Dy javë pas votimit në Kuvendin e Shqipërisë, mblidhet për herë të parë nesër në orën 12:30 komisioni ad hock për reformën zgjedhore.
Dy bashkëkryetarët e këtij komisioni Damian Gjiknuri dhe Ilir Rusmajli tashmë kanë fiksuar takimin e parë ku palët do të përballen për të rënë dakord per reformën elektorale që parasheh si pikën më të nxehtë ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Tryeza do të vërë përballë PS-në e PBDNJ-shin nga e majta dhe PD, LSI, PR e PDIU nga e djathta ndërsa partitë e vogla që nuk janë pjesë e parlamentit do të konsultohen vazhdimisht për çdo vendimarrje, por pa të drejtë vote.
Tashmë palët kanë gati paketën e propozimeve që do të nisë me amendimet e ndryshme të kuadrit ligjor për procesin zgjedhor, siç janë votimi familjar, votimi fiktiv, problemet me listat e zgjedhësve.
Megjithatë, PS duket se do të këmbulë veçanërisht në rekomandimet e OSBE-ODHIR për përmirësimin e administratës zgjedhore, jo vetëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por dhe në administratën lokale.
Por prova e zjarrit për dy partitë e mëdha do të jetë ndryshimi i sistemit zgjedhor përballë presionit të aleatëve të majtë e të djathtë të cilat të mbledhura në 21 nëntor listuan kërkesat e tyre për të mëdhenjtë që nisnin pikërisht me ndryshimin e sistemit duke këmbëngulur për aplikimin e sistemit proporcional kombëtar .
PS-ja është shprehur e gatshme të diskutojë mbi korrektimit kombëtar të sistemit duke ruajtur elementë të rëndësishëm të përfaqësimit rajonal, por nga kampi blu pavarësisht premtimit të kryeministrit Berisha ende nuk ka një deklaratë zyrtare nëse do pranojnë të djathtët të ndryshojnë sistemin.
Mbledhja e së mërkurës ndoshta mund të jetë një mundësi për të marrë një përgjigje për këtë pikëpyetje që në varësi të përgjigjes mund të shkaktojë tension mes aleatëve e partive të mëdha.