Home Politike Kaos në Kuvend, PD tërheq ligjin e SHISH, telefonon Rasmussen

Kaos në Kuvend, PD tërheq ligjin e SHISH, telefonon Rasmussen

656
0

Mungesa e numrave të duhur në Parlament, por edhe një telefonatë e kreut të NATO-s, Rasmussen, me kryeministrin Berisha kanë detyruar mazhorancën që për herë të dytë të tërhiqet nga ligji i SHISH. Edhe herën e parë të djathtët u dorëzuan përpara presionit ndërkombëtar. Por, dje, ata vendosën, në mënyrë surprizë, të hedhin edhe një herë në votim ligjin që vendos Shërbimin Informativ Shtetëror në vartësi të kryeministrit.

Debatet

Që në fillim të seancës, opozita ka kundërshtuar futjen në kalendarin e punimeve të amendimit të propozuar nga deputeti Fatos Hoxha për ligjin për SHISH. Sipas socialistëve, ky ligj duhet të hiqet nga kalendari i rendit të ditës. “Minimumi jeni të detyruar ta bëni këtë, qoftë për të realizuar dhe nenin formal të rregullores që kërkon dy ditë kohë. Është e drejta juaj që në seancën pasardhëse, duke na siguruar ne si opozitë minimumin të drejtën e njohjes me projektligjin, e të drejtën e njohjes me relacionin e komisionit përkatës, që ditën e hënë të ulemi ta diskutojmë”, u shpreh kreu në emër të grupit të PS, Gramoz Ruçi. Duke shfrytëzuar pamjaftueshmërinë e votave nga ana e mazhorancës, kreu i grupit parlamentar të PS kërkoi hedhjen në votim të propozimit të tij për heqjen nga kalendari i punimeve të projektligjit për SHISH. “Në emër të grupit parlamentar, ju propozoj që të hidhni në votë, të nxirrni nga rendi i ditës së pikës që bën fjalë për projektligjin e Shërbimit Informativ. Ky është propozimi ynë, që të hidhet në votë”, tha Ruçi. Por kryeparlamentarja Jozefina Topalli e kundërshtoi, duke deklaruar se është respektuar rregullorja. “Për sa kohë që ne kemi kalendarin e votuar nga seanca plenare. Ju keni të drejtë të kërkoni që të hiqet nga rendi i ditës”, sqaroi Topalli. Edhe kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, ka kundërshtuar heqjen nga rendi i ditës i projektligjit për SHISH. “Nuk është e vërtetë që projektligji ka ardhur në seancë papritur. Nuk është problemi ynë që kur projektligji ka kaluar në Komisionin e Sigurisë, opozita nuk ka qenë e pranishme në komision. Fakti që PS nuk ka marrë pjesë në të gjitha komisionet e sigurisë nuk përbën shkak”, – deklaroi kreu i grupit parlamentar demokrat. Ndërsa aleati i kryeministrit Berisha, kreu i LSI-së, Ilir Meta, në emër të grupit u shpreh kundër kalimit të ligjit për SHISH, duke e cilësuar atë të nxituar, pasi nuk është marrë mendimi i NATO-s.

Numrat

Pas deklaratës së Metës, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nisi të bëjë llogaritë e numrave që kishte Partia Demokratike. Përveç lëvizjeve të shumë deputetëve që hynin e dilnin nga salla e Parlamentit, mazhorancës i mungonin edhe disa deputetë, mes tyre edhe kryeministri Berisha. Mungesa e deputetëve dhe katër votat e LSI-së kundër ligjit të SHISH vunë në dyshim serioz votimin ose jo të ligjit në seancën e djeshme. Në këto kushte, Topalli nisi të lëshojë pe kundrejt kërkesës së opozitës.

Telefonata

Burime të “Shekulli”-t bëjnë me dije se arsyeja e vërtetë e tërheqjes së mazhorancës nga amendimi i ligjit për SHISH i propozuar nga deputeti Fatos Hoxha ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar. Ka qenë kreu i NATO-s, Rasmussen, ai që i ka telefonuar kryeministrit Berisha dhe i ka kërkuar tërheqjen e këtij ligji. Kjo është ndërhyrja e dytë e ndërkombëtarëve, të cilët i kërkojnë mazhorancës që të mos ndryshojë ligjin ekzistues për SHISH.

Tërheqja

Për të mos bërë një tërheqje në sallën e Kuvendit, mazhoranca vendosi ndërprerjen e seancës plenare dhe mbledhjen e shpejtë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Në këtë mbledhje, përveç votave kundër të opozitës, dhanë votën kundër edhe deputetët e djathtë, Leonard Demi, Paulin Sterkaj dhe Gazmend Oketa. Pas kësaj, kryeparlamentarja Topalli deklaroi se “plotëson” kërkesën e opozitës dhe i jep asaj 24 orë kohë për t’u njohur me ligjin e ri të SHISH.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here