“Është një ngjarje kaq absurd, saqë, tani për tani, nuk mundem as ta besoj”. Këto fjalë dalin në formë pëshpërime nga goja e Mariarosa Vedovati, ish-bashkëshortja 55-vjeçare e Giampaolo Azzola-s. Ata ishin martuar në vitin 1984 në Albino, prej nga ajo ka origjinën, e më pas kishin shkuar të jetonin në Bergamo, ku lindën vajzat Claudia dhe Greta, që janë tani 17 dhe 27 vjeç. Para disa vitesh, ata u ndanë. Në kohë kur Azzola u transferua në Shqipëri, në vitin 2012, ish-gruaja dhe vajzat shkuan të banojnë një një vilë të vogël në periferi të Albinos.
“Ndodhi kaq papritmas, sa nuk dimë ende si të veprojmë, shton Vedovati. Shpresojmë të mund ta sjellim sa më shpejt këtu”. Familja Azzola, e shokuar nga ajo që ndodhi, është mbyllur në vetvete. “E kam të pamundur të komentoj për një gjë të tillë, thotë vëllai Stefano. Preferojmë të përpiqemi që ta sjellim në Itali dhe ndërkohë të kuptojmë se ç’ka ndodhur saktësisht. Në Shqipëri e ndjente veten mirë, megjithëse kishte pak mall dhe herë pas here kthehej për të punuar këtu, në ndërmarrjen e familjes”.
Fjala është për “AzzolaTrucks”, kompani koncesionare kamionësh, ku ndodhet edhe shtëpia e familjes. Edhe pse Giampaolo Azzola ishte inkuadruar mirë në botën e sipërmarrësve në Shqipëri, me pjesëmarrje në ndërmarrje të energjisë apo të artikujve sportivë, aq sa ta shpallte veten në FB “Jam punëdhënësi i vetvetes”, përsëri kishte ruajtur lidhje të forta me Italinë, siç e tregojnë këtë mesazhet në rrjetin social. Si kur shkruante “Dua të kthehem” poshtë fotografive të avionëve të Alitalias, apo mesazhi i urimeve për vajzën apo gjithë ato mesazhe që i kanë ardhur kur mbushi 55 vjeç.
Datëlindje që e ka festuar me një letër dërguar vetvetes, ku pohon se e ndjen veten “të humbur mes mijëra mendimesh e fjalësh”, por “një ditë të gjithë jetët që jeton do të të japin të drejtë për atë që je dhe që do të jesh. Duke analizuar vetveten, do të kuptosh se diçka ke lënë rrugëve, por ky është çasti për të vijuar udhëtimin”. Shpesh, bën fjalë për plagë: “Shumë gërvishje, shumë blana, i shoh shumë shpesh, arrij madje të buzëqesh. Sepse e di që nuk jam me atë që m’i ka shkaktuar”.
Pohon: “Më pëlqejnë njerëzit që nuk dorëzohen, më japin edhe mua forcë, mua që disa herë nuk e përballoj dot. Disa herë e ndjej veten copë-copë, aq sa të kem nevojë të shoh në sy të dikujt tjetër shkendijën që më mungon”. Dhe përfundon: “Duhet t’u mbijetojmë këtyre zjarreve dhe këtij hiri, këtyre jetëve të djegura e të humbura gjatë viteve dhe të vazhdojmë të lindim e të vdesim çdo ditë”.
Vrasja e Azzola-s është pasqyruar edhe në mediat italiane. Këto të fundit kanë përshkruar ndodhinë e që i mori jetën 55-vjeçarit me origjinë nga Lombardi i Bergamos, i cili humbi jetën teksa po transferohej në spital. 55-vjeçari jetonte prej vitesh në Tiranë, ku edhe merrej me një sipërmarrje private. Në sqarim të asaj çfarë ka ndodhur, mediat italiane thonë se ai u vra gabimisht në kulmin e një përleshje që degradoi me shkëmbim zjarri mes 2 grupe njerëzish në një lokal nate të vendosur në bodrumin e një ndërtese.