Nëse armët kimike të Sirisë vijnë për t’u shkatërruar në Shqipëri, procesi i eliminimit të tyre, sipas të gjitha gjasave do të kryhet nga specialistët amerikanë përmes një aparature të sapo prodhuar nga Pentagoni.
Quhet Field Deployable Hydrolysis System (FDHS), Sistemi Portativ i Hidrolizës dhe është prodhuar nga ushtria amerikane vetëm në muajt e fundit, posaçërisht i menduar për armët kimike të Sirisë.
Sistemi i ri dhe i paprovuar më parë u mendua nga Pentagoni për t’u dërguar në Siri, me qëllim shkatërrimin në vend të armëve kimike, por tani plani është, sipas artikullit të “Foreign Policy” të cituar në “News24” disa ditë më parë, që ky sistem portativ të vijë në Shqipëri për të kryer këtu eliminimin e 1 mijë tonëve sarin dhe gazra të tjerë, duke qenë se situata në Siri mbetet e paqëndrueshme.
Aparatura për të cilën po flasim kërkon 15 punonjës për të operuar dhe ka një kapacitet 5-25 ton kimikate në ditë. Sistemi përdor procesin e hidrolizës, i neutralizon kimikatet duke i përzierë me ujë dhe me reagentë si hidroksidi i sodiumit dhe hipokloriti i sodiumit dhe pastaj përmes nxehjes i kthen ato në përbërës që nuk mund të përdoren në armatime.
Në zemër të sistemit ndodhet një reaktor titaniumi, me kapacitet 8300 litra, ku kryhen reaksionet kimike, ndërsa dhoma e punës ajroset përmes filtrave speciale për agjentet kimike. E gjithë njësia është autosuficente dhe e transportueshme. Përpara dhomës së reaksioneve ka një dhomë dekontaminimi me ajër të kondicionuar ku kalon fillimisht personeli.
Sistemi ka edhe një laborator për analizimin e gazit helmues si edhe një sistem ngrohjeje të shpejtë, për të ngrohur ujin deri në temperaturën 90 gradë, pompa, reaktorë, cisterna deri edhe gjeneratorë të energjisë elektrike.
Por, përveç faktit që ky është një sistem që do të operojë për herë të parë në shkatërrimin e armëve siriane, le të krahasojmë pak zhvillimin e procesit në vendet me të fuqishme ushtarakisht. Vetë SHBA, ashtu si edhe Rusia, e kane nënshkruar prej vitesh Konventën Kundër Armëve Kimike që u hartua në vitin 1993. Prej asaj kohe të dyja vendet kanë nisur shkatërrimin e armëve të tyre kimike, por asnjë prej dy superfuqive nuk ia ka dalë akoma. Rusia mendon se do të arrijë shkatërrimin e plotë në vitin 2027, ndërsa SHBA thotë tani se do ta përfundojë procesin në vitin 2023.
SHBA-ve u kanë mbetur 523 ton gaz sarin, vx dhe mustard, që është depozituar në Richmond, Kentaki, aty ku ndodhet një uzinë supermoderne, e quajtur Blue Grass, që ka kushtuar 2 miliardë dollarë, zë një hapësirë prej 323 km katrorë dhe do të nisë nga puna vetëm në vitin 2020. E gjitha kjo për 523 tonë gaz, gjysma e sasisë që disponon Siria.