Home Aktualitet Skandali në Kakavijë: Policia greke nuk njeh pasaportën biometrike, shteti shqiptar hesht

Skandali në Kakavijë: Policia greke nuk njeh pasaportën biometrike, shteti shqiptar hesht

608
0

Greqia vijon një praktikë anormale në raport me shqiptarët që kërkojnë të kalojnë kufirin me pasaportë biometrike. Vetëm emigrantët shqiptarë me leje qëndrimi mund të kalojnë në doganën e Kakavijës drejt Greqisë, ndërsa për të gjithë udhëtarët e tjerë shqiptarë me pasaporta biometrike mundësitë e kalimit në doganën greke thuajse nuk ekzistojnë. Policët grekë kërkojnë garancinë origjinale nga personat pritës për udhëtarët shqiptarë dhe jo të dërguar atë me faks apo postë elektronike. Ndërkaq shumë qytetarë që kishin planifikuar të udhëtonin këto ditë drejt Greqisë kanë anuluar lëvizjet për shkak të frikës se policia greke nuk lejon kalimin në doganën e saj për personat e pajisur me pasaporta biometrike.
Greqia shkel marrëveshjen
Në mungesë të një liste zyrtare të kërkesave, policia greke në Kakavijë ka kërkuar madje edhe një dëshmi penaliteti të personit pritës në Greqi, edhe ky i legalizuar në zyrat konsullore. Kjo gjë nuk rezulton të kërkohet në pikat e tjera kufitare, si për shembull në Kapshticë, ku lëvizjet kanë qenë normale. Ndërsa Kakavija është shndërruar në një ambasadë të re greke, autoritetet shqiptare po kërkojnë shpjegime si dhe përcaktimin e një liste dokumentesh zyrtare dhe unike për të gjitha pikat e kalimit kufitar. Kjo që ndodh me pikat kufitare të Greqisë është e paprecedentë pasi asnjë vend tjetër nuk ka krijuar kaq shumë burokraci për shtetasit shqiptarë. Lidhur me këtë shteti shqiptar duhet të kërkojë nga autoritet europiane që Greqia të monitorohet se si po aplikon procesin e liberalizimit të vizave pasi në shumë raste duket se ka tejkalim kompetence.
Probleme dhe në Vlorë
Në pikën e kalimit kufitar në portin e Vlorës kane kaluar drejt Italisë 47 shtetas shqiptarë pa viza vetëm me pasaportën biometrike nga 120 udhëtarë gjithsej. Sipas Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Emigracionit dhe kufirit Arben Hadarmataj, 7 prej udhëtarëve janë kthyer nga pika e kalimit kufitar në Itali pasi 5 prej tyre kanë qenë persona të padëshiruar për një kohë të përcaktuar, ndërsa dy nuk ishin pajisur me sigurimin shëndetësor në udhëtim. Sipas drejtorit Arben Hadarmataj policia kufitare i ka marrë të gjitha masat për të informuar të gjithë shtetasit të cilët do të kalojnë nga kjo pikë kufitare për kushtet që duhet të plotësojnë për të udhëtuar drejt Italisë.

Vijon lëvizja nga të gjitha pikat e kufirit
Lëvizja e lirë e qytetareve shqiptarë nga porti i Durrësit drejt vendeve të BE-së po ecën pa probleme dhe pa fluksin e pritshëm para liberalizimit të vizave. Nga ana tjetër hyrja në fuqi e vendimit për lëvizjen e lirë ka ngjallur entuziazëm edhe tek emigrantët që po kthehen në atdhe për të kaluar festat e fundvitit. Sipas burimeve nga policia kufitare me tragetet e dy netëve më parë kanë udhëtuar drejt Italisë rreth 100 pasagjerë pa viza, ndërsa nga i njëjti burim bëhet e ditur se pala italiane nuk ka refuzuar asnjërin prej tyre. Në lidhje me fluksin e lëvizjeve të qytetareve pa viza, përfaqësues të kompanive të udhëtimit shprehen se fluksi po rritet dita ditës, ndërsa për ditën e dielë është regjistruar për momentin edhe numri më i madh i prenotimeve.

Vizat, për tre ditë ikin më shumë 1200 shqiptarë
72 orët e para të liberalizimit të vizave kanë bërë që të ikin nga Shqipëria 1210 shqiptarë. Ky konfirmim vjen nga Policia e Shtetit e cila në ditën e tretë të lëvizjes së shqiptarëve pa viza, thekson se kanë kaluar me pasaportë biometrike drejt zonës Shengen njësoj si qytetarë të tjerë europianë. 25 shtete anëtare të Bashkimit Europian si dhe në 3 shtetet e tjera jo anëtare të saj, pjesë e zonës Shengen, si Zvicra, Islanda dhe Norvegjia, do të jene vendet të cilat do ti vizitojnë shtetasit shqiptarë.

Ministri i Jashtëm italian komenton liberalizimin e vizave

Fratini: Statusi, pas dialogut politik

“Liberalizimi i vizave nuk ishte dhuratë por një arritje e merituar Shqipërisë”. Me këto fjalë ministri i Jashtëm italian Franko Fratini, një ndër përkrahësit kryesorë të këtij procesi, ka pritur grupin e parë të shqiptarëve që udhëtuan pa viza në Europë. Fillimisht në Bruksel e më pas në Romë, 50 vizitorët e parë të lëvizjes së lirë, shoqëroheshin në këtë udhëtim nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Por krahas meritave, shefi i diplomacisë italiane i ka kërkuar politikës shqiptare të fillojë dialogun nëse dëshiron që përgjigja për statusin e vendit kandidat pranverën e ardhshme të jetë pozitive. “Shqipëria e meriton Statusit Kandidat dhe për këtë do të punohet edhe me presidencën e ardhshme të BE-SË. Unë do të doja që kjo të ishte para qershorit , në pjesën e parë të 2011-s. Kam folur për këtë edhe me kryeministrin Berisha dhe besoj se Shqipëria duhet vetëm që të vazhdojë me rrugën e reformave, nuk ka asnjë detyrim tjetër dhe besoj në pranverë do të kemi një përgjigje pozitive. Unë ende shpresoj që maxhoranca dhe opozita të jenë të vetëdijshme për rëndësinë e integrimit europian. Maxhoranca dhe qeveria janë të vetëdijshme por shpresoj që ashtu të jenë dhe të gjitha partitë e tjera. Të kuptojnë që çdo lloj pengese që vendosin në jetën politike është pegesë në rrugën e integrimit . Dhe kjo nuk është mirë për shqiptarët .Nuk dua që të ndërhyj në çështjet të brendshme por duke e ndjerë veten mik të vendit tuaj e shoh si detyrë që tju them se tashmë duhet që të punoni nën një frymë”, tha Franco Fratini, ministër i Jashtëm i Italisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here