Banorët e fshatit Kardhiq në Gjirokastër japin dëshmi kontradiktore për News24 në lidhje me uljen e avionëve në rrugën Kardhiq-Delvinë. Para kamerave, ata nuk pranojnë se kanë parë avionë që të ulen në zonë, ndërsa jashtë kamerave e pranojnë.
Keni parë avionë në rrugën Kardhiq-Delvinë, që dyshohet të ketë shërbyer si pistë për uljen e tyre me qëllim trafikimin e drogës?
Banori i parë: Nuk kemi parë gjë. Nuk dimë hiç gjë. Shikojmë hallet tona. As shohim dhe as dëgjojmë. Ka ardhur një kohë dëgjove-s’dëgjova.
Pra nuk keni parë avionë të ulen në këtë zonë?
Banori i dytë: Kur si zë avionët qeveria, edhe ne nuk shohim gjë. Ka qeveri, ka kryeministër, ka shtet që duhet të dinë si qarkullojnë avionët në qiell. Kur qeveria nuk e di ku vete ky avion, pse duhet ta dimë ne. Ajo duhet ta ndjeki prapa. Kur s’është e zonja qeveria që të menaxhojë ku vete avioni, ne nuk dimë gjë. Avionët shkojnë në qiell, por ne as atë makinën atje nuk e shikojmë (qeshin). Nuk na interesojnë avionët e drogës. Ne na interesojnë problemet tona. Se sa e blejmë qumështin, sa e shesim, a ka mjete transporti në zonë apo jo, a ka aplikime, gjëra të tilla. Kemi një qeveri në krye, një kryeministër që duhet të zgjidhin problemet, por i bënë mushkonja. Le të vijnë dhe t’i hanë tani.