Është një gjë e pazakontë, që kancelarja e shtetit më të fuqishëm europian, Angela Merkel, brenda tri ditësh e trajtoi dy herë çështjen e konfl iktit mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin. Edhe në samitin e Dubrovnikut të kryetarëve të shteteve të Europës Juglindore në 15 korrik, edhe në konferencën verore të shtypit në 18 korrik me gazetarët e huaj të akredituar në Berlin, ajo demonstroi një interes të ri dhe një trajtim të veçantë për këtë ngatërresë të gjatë ballkanike. Elementët që tërheqin vëmendjen në paraqitjen e kancelares janë këto:
Së pari, ajo shprehu angazhimin e saj personal për të zgjidhur këtë konflikt ballkanik. “Unë kam harxhuar kohë për këtë çështje, edhe për emrat, edhe për kombinacionet e mundshme. Me siguri do të vijë momenti, kur personalisht do të përfshihem”. Kjo do të thotë se duhet pritur një ndërhyrje aktive dhe e drejtpërdrejtë e saj në procesin diplomatik të zgjidhjes së këtij problemi, i cili nuk është më vetëm dypalësh mes Shkupit dhe Athinës, por është bërë europian dhe ndërkombëtar, sepse është i ndërvarur dhe po jep efekte negative në proceset e mëdha kontinentale, siç janë integrimi europian dhe integrimi atlantik. Investimi personal i kancelares gjermane paralajmëron një fazë të re të kërkimit dhe të pranimit të zgjidhjes nga palët në konflikt.
Së dyti, kancelarja evidentoi se konflikti mes dy shteteve ballkanike nuk është vetëm për emrin, por është edhe për identitetin. Ajo e emërtoi problemin në thelbin e tij, duke treguar se pa një hap të tillë nuk mund të ecet përpara në procesin e zgjidhjes. “Problemi i pazgjidhur i emrit dhe i identitetit mes Maqedonisë dhe Greqisë është çështje për ne të gjithë”, deklaroi ajo në samitin e Dubrovnikut. Është hera e parë, që në një nivel të tillë kaq të lartë diplomatik europian, evidentohet problemi thelbësor i bllokimit mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe që ka të bëjë me identitetin e shtetit, popullit, gjuhës së Maqedonisë. Kjo do të thotë se konflikti është edhe më kompleks, edhe më i vështirë për t’u zgjidhur, sepse nëse për emrin të dyja shtetet kanë mbi 20 vjet që bisedojnë e nuk bien dakord, identiteti në fakt është molla reale e sherrit, që nuk thuhet publikisht. Si Shkupi, ashtu dhe Athina, e kanë ruajtur si tabu këtë emërtim. Disa forca politike në Maqedoni protestuan, pse kancelarja e nxori në publik çështjen e identitetit të Maqedonisë si pengesa e arritjes së kompromisit. Madje partia “Rilindja Demokratike e Maqedonisë” i bëri thirrje Ministrisë së Jashtme që të ndërmarrë përçapje diplomatike dhe të sqarojë të gjitha shtetet për çështjen e identitetit.
Së treti, kancelarja gjermane evidentoi se ka ardhur momenti historik i një kompromisi nga të dy palët. Ajo u shpjegoi konceptin filozofik gjerman për kompromisin, sipas të cilit, kompromis do të thotë kur të dy palët mbesin barabartësisht të pakënaqur nga zgjidhja. Në planin diplomatik kjo mund të merret si një kritikë edhe për Shkupin, edhe për Athinën, sepse në të dy kryeqytetet ka forca, të cilat nisen nga koncepti ballkanik që një palë t’i fitojë të gjitha dhe pala tjetër t’i humbë të gjitha. Koncepti gjerman është një koncept i ri dhe i panjohur për diplomacinë ballkanike, së cilës po i kërkohet të europianizohet në mentalitetin dhe në filozofinë e saj.
Është e kuptueshme se angazhimi personal i gruas më të fuqishme të Europës për zgjidhjen e konfliktit mes Maqedonisë dhe Greqisë është një zhvillim pozitiv dhe shënon një moment interesant kthese në marrëdhëniet ndërkombëtare të rajonit. Është një moment interesant, sepse sjell me vete një angazhim të ri diplomatik të shtetit më të fuqishëm europian për zgjidhjen e një konflikti ballkanik, që zgjat prej më shumë se dy dekadash.
E parë në një kuadër rajonal, ky angazhim i kancelares në një ngatërresë konkrete ballkanike, lexohet si një angazhim i ri i politikës dhe i diplomacisë së Gjermanisë në rajonin e Ballkanit. Sepse nuk duket rastësi as ardhja e kancelares gjermane në samitin e shteteve të Europës Juglindore në Dubrovnik, siç nuk është rastësi as organizimi i Konferencës së vendeve të Europës Juglindore, që kancelarja do të thërrasë në 28 gusht në Berlin, ku do të marrin pjesë kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të rajonit. Gjermania ka hyrë në një fazë të re të interesimit dhe të ndihmës për mbarëvajtjen e rajonit, çka lidhet me vizionin e ri të politikës gjermane për një angazhim më të spikatur në rajonin më problematik të Europës, por dhe me nevojat e Bashkimit Europian për të rregulluar vatrat e tensioneve dhe të konflikteve të pazgjidhura në oborrin e vet. Ky rol i ri i Gjermanisë në Europën Juglindore është një zhvillim pozitiv i mirëpritur, sepse si për traditë, ashtu dhe për perspektivë, prania dhe ndihma gjermane konsiderohet një motor i ri zhvillimi dhe demokracie për rajonin tonë.
Angazhimi i kancelares gjermane dhe i politikës së jashtme gjermane me një profil të ri aktiv ballkanik mendoj se lidhet edhe me zhvillimet e reja në kontinentin tonë, pas krizës ukrainase dhe aneksimit të dhunshëm të një pjese të territorit të Ukrainës nga Rusi. Agresiviteti i politikës së jashtme të Rusisë dhe ambicia e presidentit të saj për të rimarrë ish-sferën sovjetike të influencës dhe për të demonstruar forcën globale në radhë të parë ndaj shteteve europiane, duhet të ketë ndikuar në analizat e vendimmarrësve gjermanë për nevojën e një aktivizimi më të madh të politikës së shteteve të mëdha europiane në rajonin tonë. Kriza ukrainase nxori më në pah nevojën që diplomacia e shteteve të mëdha të BE-së të shpejtohet në zbutjen dhe në zgjidhjen e vatrave të tensioneve dhe të konflikteve në Ballkan, për të mos i dhënë mundësira dhe pretekste Rusisë, që të ndërhyjë në rajonin tonë.
Në këtë kuadër duhet parë edhe teza se konflikti mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin dhe identitetin është një çështje për Europën, siç shkruante gazeta greke “Katimerini” në 16 korrik. Bashkimi Europian dhe shtetet e mëdha europiane kanë kuptuar se në situatën e re të acarimit kontinental, që e prodhoi Rusia, kërkohet një shtytje më e fortë në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit në BE dhe në NATO. Shteti, që është bllokuar që prej vitit 2008 për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, dhe që është bllokuar që prej vitit 2005 që të marrë një datë të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE, është Maqedonia. Dhe shkaku është bllokada nga Greqia për konfliktin mbi emrin dhe identitetin. Rëndësia që merr anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, po bëhet nga zhvillimet ukrainase më e madhe sesa rëndësia, që Shkupi dhe Athina u japin pozicioneve të tyre në bisedimet dypalëshe të rrotullimit në vend. Nuk ka më hapësira, as për propozime emrash të rij e as për kombinacione semantike apo gjeografike, sepse siç konstatoi kancelarja disa herë, “unë mendoj se nuk ka gjë më për t’u propozuar”. Në një farë kuptimi është një mesazh i ri gjerman dhe europian drejtuar Shkupit dhe Athinës për një kompromis sipas konceptit gjerman dhe jo ballkanik, dhe që të mendojnë më shumë objektivin e integrimit europian dhe atlantik të Maqedonisë, sesa pozicionet e deritanishme, që kanë më shumë ngjyra elektorale dhe nacionaliste.
Përkufizimi i konfliktit për emrin dhe për identitetin e Maqedonisë nga kancelarja si “një çështje që është barrë për ne”, nuk duhet kuptuar si transferim i çështjes tek Europa dhe largim nga OKB, e cila prej vitit 1993 është kuadri diplomatik ndërkombëtar i zhvillimit të bisedimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin. Nuk duhet parë kurrsesi as si një spostim i rolit të diplomacisë amerikane, përfaqësuesit e së cilës kanë qenë dhe janë ndërmjetësuesit ndërkombëtarë të bisedimeve mes Shkupit dhe Athinës. Angazhimi i ri gjerman duhet parë si një rritje e presionit të bashkërenduar mes SHBA dhe Gjermanisë për të detyruar të dyja shtetet ballkanike të arrijnë në kompromis. Kjo provohet edhe nga organizimi në Berlin në nëntorin e vitit të kaluar i takimit të kancelares Merkel me ambasadorin amerikan Metju Nimic, ndërmjetës i OKB-së për bisedimet e emrit, dhe kancelarja, e cila ndodhej në kulmin e përpjekjeve të saj për krijimin e qeverisë së re gjermane, gjeti kohë të diskutonte me ndërmjetësuesin amerikan për konfliktin e dy shteteve ballkanike.
Angazhimi i kancelares gjermane do të thotë hedhja në fushën e betejave diplomatike për zgjidhjen e konfliktit mes Shkupit dhe Athinës të potencialeve të mëdha, që Berlini disponon në të gjitha drejtimet. Nuk do jetë e lehtë as për Shkupin dhe as për Athinën, që të vazhdojnë betonimet në pozicionet e tyre të deritanishme, që nuk kanë çuar në rrugëdalje. A do të shihen shpejt shenjat apo rezultatet e këtij angazhimi personal të nivelit më të lartë europian, kjo mbetet të shihet. Por çështja ka arritur në një pikë ngopjeje diplomatike, ku udhëheqësit e të dyja shteteve ballkanike duhet të mendohen mirë, nëse konflikti për emrin dhe për identitetin ka më shumë rëndësi sesa procesi i sigurisë atlantike dhe europiane.