Home Aktualitet Kareli, drejtesia greke liron te gjithe gardianet. Drejtori nuk preket fare

Kareli, drejtesia greke liron te gjithe gardianet. Drejtori nuk preket fare

642
0

ilia_kareliDrejtësia greke ka liruar të gjithë gardianët e Nigritas që akuzohen për vrasjen e shqiptarit Kudret Kume i njohur edhe me emrin Ilia Kareli. Dy gardianët e fundit që kishin mbetur në qeli janë lënë të lirë sot nga gjykata e Serresit, ku edhe janë zhvilluar masat e sigurisë.

Gjatë seancës së sotme, njëri prej gardianëve u lirua pa kushte ndërsa gardiani i dytë u lirua me detyrimin që të mos dalë jashtë vendit.

Ndërkaq, drejtori i burgut të Nigritas do të dëshmojë pas festës së Pashkëve. Ky i fundit është në hetim në gjendje të lirë.

Gjatë ditës së djeshme gjykata la të lirë edhe 4 gardianët e tjerë që ndodheshin në qeli. Aktualisht, për vrasjen e Ilia Karelit në datën 27 mars akuzohen 15 zyrtarë të burgut të Nigritas.
Këta të fundit e kanë dhunuar në mënyrë çnjerëzore Karelin duke i marrë edhe jetën.

Drejtori i burgut të Nigritas, ku vdiq shqiptari Ilia Kareli, nga torturat çnjerëzore, rrezikon të mos dënohet asnjë ditë me burg, teksa dje u lanë të lirë 2 gardianë të tjerë. Staboulis Anthony, drejtori i burgut të Nigritas akuzohet për “strehim të një krimineli”, gjë e cila sipas legjistacionit grek përbën kundravajtje administrative e një zyrtari të lartë. Kjo shkelje, maksimalisht mund të dënohet me 6 muaj burg, mirëpo duke qenë se nuk klasifikohet si një krim i rëndë, gjykatat greke për kryerjen e këtij veprimi parashikojnë edhe pagesën në këmbim të lirisë dhe më tej hetimet vijojnë në gjendje të lirë.

Ndërkaq, ai pritet të thirret për të dëshmuar pas festës së Pashkëve. Prej pak kohësh postin e drejtorit të burgut të Nigritas e ka marrë Dimistris Apostolakis, ndërsa orët e fundit në gjykatën e Serresit u paraqitën edhe 2 gardianë të tjerë për t’u njohur me masën e sigurisë. Njëri prej tyre u lirua pa kusht, ndërsa tjetrit nuk i lejohet të dalë nga territori i Greqisë. Ndërkaq, ka mbetur për t’u pyetur edhe një roje i këtij burgu. Deri më tani vetëm 6 gardianë janë lënë në paraburgim teksa gjykohen, ndërsa 8 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Sipas aktakuzës që publikojnë mediat greke, konfirmohet edhe njëherë se gardianët e kanë torturuar Karelin për më shumë se dy orë në mënyrë sistematike, si “ndëshkim” ndaj vrasjes së kolegut të tyre, Jorgos Tsironis, i cili u vra nga i dënuari shqiptar më 25 mars, dhe vetëm dy ditë më pas Ilia Kareli u gjet i pajetë në qeli. Sipas elementëve të zbuluar deri më tani nga aktakuza, gardianët e kanë pështyrë dhe ofenduar Karelin para dhunës makabre, derisa i dhanë goditjet fatale. Ai është rrahur me grushte, shqelma dhe gardianët improvizuan një kamzhik me gjatësi rreth 50 cm.

Aktakuza vë në dukje se torturimi i Karelit zgjati nga ora 15:37 deri në 18:38, në dhomën e pritjes të burgut të Nigritas, dhomë që në gjuhën e gardianëve quhet “frigorifer”. Kareli u godit në pjesë të ndryshme të trupit, mbrapa, në këmbë, sidomos në thembra, gjoks, bark dhe kokë, ndërsa i janë hedhur kova me ujë, teksa e rrihnin, duke e bërë kështu torturën më të dhimbshme. Dy ish-komando të ushtrisë greke dyshohet të kenë ushtruar torturat më të rënda ndaj Karelit, ndërsa vetëm pak ditë më parë u publikuan dhe fotot dhe videot nga qelia në Nigritas, ku ndërroi jetë 42-vjeçari.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here