Kongresi i Internacionales së të Rinjve Eurosocialistë (IUSY), që u zhvillua në Tiranë nga datat 25-28 shkurt zgjodhi drejtuesit e rinj të kësaj organizate si dhe vendosi objektivat politike të përbashkëta që organizatat do të kenë në dy vitet në vazhdim dhe miratoi disa rezoluta.
Përmes një procesi transparent, Kongresi i Internacionales së të Rinjve Eurosocialistë zhvilloi edhe zgjedhjet e kryesisë. President u zgjodh Howard Lee nga “DAPSY” në Malajzi, ndërsa Sekretare e Përgjithshme u zgjodh Evin Incir nga Suedia. Gjithashtu, u zgjodhën zv.presidentët e IUSY-t, ku një prej tyre ishte edhe deputetja më e re në Kuvendin e Shqipërisë, njëkohësisht edhe nënkryetarja e LRI-së, Kejdi Mehmetaj.
Mehmetaj tha se do ta përfaqësojë Shqipërinë në këtë organizatë të rëndësishme dhe për t’i dhënë një shtysë zhvillimit të reformave në Shqipëri.
“Ne e themi me kënaqësi që në Shqipëri e kemi përcaktuar me ligj barazinë gjinore në vendimmarrje, që 50 % e të zgjedhurve të jenë femra. Ne duam solidaritetin, ne duam bashkëpunimin dhe besojmë vërtet shumë që, nëse jemi të gjithë së bashku, zëri ynë do të dëgjohet”, tha Mehmetaj.
Ajo falënderoi edhe kolegët e saj të FRESSH-it për bashkëpunimin në organizimin e këtij eventi dhe mbi të gjitha për mbështetjen që i dhanë si kandidaturë e Shqipërisë.
“Ndihem mirë që do të kem mundësinë që ta përfaqësoj Shqipërinë më denjësisht në këtë institucion ndërkombëtar duke besuar që kështu do të shtyjmë bashkërisht zhvillimin e reformave, por edhe zhvillimin e Shqipërisë, që ndërkombëtarët ta shohin si një vend që ka mundësi që të ecë më shumë dhe më shpejt përpara. Në Kongres kanë marrë pjesë mbi 55 shtete nga e gjithë bota dhe janë përfaqësuar mbi 81 organizata me një numër prej rreth 230 delegatësh. Duhet të falënderoj shumë kryetaren e FRESSH-it, Jolezën, dhe FRESSH-in për bashkëpunimin në organizimin e këtij eventi dhe mbi të gjitha edhe për mbështetjen që më dhanë si kandidaturë e Shqipërisë, por në të njëjtën kohë dhe si kandidaturë e rajonit të Ballkanit”, theksoi Mehmetaj.
Ky Kongres u organizua nën kujdesin e Lëvizjes Rinore për Integrim në bashkëpunim me Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar. Internacionalja e të Rinjve Socialiste është organizata ombrellë ku janë të anëtarësuara 134 forume rinore politike nga mbarë bota (80 shtete).
Organizata ka si synim rritjen e bashkëpunimit të forumeve politike anëtare dhe ndërveprimit politik të të rinjve të majtë për kauzat e rinisë në mbarë botën dhe promovimin e vlerave social-demokrate në botë.