të Rinjve.
Institucioni në varësinë e Akademisë së Shkencave është krijuar nga shkencëtaret e rinj, të nominuar për çmimet vjetore shkencore, por edhe nga përthithja e ekselencës universitare dhe studiuesve të rinj shkencorë shqiptarë.
“Akademia e Shkencave e të Rinjve lindi me iniciativën e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, si nevojë për të inkurajuar dhe nxitur brezat e rinj të studiuesve shqiptarë dhe sigurisht edhe për të plotësuar pak vakuumin ndërmjet brezave të akademikëve të Akademisë së Madhe të Shkencave dhe të akademikëve të rinj. Domethënë, studiuesve të rinj shqiptarë, për të promovuar e për të kontribuar në fushat shkencore”, thotë Andi Rrembeci, Bashkëkryetar i Akademisë së të Rinjve.
“Është një prioritet që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë që si pjesë e Akademisë së Shkencave të ekzistojë edhe Akademia e Shkencëtarëve të Rinj. Pas negociatave me Global Young Academy, që është rrjeti botëror i Akademisë së të Rinjve, ata e kanë mirëpritur dhe tashmë jemi pjesë e njihemi edhe në nivel global si Akademia e të Rinjve të Shqipërisë”, thotë bashkëkryetari tjetër, Rigers Bakiu.
Akademia e të Rinjve, e sapokrijuar do të kryejë aktivitetin e saj nën ombrellën e Akademisë së Shkencave, por me sallën e saj të posaçme.
“Akademia e të Rinjve do të jetë një institucion, i cili nuk do të mbyllet me prurjen e parë. Është një akademi e hapur, e cila do të përqafojë gjithmonë të gjithë elementët e kërkimit shkencor në vendin tonë”, thotë Rrembeci.
Në tetor do të startojë edhe konferenca e parë shkencore e të rinjve, ku pjesëmarrës do të jenë edhe shkencëtarë të rinj nga Ballkani e Europa.