Home Sport Januzaj zgjedh te luaje me Belgjiken

Januzaj zgjedh te luaje me Belgjiken

694
0

adnan_januzajAs Kosova dhe as Shqipëria. Nuk ka bërë zgjedhje gjaku Adnan Januzaj, por zgjedhje interesi dhe pragmatizmi. Ka preferuar të jetë në finalet e Botërorit të kësaj vere në Brazil, duke përfaqësuar kombëtaren belge, të vendit ku hodhi hapat e parë në futboll dhe u evidentua si talent në akademinë e Anderlehtit, derisa u pikas nga klubi i madh anglez, Mancester Junajtid, që e mori dhe e bëri shumë shpejt pjesë të Premier Ligës. Talenti me origjinë kosovare ka zgjidhur më në fund dilemën se me cilën kombëtare do të luajë, duke lënë pafundësisht të zhgënjyer shqiptarët, të cilët u përpoqën me cdo mundësi, si përmes nismave të tifozëve kuqezinj në rrjetet siociale, edhe përmes angazhimit të qeveritarëve këtej dhe andej kufirit, me shpresën se do ta pasuronin kombëtaren e drejtuar nga De Biazi me një element cilësor. E befasuar ka mbetur edhe Kosova, që ka zhvilluar të parën ndeshje zyrtare miqësore në mars, edhe pse me “fusnotë”, dhe është duke parë përpara drejt zyrtarizimit të saj si kombëtare nga UEFA dhe FIFA. Një ftesë e vecantë i ishte bërë Januzajt për të qenë pjesë e miqësores historike kundër Haitit, ndërkohë që trajneri Bunjaku kishte nisur përpjekjet për të kontaktuar me babain e tij menaxher, Abedinin, me shpresën se mund të zgjidhte vendlindjen, kombin. Por jo. Pasi e ka parë se Anglia nuk e kishte në planet e veta, të paktën për një periudhë 5-vjecare, sa i duhej talentit kosovar të merrte nënshtetësinë e këtij vendi, familja “Januzaj” ka nxituar të bëjë zgjedhjen më të leverdisshme. I ka thënë “po” Belgjikës, duke mbyllur dyert për kombin e tij. Qoftë për Shqipërinë, qoftë për Kosovën.

Hasi: Januzaj zgjedh mes Belgjikës dhe Kosovës
Besnik Hasi, që e ka njohur Januzajn qysh të vogël tek academia e Anderlehtit, kishte paralajmëruar se Adnan Januzaj do të zgjidhte mes Belgjikës dhe Kosovës. Lajmi bëhej i ditur nga mediat belge (“elfvoetbal.nl”), sipas të cilave nuk ka vend për garë mes Anglisë, Shqipërisë apo edhe shteteve të tjera. Kjo media i referohej një deklarate të ish-kapitenit të Shqipërisë, Besnik Hasi, aktualisht trajner i Anderlehtit në Belgjikë. “Kosovarët janë një popull krenar, kjo edhe për faktin se nuk kanë pasur lirinë që kanë pasur vendet e tjera të Europës. Janë njerëz të lidhur ngushtë me origjinën dhe me tokën e tyre, aq sa në Kosovë dy gjëra janë të shenjta: flamuri dhe familja. Sa i përket Januzajt, mendoj se ai do zgjedhë mes Belgjikës ku ka lindur dhe Kosovës, ku janë rrënjët e familjes së tij”, pati thënë Hasi. Ish-kapiteni kuqezi i pat hequr në një farë mënyre shpresat Shqipërisë për Januzajn edhe në një intervistë të para pak kohëve, dhënë “Supersport”, ku pat thënë se Januzaj duhej lënë i qetë që të zgjidhte vetë të ardhmen në lidhje me aktivizimin në një kombëtare.

Hodgson “largoi” Januzajn
Pas trajnerit të Kosovës, Albert Bunakut, atij të Shqipërisë, De Biazi, dhe të Belgjikës, Mark Vilmots, për Andnan Januzajn ka folur edhe trajneri i Anglisë, Roi Hodgson. Ai ka bërë të ditur para disa kohësh se nuk mund ta llogaritë talentin e Mancester UTD përderisa Federata Angleze e Futbollit (FA) të vendosë nëse do ta natyralizojnë apo jo futbollistin në fjalë. “As kam menduar për të deri më tani. Ajo çka mund të them për këtë temë është se kjo çështje është e bordit të FA. Për momentin, derisa ky bord të sqarojë se çfarë ka në mendje dhe cila do të jetë politika e tyre, unë mundem vetëm të qëndroj në pritje”, – pati thënë trajneri anglez për për “Mirror”.
Megjithatë, Hodgson bënte të ditur se Januzaj nuk kishte gjasa të luante me Anglinë për vitet e ardhshme, edhe nëse FA vendoste ta natyralizonte kosovarin. “Krejt çka duhet të kuptoni me Januzajn është se në cilëndo anë që Anglia do vendosë të shkojë, me rregullat që ekzistojnë për momentin nuk ka gjasa që Januzaj të luajë për Anglinë në vitet e ardhshme”, – kishte theksuar Hodgson.

De Biazi: I kam dërguar një mijë mesazhe
De Biazi ka qenë i pari që e ka parandier zgjedhjen e Januzajt, e cila nuk kishte të bënte me Shqipërin që ai drejton. “I kam dërguar një mijë mesazhe dhe nuk më është përgjigjur kurrë…”, – ka qenë deklarata e prerë e tij, duke lënë të kuptohej se talenti kosovar i Mançester Junajtid nuk kishte shanse që të zgjidhte Shqipërinë në të ardhmen.

 “Pse të luajë Januzaj për Anglinë kur është shqiptar?!”
Xhimi Grivs, një nga sulmuesit legjendarë anglezë, kampion bote në vitin 1966, ishte i bindur se Adnan Januzaj nuk duhet të lejohej të veshë fanellën e kombëtares së “Tre luanëve”. Ish-sulmuesi, i cili në karrierën e tij ka shënuar më shumë se 400 gola, ku 44 të tillë janë realizuar në 57 ndeshje me Anglinë, ishte kategorikisht kundër ndryshimit të nënshtetësisë, që sipas tij po e shëmton futbollin. “Më quani prapanik, të rrjedhur apo si të doni ju, por unë kam menduar gjithmonë se sportistët dhe gratë duhet të përfaqësojnë vetëm vendin e lindjes së tyre”, – shkruante ai në një opinion të publikuar në gazetën britanike “Sunday People”. “Nuk kam pasur asnjëherë probleme me ndonjë person që dëshiron të praktikojë sportin jashtë vendlindjes – unë vetë e bëra një gjë të tillë te Milani – por të luash për një vend sepse kushëriri yt i dytë e vizitoi një ditë, apo sepse ke jetuar aty për dy vite, për mua është krejtësisht e gabuar. E di që njerëzit do të më kujtojnë argumentin e Mo Farah (i lindur në Mozambik, 2 medalje ari në Londër 2012 duke përfaqësuar Britaninë e Madhe) dhe pranoj që ai ka çdo të drejtë të vrapojë për Britaninë. Ai erdhi në Angli kur ishte 8 vjeç dhe kaloi vitet e tij të formimit këtu. Ai e cilëson veten britanik. Por Kevin Pietersen (lojtar kriketi) lindi dhe u rrit në Afrikën e Jugut, dhe e vetmja arsye pse ai luan për Anglinë ishte ngaqë nuk kishte vend në kombëtaren e tyre, ndërsa në tonën po. E njëjta gjë është edhe me Adnan Januzajn. Ai është belg. Në rregull… belg, kosovar dhe shqiptar. Por ajo që unë di është se ai nuk është anglez dhe nuk duhet të lejohet asnjëherë të luajë për Anglinë. Kjo është absurde! Nëse kjo situatë lejohet të vazhdojë, apo përkeqësohet, sporti ndërkombëtar ka marrë fund. Xhorxh Best ishte aq krenar të luante për Irlandën e Veriut, sa nuk e shqetësonte fakti që do të humbiste futbollin ndërkombëtar, ashtu si Rajan Gigs që është ekuivalenti i tij uellsian”, – ishte komenti i Grivs.

abedin-januzajAbedin Januzaj: Nuk negocioj me FSHF
Abedin Januzaj, babai i talentit të njohur Adnanit, kishte akuzuar krerët e FSHF-së se kanë dezinformuar opinionin publik dhe se për aq kohë sa të jenë këta punonjës në federatë, ai nuk do të pranonte asnjë negociatë. Në një intervistë dhënë për televizionin kosovar “KTV”, babai i Januzajt, njëherazi edhe menaxheri i tij, kishte thënë se nuk ka pasur kurrfarë interesimi zyrtar nga ana e FSHF-së. Ai pati thënë gjithashtu se federata kishte gënjyer kur kishte thënë se ka kontaktuar me lojtarin 8 muaj më parë. Ja intervista e tij e asaj kohe:

Ajo që më së shumti diskutohet në Kosovë e Shqipëri besoj e dini, angazhimi i tij në ndonjë kombëtare. Situata e tij është paksa e komplikuar, duke e ditur se ai ka shumë mundësi të zgjedhë. Cilën do të zgjedhë?
Do e publikoj në ditët e ardhshme. Kohët e fundit është folur shumë në mediat shqiptare se Adnani ka profil në “Facebook”. Adnan Januzaj nuk ka profil në “Facebook”, e as unë nuk merrem me të. Në “Facebook” po bëhet një fushatë “Adnan, thuaj po Shqipërisë”. Këtu dua ta sqaroj sepse është një temë më delikate. Unë deri më tani nuk kam pasur asnjë… nuk do të them ofertë se ofertë është diçka tjetër, por nuk kam pasur asnjë thirrje nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit për Adnan Januzajn së paku të bisedojmë. Këtë opinioni shqiptar duhet ta dijë qartë, këtu është duke folur babai i tij. Dhe, menaxheri i tij njëkohësisht….Dhe menaxheri i tij në disa çështje që unë i kontrolloj. Federata Shqiptare e Futbollit asnjëherë nuk ka bërë thirrje. FSHF-ja vetëm ka bërë dezinformata se e ka kontaktuar Adnan Januzajn. Madje, nuk i di edhe emrat si i kanë ata. Kohët e fundit vëllezërit më thanë ka qenë një nënkryetar i FSHF-së që ka thënë se kemi biseduar me babanë e Adnan Januzajt, që është totalisht gënjeshtër. Para dy netësh më thanë se ishte bërë një emision në “Klan” dhe se duhet ta shikoja patjetër për të parë se çka u fol aty. Jo, Januzaj nuk e ka refuzuar FSHF-në, se nuk kam pasur kë të refuzoj, pasi nuk kam biseduar me askënd. Dikush mund të thotë se nuk e ka hapur telefonin. Nuk është vetëm numri i telefonit një provë. Është Mançester Junajtid ku duhet të shkojnë dhe ta bëjnë kërkesën si e kanë bërë të gjitha shtetet e tjera, por ata nuk e kanë bërë as atë punë. Para dy ditësh klubi më tha se një zyrtar i Ministrisë së Shqipërisë kishte tentuar të fliste me Adnan Januzajn, çka është absurde dhe që nuk mund ta bëjnë jo ata, por askush nuk mund ta bëjë, pasi duhet të kalojë në bazë të instancave, njerëz të cilët kanë kompetenca mbi Adnanin, sepse Adnani nuk mund dhe nuk merret me këtë punë dhe kështu ia kanë mbyllur derën vetes. Madje, ka shkuar në emision presidenti apo kush është ai dhe tha “nëse e ndien flamurin le të luajë për Shqipërinë, nëse jo le të luajë për Serbinë”. Kjo nuk të lë mundësi që t’i japësh një rast ekipit nacional të Shqipërisë që ta inkuadrojë Adnan Januzajn.

Pra, ju jeni të mllefosur me mënyrën si ata e kanë menaxhuar këtë situatë?
Po, ky është problemi, se ata ia kanë mbyllur vetes derën. Tek unë duhet të vijnë vetëm njerëz që janë të përgatitur profesionalisht dhe korrektë.

A do e pranonit zotin Duka. Ai është kryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit?
Jo.

Pse?
Sepse kanë bërë disa dezinformata. Nuk e njoh zotin Duka, por flas se si FSHF-ja ka reaguar në mënyrë totalisht të paautorizuar dhe joprofesionale.

Do të thotë se gjasat janë minimale që Adnani të luajë për Shqipërinë një ditë?
Tani për tani nuk do t’ia mbyll derën krejtësisht ekipit nacional të Shqipërisë, sepse ne jemi shqiptarë. Unë kam lindur në Kosovë, në Istog. Një deputet i Kosovës thotë se ekziston një dokument se Januzaj ka shkuar nga Kroacia. Unë nëpër Kroaci kaloj vetëm kur vij me pushime, sepse unë kam dalë nga Kosova në vitin ’90 drejt Belgjikës me pasaportë jugosllave në atë kohë dhe kështu që atje jam martuar, shoqen e kam shqiptare nga Istogu. Nuk e di se si qarkullojnë se shoqen e kam nga Kroacia. Ato janë gënjeshtra.

Shqipërisë përfundimisht nuk i thoni jo?
Nuk do t’ia mbyll derën asnjë kombëtareje, e posaçërisht ekipit shqiptar. Por, derën e kanë mbyllur vetë, sepse kanë bërë dezinformata të çmendura. Thonë që e kemi ftuar në moshën 13-vjeçare, çka është çmenduri. Për këtë arsye, njerëzit që punojnë në FSHF nuk kanë shanse të negociojnë me Adnan Januzajn. Duhet të vijnë njerëz profesionistë dhe të përgatitur. Nuk kanë efekt tek unë. Kanë provuar edhe përmes Lorik Canës. Unë e respektoj atë lojtar. Ka bërë karrierë të mirë, por ai nuk ka influencë që djali të luajë për Shqipërinë, aspak. Jo ai, por askush. Vetëm njerëzit, të cilët janë profesionalistë dhe punojnë ashtu siç duhet, mund të vijnë të ulen të bisedojnë me mua.

Me Belgjikën si qëndron puna?
Për Belgjikën tani për tani nuk do të luajë. Do të përqendrohet totalisht për klub. Ka pasur disa tentativa të trajnerit të Belgjikës që ta marrë Januzajn, sidomos kundër Kroacisë.

Trajneri i Anglisë, Roi Hoxhson, ka thënë se dëshiron që Adnani të luajë për Anglinë?
Ka pasur disa zëra. Nuk ka thënë se do e marrë, por ka thënë se e përcjell dhe në qoftë se ka mundësi juridike do ta bëjë kërkesën që eventualisht të bëjë diçka për të. Por ka shumë për t’u bërë në këtë drejtim, edhe në drejtimin e Shqipërisë e Belgjikës. Jam i fokusuar për momentin me Mançester Junajtid.

Normalisht, shumica dëshirojnë që Adnani të luajë për Kosovën, për vendin e vet?
Po, sepse unë kam lindur aty. Mirëpo, situata politike tani për Kosovën është më delikate, sepse FIFA nuk e ka pranuar FFK-në. Por, këto janë çështje që duhet t’i shikojmë pak më vonë. Nuk përjashtohet që një ditë Adnani të bëhet edhe pjesë e kësaj kombëtareje.

Mediat ndërkombëtare kanë shkruar edhe për mundësinë që Adnani mund të luajë për Turqinë e Serbinë?
Këto dy opsione janë të pamundura. Nuk e di se si njerëzit e shohin inkuadrimin e Adnanit te Serbia. Nuk ka kurrfarë mundësie. Dikush thotë se edhe Kroacia. Turqia e Serbia janë të përjashtuara si mundësi.

Çfarë do t’u thoni njerëzve që janë krenarë me Adnanin?
Unë e kam përshëndetur gjithë popullin shqiptar për përkrahjen dhe i falënderoj të gjithë, edhe Adnani i përshëndet. 90 për qind e popullsisë dëshiron ta dijë se a do të luajë, apo jo për Shqipërinë. Njerëzit profesionistë e kanë derën të hapur të flasin me mua, por me ata që dezinformojnë nuk do të flas.

Januzaj: Do luaj për atë kombëtare që kërkon babai
Talenti më i kërkuar në Europë, Adnan Januzaj, thoshte se të ardhmen e tij do ta vendoste babai. “Do të luaj për atë kombëtare që do të më thotë babai. Unë dua vetëm të bëhem lojtari më i mirë në botë me Mançesterin”, – ka thënë talenti kosovar i Mançester Junajtid për televizionin “KTV” në Kosovë.

Sa ka qenë i rëndësishëm për ju debutimi i plotë te Junajtid dhe shënimi i dy golave?
Shumë, prej fillimit kam dashur të luaja për Mançester Junajtid. Kam fituar rastin dhe kam shënuar dy gola, që është gjë shumë e mirë për mua, familjen e tifozët.

Si e keni përjetuar pas ndeshjes. Si kanë reaguar trajneri dhe lojtarët?
Shumë mirë, të gjithë erdhën e më uruan. Për mua ka qenë gjë shumë e mirë dhe jam i gëzuar që kam shënuar dy gola.

A keni pritur të kini këtë minutazh, duke ditur moshën që keni?
Po, kam punuar shumë në stërvitje dhe m’u dha rasti të luaja atë ndeshje. E kam ndier se do të shënoja dy gola.

Si prisni të vazhdojë sezoni me Mançester Junajtid?
Kam ardhur të luaj në Mançester, gjithnjë kam dhënë dhe do të jap maksimumin për t’u bërë lojtari më i mirë në botë. Si i keni marrëdhëniet me lojtarët.

Me cilin keni marrëdhënie më të mira?
Me Robin Van Persie, Patris Evran… të gjithë lojtarët janë të mirë, kemi marrëdhënie të mira, flasim, diskutojmë.

Nga kush mund të mësoni, meqë jeni i ri?
Nga Rajan Gigsi, pasi luan në pozitën ku aktivizohem edhe unë. E pyes atë, ai flet dhe unë e dëgjoj me vëmendje.

A keni pritur të keni edhe më shumë minutazh?
Kam dashur të luaja për Mançester Junajtid dhe kam dhënë çka kam mundur nga vetja dhe në fund jam shpallur lojtar i ndeshjes. Me siguri e dini se në Kosovë ju ndjekin shumë.

Çka do t’u thoni tifozëve prej këtu për suksesin tuaj?
I falënderoj shumë, ndoshta do të shënoj edhe më shumë gola për ta.

A e vizitoni Kosovën?
Po, vij në Kosovë për vizitë, pasi kam familjen, të gjithë i kam atje.

Kush vendos se për cilën kombëtare do të luani?
Babai im është për këto gjëra prapa meje. Po të më thotë babai “të luash për këtë kombëtare”, do të luaj. Do e dëgjoj babanë. Kam ardhur këtu me të dhe ai i di të gjitha.


FSHF: Pranojmë gjithçka, vetëm Januzaj të vishet kuqezi
Pas intervistës së dhënë në “Koha TV” të Kosovës, ku babai i talentit 18-vjecar të Mancester Junajtid (Adnan Januzajt), Abedini, akuzonte rëndë Federatën Shqiptare të Futbollit për amatorizëm dhe për mungesë interesimi për djalin e tij, ka ardhur reagimi i kësaj të fundit. FSHF-ja, në një komunikatë për shtyp shprehej:
“Ashtu si në çdo rast, ndjeshmëria e Federatës Shqiptare te Futbollit rreth talenteve shqiptarë të këtij sporti magjik, ka qenë prezent edhe për çështjen e Adnan Januzajt. Qëndrimi publik për futbollistin shqiptar të Mancester Junajtid është endur mes kërkesave dhe ofertave, pranimeve dhe refuzimeve, diku mediatike, rrallëherë konkrete e më në fund gati të paqarta. Në mes të dy “brigjeve” , talentit Januzaj dhe atyre që e kërkojne atë, janë vendosur barriera psikologjike me bazë nacionaliste, origjine dhe të kaluarës së tij familjare. Pikërisht këtu kanë nisur edhe diskutimet e mëdha me prova të vogla, të cilat ndonjëherë kapërcejnë edhe kufijtë e etikës së qytetarisë së vërtetë. Federata Shqiptare e Futbollit nuk dëshiron të merret me shpjegime anësore të cështjes, sepse qartazi ato kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të krijojnë keqkuptime, që nuk i shërbejnë qëllimit. Ne jemi të gatshëm të pranojmë gjithçka, vetëm që i talentuari Januzaj të bëhet pjesë e kombëtares tonë dhe të kontribuojë në të ardhmen për futbollin shqiptar. Federata Shqiptare e Futbollit deklaron zyrtarisht, se siç është vepruar edhe më parë me futbollistët që sot janë pjesë e kombëtares, do të vijojë punën pa asnjë ndikim, mëdyshje apo hezitim që Adnan Januzaj të vishet kuqezi, për të nderuar veten, familjen dhe flamurin e të parëve të tij”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here