Home Sport Kaka shkelqen ne Skoci

Kaka shkelqen ne Skoci

559
0

Kaká rises unmarked to head Milan's opening goal in the win against Celtic.Nëse nuk do të kishte qenë për fitoren surprizë të Ajaksit kundër Barcelonës, dje Milani mund të kishte festuar kualifikimin për në 1/8-at pas suksesit bindës në Skoci. Kundër Sëlltikut takimi përfundon në shifrat 3-0, por për të avancuar më tej në Europë duhet ende të luftohet, deri në frymën e fundit, në “San Siro” kundër Ajaksit, edhe pse skuadrës së Masimiliano Alegrit do t’i mjaftonte qoftë edhe një barazim për të pasur sigurinë matematikore. Në “Celtic Park” është edhe nata e rilindjeve të mëdha, me Kakanë që shkëlqen duke kujtuar brazilianin e viteve të arta, por edhe me Balotelin, i cili më në fund rigjen golin e humbur prej shumë kohësh, ndërsa Zapata feston të parin me bluzën kuqezi.

Avantazh i shpejtë
Ndryshe nga kampionati, në Ligën e Kampioneve Milani është një skuadër krejt tjetër, sepse luan pa frikë dhe është më konkrete në të gjitha repartet. Alegri, që zgjedh Kakanë dhe Birsën pas shpatullave të Balotelit, bëri zgjedhjen e duhur, sepse pikërisht dy fantazistët janë arkitektët e avantazhit të shpejtë kuqezi. Në minutën e 13-të, Milani e finalizon me gol goditjen e parë nga këndi. Nga flamuri kroson Birsa, që gjen saktësisht në zonë Kakanë, ku me kokë devijon saktë në portë. Mbrojtja e Sëlltikut është fajtore kryesore për këtë gol, sepse ata kishin mbuluar këdo nga kuqezinjtë, duke harruar të vetëm lojtarin më të rrezikshëm në fushën e lojës. Gjithsesi, pjesa e parë nuk kalon pa probleme për italianët, që i lejojnë Sëlltikut të shkojë shumë lehtë në zonën e tyre, por fatmirësisht, Samaras me shokë nuk janë konkretë në finalizim, ndonëse edhe Daniele Bonera shmang me radhë disa krosime të rrezikshme që i lejojnë Milanit ta mbyllë në avantazh pjesën e dytë.

Baloteli mbyll ndeshjen
Pjesa e dytë nis me drithërima, sepse holandezi Van Dijk humb rastin më flagrant për të barazuar takimin, që në sekondat e para të kësaj periode. Por kalojnë vetëm tri minuta të tjera dhe ndeshja vihet në dishezë nga kuqezinjtë. Noçerino, në topin e parë që prek, pikturon një krosim fantastik për Zapatën që, i vendosur në shtyllën e dytë, e ka shumë të lehtë të depozitojë në rrjetë me të brendshmen e këmbës së tij, golin që dërgon shifrat në 2- 0. Këtu Sëlltiku fiket totalisht dhe u hap rrugë italianëve që t’i japin goditjen e fundit. Kaka, që duket sikur fluturon në fushën e lojës, është i pafat në gjetjen e golit të dytë personal dhe atë që do të mbyllte përfundimisht takimin. Gjithsesi, këtë nder do e ketë sulmuesi më i akuzuar i muajit, Mario Baloteli, numri 45 kuqezi, i cili finalizon në rrjetë pasimin e kapitenit Montolivo. Më në fund duket se mallkimi ka përfunduar, Baloteli, Kaka, por edhe i gjithë Milani ofruan një ritëm tjetër, një ritëm nga ata që tani e në vazhdim nevojiten edhe në ndeshjet e kampionatit. Fundja, renditja në Serinë A është e denjë për një skuadër që lufton për mbijetesën, ndërsa në Champions gjithçka është më ndryshe, gjithçka është më e qartë dhe më e qetë. Prandaj, nëse Kaka dhe Baloteli konfirmohen tani e në vazhdim në nivelet e ofruara dje, “Djalli”, por edhe trajneri Masimiliano Alegri, mund të nisin në “notojnë” në ujëra më të qetë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here