Home Kosova Kosovë, rrëzohet qeveria Thaci, miratohet mocioni i mosbesimit

Kosovë, rrëzohet qeveria Thaci, miratohet mocioni i mosbesimit

795
0

Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi Qeveria Thaçi është rrezuar nga një mocion mosbesimi i votuar në Kuvendin e Kosovës. Mocioni i paraqitur zyrtarisht nga Aleanca për Kosovën e Re, është votuar me 66 vota pro, një kundër dhe dy abstenime.

“Janë 79 kartela të vendosura. Deri tani ishin mbi 100 po kemi numër të mjaftueshëm për të votuar. Lus deputetët të përgatiten për votim dhe votojmë tash. Konstatoj se me 66 vota pro, një kundër, dy abstenime, Kuvendi miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Republikës së Kosovës”, bëri të ditur Jakup Krasniqi.

Votimi pro mocionit të mosbesimit edhe nga vetë deputetët e PDK-së së Qeverisë Thaci, është tregues që kjo parti ka qenë e interesuar për ta cuar vendin në zgjedhje para 13 shkurtit, si datë e përcaktuar më parë për zgjedhjet e parakohshme, pas dorëheqjes së Sejdiut si president i Kosovës.

“Vota e juaj paraqet fillim të ri për shtetin e Kosovës, vota juaj paraqet zhvillim dhe forcim të demokracisë në Kosovë. Ju ftoj të gjithëve që para se të votoni mbi interesat partiake të mendoni së pari për Kosovën”, tha Hashim Thaci, kryeministri i Kosovës.

Kështu seanca e posacme për shqyrtimin e mocionit e cila ka nisur në mesditë, ka përfunduar me një rezultat që shumëkush e ka pritur, rrëzimin e Qeverisë. Tashmë, sipas nenit 82 të Kushtetutës, nuk parashihen më procedura të tjera në Kuvend. E vetmja procedurë mbetet shpërndarja e Kuvendit dhe caktimi i datës për zgjedhje.

Edhe kjo bëhet sipas kohës më së paku 30 ditë, e më së shumti 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit”. Kryeparlamentari Krasniqi është shprehur i gatshëm të nisë konsultimet me partitë politike dhe të shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, datë që pritet të jetë në mes të dhjetorit të këtij viti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here