Home Shendetesi 100 këshillat e fundit nga mjekët amerikanë për kurimin e sëmundjeve

100 këshillat e fundit nga mjekët amerikanë për kurimin e sëmundjeve

805
0

Shëndeti është më shumë se mungesa e sëmundjes. Por shpesh herë ne tregohemi të pavëmendshëm ndaj tij, madje edhe kur ndjejmë ndonjë shqetësim. Ndërkohë që një shqetësim sado i vogël nëse lihet pas dore më vonë mund të jetë një problem serioz për shëndetin e çdo kujt. Mënyra tradicionale e kurimit të sëmundjeve jo gjithmonë ka dhënë rezultate pozitive për një kohë të gjatë.

Për çdo sëmundje ditë pas ditësh dalin studime të reja, të cilat rekomandojnë edhe mënyra të reja trajtimesh, që falë eksperimenteve kanë rezultuar të suksesshme. Askush prej nesh nuk duhet ti “përbuz” këto njohuri, të cilat mund të jenë tepër të domosdoshme për shëndetin tonë. Sa më shumë të informuar të jemi për shëndetin dhe sëmundjet si dhe trajtimin e tyre aq më të zotë do të jemi për t’ia dal mbanë me sukses problemeve shëndetësore.

Në suplementin e sotëm”, i botuar nga revista “TIME” në SHBA ju do të njiheni pikërisht me 100 studimet e fundit të mjekëve dhe shkencëtarëve për trajtimin e shumë sëmundjeve. Por përveç trajtimeve të reja, të cilat mund ti zbatojmë vetë jashtë spitaleve me mënyrën tonë të të jetuarit dhe të ushqyerit ju do të gjeni mjaft këshilla për çdo sëmundje. Ajo që duhet të dijë secili prej nesh është se mënyra e të jetuarit dhe të ushqyerit shpesh bëhet shkak për shfaqjen e shumë sëmundjeve.

Nëse bëni një jetë të shëndetshme, zbatoni me përpikmëri rregullat më të domosdoshme për organizmin, mundësitë për të jetuar gjatë dhe pa probleme shëndetësore janë të mëdha. Pas shumë studimesh disavjeçare studiuesit nga vende të ndryshme të botës kanë mundur të nxjerrin, trajtimet e reja, sugjerimet, këshillat për çdo sëmundje. Shkencëtarët theksojnë se, të gjitha përfundimet janë shpallur si rezultat kërkimeve disavjeçare. Në këto studime janë testuar shumë njerëz dhe të kategorive dhe moshave të ndryshme. Sugjerimet që jepen këtu mund t’i zbatoni në jetën tuaj të përditshme pa asnjë dyshim, sepse ato nuk shfaqin as probleme e as efekte anësore. Mbi të gjitha ato bazohen në ligje të natyrës.

1. Zemra dhe parkingu
Vendi në të cilin e parkoni automjetin tuaj mund ta rrisë rrezikun për sëmundjet koronare të zemrës. Gjatë një studimi të realizuar në Danimarkë, nga pjesëmarrësit është kërkuar ta parkojnë automjetin e tyre sa më afër ndërtesës ku banojnë dhe ta shfrytëzojnë ashensorin për t’u ngjitur lartë. Vetëm pas dy javësh niveli i triglicerideve është ngritur për 18 për qind. Kjo ka qenë si pasojë e akumulimit të tepërt të energjisë. Nëse të ecurit shmanget nga përvoja e përditshme jetësore, atëherë do të rritet pesha trupore dhe do të grumbullohen yndyrat në gjak. Për këtë arsye automjetin duhet ta parkoni sa më larg, duhet t’i shfrytëzoni shkallët për t’u ngjitur në ndërtesë, pra duhet të ecni sa më shumë.

2. Sistemi nervor dhe trashja
Studimi i shkencëtarëve nga Universiteti i Kalifornisë sugjeron se niveli i neurotransmiterëve të serotoninës është kyç për apetitin dhe depozitimin e yndyrave në organizëm. Hulumtuesit pohojnë se sistemi nervor ka ndikim më të madh në mbipeshën sesa shprehitë e veçanta ushqyese. Serotonina në mënyrë të pavarur nga faktorët tjerë kontrollon dëshirën për ushqim, ndërsa më vonë ndikon edhe tek organizmi pas marrjes së kalorive. Në bazë të mendimit të shkencëtarëve, sistemi nervor është rregulluesi kryesor i cili me anë të mekanizmave të veçantë molekular koordinon të gjitha proceset të cilat janë në lidhshmëri me energjinë.

3. Muzika e lartë dhe dëgjimi
Të rinjtë të cilët dalin nëpër lokale të zhurmshme ose ata të cilët dëgjojnë muzikë me zë të lartë në dëgjuese, mund të kenë për pasojë dëmtimin e përhershëm të dëgjimit. Sipas një studimi australian, dy të tretat e të rinjve australianë kanë një shkallë të caktuar të humbjes së dëgjimit, ndërsa 70 për qind e të rinjve ndërmjet moshave 18 dhe 34 vjeç, kanë ushtimë apo zukatje në vesh, që mund të jenë shenja të humbjes së një shkalle të dëgjimit. Sugjerimi i ekspertëve është që muzika të dëgjohet me intensitet mesatar të zërit dhe kohëzgjatja e saj të jetë deri në një orë brenda ditës, me qëllim që të pengohet dëmtimi i dëgjimit.

4. Prindërit e vjetër-fëmijët e sëmurë
Fëmijët janë dy herë më të rrezikuar nga vdekja, në moshë fëmijërore ose në adoleshencë, nëse prindërit e tyre janë më të moshuar se 45 vjet kur vendosin të kenë fëmijë. Shkencëtarët, të cilët kanë analizuar kualitetet e spermës, besojnë se faktori kryesor është mosha e babait. Në bazë të rezultateve të një studimi të ri britanik, fëmijët të cilët i kanë prindërit më të moshuar se 45-vjeç, janë më shumë të rrezikuar nga sëmundjet e rënda dhe nga vdekja, në krahasim me ata fëmijë prindërit e të cilëve janë të moshave ndërmjet 25 dhe 30 vjet. Sipas shkencëtarëve, fëmijët të cilët i kanë prindërit e moshuar janë të prirë edhe për t’u sëmurë nga sëmundjet kongjenitale, siç janë autizmi, skizofrenia dhe epilepsia.

5. Analgjetikët mbrojnë nga sëmundja Alzheimer
Një studim i ri ka treguar se një numër barnash analgjetike dhe anti-inflamatore kanë ndikim të ngjashëm në zvogëlimin rrezikut për sëmundjen Alzheimer. Studimi i realizuar nga Universiteti amerikan, “John Hopkins”, ka zbuluar se njerëzit të cilët kanë përdorur barna jo-steroide anti-inflamatore, kanë qenë për 23 për qind më pak të rrezikuar për të zhvilluar demencën në krahasim me ata të cilët nuk i kanë përdorur këto barna. Përveç kësaj, studimi i publikuar në revistën amerikane, Neurology, ka treguar se rreziku zvogëlohet ngjashëm me përdorimin e ibuprofenit, naproxenit dhe aspirinës.

6. Vera e zezë dhe shëndeti i zemrës
Resveratroli, përbërësi kimik i verës së zezë mund t’i ndalojë ndryshimet e lidhura me plakjen te gjenet të cilat kontrollojnë funksionin e zemrës. Shkencëtarët amerikan nga Universiteti Ësconsin-Madison, besojnë se resveratroli mund t’i shërbejë mbajtjes gjenetike të zemrës së re. Rezultatet të cilat janë publikuar në revistën shkencore, PLOS One, sugjerojnë se resveratroli ka ndikim të ngjashëm me dietën e cila përmban pak kalori, dhe në këtë mënyrë mund të zgjatë jetëgjatësinë.

7. Lidhja gjenetike e skizofrenisë
Janë zbuluar gjenet të cilat kanë lidhje me rrezikun më të madh të zhvillimit të çrregullimeve psikiatrike, siç është skizofrenia, çrregullimet bipolare dhe depresioni. Shkencëtarët kanë zbuluar se “gjurmët” e skizofrenisë janë më të shpeshta në disa familje. Në këtë mënyrë, disa nga këto “gjurmë” janë vërejtur te 37 për qind e personave të cilat nuk kanë manifestime klinike të sëmundjes, ndërsa kanë lidhshmëri familjare me personat e sëmurë nga skizofrenia. Ky zbulim i gjeneve të cilët janë të pranishëm te familjarët e shëndoshë dhe të sëmurë, tregon mundësinë e trashëgimit gjenetik të çrregullimeve skizofrenike.

8. Lecitina nga soja dhe alergjia
Në industrinë ushqimore lecitinat shfrytëzohen si emulgatorë dhe stabilizatorë, ndërsa fitohen më së shumti nga soja, pastaj vezët, orizi apo nga farat e lulediellit. Duke marrë parasysh se soja konsiderohet si njëri nga ushqimet që shkakton alergji, gjithmonë ka ekzistuar pyetja nëse personat që janë alergjik në sojë duhet të mos konsumojnë edhe ushqimet tjera që përmbajnë lecitinë. Përgjigjen për këtë pyetje e ka dhënë një studim i shkencëtarëve gjermanë, në të cilin janë analizuar gjashtë lloje të lecitinës nga soja. Rezultatet kanë treguar se lecitina nga soja e pranishme edhe në produktet tjera ushqimorë, nuk është po aq e fuqishme për të shkaktuar alergji siç ndodh gjatë konsumimit të sojës, për këtë arsye rekomandohet që personat të cilët janë alergjikë në sojë, të mos i shmangin ushqimet tjera të cilat përmbajnë lecitinë.

9. Antioksidantët dhe kanceri i pankreasit
Konsumimi i ushqimit që përmban antioksidantë, në veçanti pemët dhe perimet, parandalon karcinomën e pankreasit. Efektin më të madh mbrojtës e ka treguar vitamina E, ndërsa pas saj është vitamina C dhe beta-karoteni (paravitamina A). Mirëpo, këto rezultate nuk kanë qenë të ngjashme me marrjen e preparateve të këtyre vitaminave dhe antioksidantevë, gjë që tregon se efekt mbrojtës kundër kancerit të pankreasit kanë vetëm antioksidantët e fituar nga ushqimi.

10. Me viruse kundër kancerit
Gjatë hulumtimit për barnat e reja, një grup shkencëtarësh kanë vërejtur se injektimi i disa viruseve me ndryshime gjenetike te personat me karcionmë të mëlçisë kanë efekt pozitiv. Më të rrezikuar nga karcinoma e mëlçisë janë bartësit e virusit të hepatitit B, pastaj ata me hepatit C, cirozë të mëlçisë, hematokromatozë, marrje të steroideve etj. Provat me viruse të ndryshuar gjenetikisht janë bërë te 14 të sëmurë me karcinomë të cilët nuk kanë pasur zgjidhje tjetër terapeutike. Atyre u është injektuar virusi në tumor, ku është shumuar dhe ka shkaktuar vdekjen e qelizave kanceroze, ndërsa ka vazhduar me anë të gjakut dhe limfës duke kërkuar qeliza tjera kanceroze.

11. Ecja ul shtypjen e gjakut
Shkencëtarët koreanë kanë llogaritur ndikimin e të ecurit prej 40 minutash në shtypjen e gjakut, në një studim në të cilin kanë marrë pjesë 23 meshkuj me shtypje të rritur të gjakut. Rezultatet kanë treguar se shtypja e gjakut është zvogëluar si rezultat i ecjes, ndërsa nga ky ndikim pozitiv i ecjes është rekomanduar që të ecet së paku një orë brenda ditës. Ky zbulim mund t’u ndihmojë në veçanti personave të cilët për shkak të llojit të punës nuk mund të ushtrojnë, por vazhdimisht nguten për të arritur nga një takim në tjetrin.

12. Verë kundër artritit
Pesë gota verë në javë janë të mjaftueshme për ta zvogëluar rrezikun nga zhvillimi i sëmundjes reumatike, artriti reumatik për 50 për qind. Shkencëtarët kanë zbuluar se njerëzit të cilët kanë pirë alkool me rregull kishin qenë më pak të rrezikuar për zhvillimin e sëmundjes e cila i dëmton nyjat. Hulumtimi është bazuar në 2.750 pjesëmarrës të cilët kanë dhënë informata për mënyrën e tyre të jetesës dhe kanë dhënë mostrat e gjakut për të testuar predispozitën gjenetike për artrit. Rezultatet kanë treguar se personat të cilët kishin qenë duhanpirës dhe të cilët kishin antitrupa të cilët janë shkaktarët kryesorë të kësaj sëmundje, kishin pasur dobi shumë më të madhe nga efekti mbrojtës i alkoolit.

13. Depresioni dhe stresi në punë
Sipas një studimi, një e gjashta e rasteve me depresion është pasojë e stresit në vendin e punës, ndërsa femrat përjetojnë më shumë stres në punë sesa meshkujt. Studimi është i bazuar në të dhënat e marra nga anketimi i 1.100 punëtorëve australianë. Kushtet stresuese janë definuar si kombinim i kërkesave të mëdha në punë dhe mundësive të vogla për të kontrolluar mënyrën me të cilët ato kërkojnë të plotësohen. Të dhënat kanë treguar se përmirësimi i kontrollimit të punës, kategorizimin e kërkesave dhe mbështetjen më të mirë nga drejtuesit dhe vetë punëtorët ndaj njëri-tjetrit, do të ketë ndikim më të mirë në zvogëlimin e këtij stresi i cili ndikon në shfaqjen e depresionit.

14. Prerja Cezariane e sigurt
Femrat të cilat kanë lindur një fëmijë me prerje Cezariane nuk janë më shumë të rrezikuara për vdekjen e fëmijës tjetër në shtatzëninë e ardhshme. Ky zbulim i ri është në kundërshtim me një studim të mëparshëm, i cili e kishte lidhur prerjen Cezariane me vdekjen e fëmijës së ardhshëm. Hulumtuesit, kanë thënë se studimi i mëparshëm nuk e ka marrë në konsideratë peshën e nënës e cila ka ndikim edhe në prerjen Cezariane edhe në shtatzëninë e ardhshme. Studimi i ri është bazuar në rreth 160.000 femra të cilat kanë lindur me prerje Cezariane, të cilat pastaj janë përcjellë edhe në shtatzënitë e ardhshme duke pasur parasysh të gjithë faktorët tjerë të cilët mund të kenë ndikim në shëndetin e fetusit, diabeti i nënës, pirja e duhanit gjatë shtatzënisë, pesha e nënës dhe hipertensioni.

15. Mango dhe hipovitaminoza A
Mungesa e vitaminës A është një problem i madh në Afrikë, sidomos te fëmijët nën moshën pesëvjeçare. Zgjidhja e mundshme është përdorimi i sasive të mëdha të mangos, të cilat thahen nga rrezet e diellit pas pjekjes. Mango përmban sasi të madhe të karotenoideve, provitamine të vitaminës A, ndërsa supozohet se në Afrikën perëndimore gjatë një viti bien 100.000 tonelata mango. Shkencëtarët me anë të energjisë diellore kanë tharë katër tonelata mango nga të cilat kanë fituar 360 kg mango me 10 për qindlagështi. Në 100 g pemë të thata ka pasur 4.000 ?g beta karotine.

16. Kremi i ri për psoriazën
Administrata amerikane për ushqim dhe barna e ka miratuar përdorimin e kremit të parë lëkuror i cili kombinon dy terapi të njohura për mjekimin e psoriazës, ndërsa përdoret vetëm njëherë në ditë. Psoriaza është sëmundje kronike e lëkurës që karakterizohet me ndryshime të skuqura të lëkurës të cilat luspohen dhe kruhen. Taclonex, kombinon dy forma të mjekimit të psoriazës: kortikosteroide për mjekimin e inflamacionit dhe një formë të vitaminës D e cila kontrollon rritjen e shpejtë të qelizave. Taclonex është zbuluar në Danimarkë në vitin 2001 dhe është përdorur në 63 shtete me emrin Dovobet dhe Daivobet, ndërsa tani pritet shitja e tij edhe në SHBA.

17. Kafeja parandalon karcinomën e lëkurës
Rreziku për tumorin më të shpeshtë te gratë amerikane pas menopauzës mund të zvogëlohet duke pirë kafe, megjithatë këtu nuk përfshihet melanoma malinje. Në Universitetin Shtetëror Ëayne të Detroitit është studiuar ndikimi i pirjes së kafesë në karcinomën e lëkurës në mbi 77.000 femra të moshuara. Hulumtimi është bërë në një afat të gjatë kohor duke filluar nga viti 1990. Ndërsa janë marrë parasysh të gjithë shkaktarët tjerë të mundshëm të karcinomës, siç janë duhani, alkooli, mosha, BMI dhe ndikimi i ambientit dhe rrezeve të diellit. Pas këtyre analizave, shkencëtarët kanë zbuluar se secili filxhan me kafe në ditë është i lidhur me 5 për qind të zvogëlimit të paraqitjes së karcinomës së lëkurës. Femrat të cilat kanë pirë gjashtë filxhanë me kafe në ditë kanë qenë për 30 për qind më pak të rrezikuara për karcinomë të lëkurës në krahasim me fermat tjera.

18. Ushqimet për të lindur djalë
Një studim i ri britanik ka dhënë rezultate befasuese të cilat tregojnë lidhjen e ushqimit me gjininë e foshnjës. Ushqimet e pasura me kalium, siç janë bananet, vaktet e rregullta dhe ngrënia e mëngjesit për çdo ditë me rregull, rrit mundësinë që foshnja juaj të jetë djalë. Rezultatet e këtij studimi, në të cilin janë përfshirë 700 shtatzëna, kanë vërtetuar njohuritë e mëparshme se embrioni mashkull nuk mund të mbijetojë nëse ka mungesë të glukozës, derisa mos ngrënia e rregullt e ushqimit rezulton me rënien e sasisë së glukozës në gjak. Edhe pse ky studim është vërtet interesant, megjithatë nuk do të thotë se nëse dëshironi vajzë të mos hani fare, ose nëse dëshironi djalë të hani vazhdimisht.

19. Beta-karoteni mbron nga “djegia”
Preparatet me beta-karotene mbrojnë nga djegia prej rrezeve të diellit edhe atë aq më gjatë, sa më i gjatë të jetë veprimi i preparatit. Mekanizmi i saktë i veprimit nuk është i njohur, mirëpo supozohet se për efektin mbrojtës të tyre është përgjegjëse vetia antioksidante e beta-karoteneve. Autorët e këtij studimi njoftojnë se është e nevojshme të merren së paku dhjetë javë këto preparate, me qëllim që të plotësohet efekti mbrojtës. Megjithatë efekti i tyre në asnjë mënyrë nuk mund t’i zëvendësojë kremrat e rrezitjes.

20. Vajzat dhe dobitë nga gjiri
Shkencëtarët amerikanë kanë zbuluar se foshnjat femra të cilat kanë pirë gji janë më pak të rrezikuara për t’u sëmurë nga infeksionet respiratore gjatë vitit të parë të jetesës, në krahasim me foshnjat meshkuj të cilët po ashtu kanë pirë gji. Sipas studimit, vetëm 6 për qind e foshnjave femra të cilat janë ushqyer me gji është dashur të hospitalizohen për shkak të infeksionit, në krahasim me 50 për qind të foshnjave femra të cilat kanë konsumuar ushqim artificial. Ndërsa, 18 për qind e djemve të cilët janë ushqyer me gji dhe ata të cilët kanë marrë ushqim artificial, është dashur të shkojnë në spital për shkak të infeksioneve të rënda respiratore.

21. Tymosja e marihuanës dhe truri
Kënaqësia shumëvjeçare me marihuanë mund të nxis zvogëlimin e pjesëve të rëndësishme të trurit deri në 12 për qind, kanë publikuar shkencëtarët australianë. Incizimet e detajuara të trurit tek 15 të anketuar, të cilët gjatë 20 viteve kanë konsumuar së paku pesë cigare marihuanë në ditë, kanë dëshmuar se hipokampusi i tyre është më i vogël për 12 për qind, derisa amigdala për shtatë për qind, krahasuar me 16 personat në grupin testues, të cilët nuk kanë konsumuar marihuanë. Hipokampusi rregullon memorien dhe emocionet derisa amigdala luan rol në menaxhimin e frikës dhe agresionit. Ata të cilët kanë konsumuar marihuanën kanë kaluar keq edhe në testet e memories, ku u është kërkuar të mbajnë mend një listë prej 15 fjalësh.

22. Parandalimi i osteporozës
Shumë herët është thënë se fëmijët duhet të pinë qumësht për eshtra dhe dhëmbë të shëndoshë. Mirëpo, një studim i ri ka treguar edhe një përparësi shkencore: pirja e qumështit në fëmijëri zvogëlon rrezikun për osteoporozë në jetën e mëvonshme. Shkencëtarët kanë përcjellë shprehitë ushqyese të 12.500 femrave jo shtatzëna. Pas shtatzënisë së një numri prej tyre (rreth 3.000), ka vazhduar përcjellja e statusit ushqyes së tyre dhe fëmijëve të tyre, pas lindjes. Rezultatet kanë treguar se fëmijët të cilët kanë konsumuar më së shumti qumësht gjatë fëmijërisë i kanë pasur eshtrat më të dendur, për këtë arsye shkencëtarët mendojnë se këta fëmijë janë më pak të rrezikuar që në moshën madhore të zhvillojnë sëmundjen e eshtrave, të njohur si osteoporozë.

23. Dieta mediterane e shëndetshme
Hulumtimet e mëhershme kanë pohuar se ushqimi tradicional mediteran i pasur me vaj ulliri, drithëra, pemë, perime, peshq, arra, bajame, lajthi, etj., ndërsa i varfër me ushqime të mishit, mbron nga sëmundjet kardiovaskulare. Mirëpo, tani shkencëtarët spanjollë kanë pohuar se e njëjta gjë ndikon pozitivisht edhe në parandalimin e diabetit tip 2. Gjatë një periudhe tetëvjeçare, studiuesit kanë përcjellë shprehitë ushqyese të 13.000 pjesëmarrësve në studim. Rezultatet kanë treguar se rreziku për zhvillimin e diabetit tip 2 është zvogëluar për 83% te pjesëmarrësit të cilët në shprehitë e tyre ushqyese kanë inkorporuar dietën tradicionale mediterane.

24. Mësimi i gjuhëve të huaja
Flisni vetëm shqip? Gjasat që truri juaj të mbetet i kthjellët edhe në pleqëri, nuk janë shumë të kënaqshme. Njerëzit të cilët flasin dy gjuhë në moshë të shtyrë, mund ta ruajnë më gjatë mendjen e mprehtë. Testimet kanë treguar se personat që kanë folur dy gjuhë kanë reaguar më shpejt se ata që kanë folur një gjuhë. Sipas studimit, njerëzit që flasin dy gjuhë, gjithmonë mund të zgjedhin se me cilën gjuhë do të shërbehen, ashtu që në komunikimin e përditshëm truri i tyre duhet të vendosë se me cilën gjuhë do t’i drejtohen bashkëbiseduesit, që që e lehtëson të menduarit. Kjo gjimnastikë trunore, shfrytëzon trurin dhe parandalon ngadalësimin e proceseve të lidhura me planifikimin dhe koncentrimin, që është shumë e shpeshtë në moshë të madhe.

25. Ndarja dhemb vetëm dy muaj e gjysmë
Një hulumtim i realizuar nga Universiteti i Northwesternit ka treguar se dalja nga një lidhje romantike shërohet shumë më shpejt se që është menduar. Ekspertët i kanë përcjellë studentët të cilët kanë qenë në lidhje së paku dy muaj, dhe pas ndarjes ata i kanë pyetur se si i parashikojnë javët e ardhshme. Shumica prej tyre kanë pohuar se do të vuajnë disa muaj. Më së keqi janë ndier ata të cilët janë braktisur dhe ata të cilët kanë qenë shumë të dashuruar. Megjithatë të gjithëve u është dashur një kohë e barabartë për t’u shëruar plotësisht nga zemra e thyer, mesatarisht dhjetë javë, dyfish më shkurtë nga sa ata vetë kanë pritur.

26. Qumështi natyror është më i mirë
Qumështi i lopëve, të cilat rriten në fermat organike, është më i shëndetshëm. Një grup studiuesish kanë zbuluar se lopët të cilat kullotin kullosën e freskët dhe tërfilin, japin qumështin me kualitete më të mira, i cili përmban më shumë acide yndyrore të nevojshme, antioksidantë dhe vitamina, në krahasim me lopët të cilat ruhen në fermat konvencionale. Hulumtimet kanë treguar se në qumështin e lopëve të cilat kullotin jashtë, gjendet i pranishëm një acid shumë i nevojshëm yndyror, acidi linolinik (CLA9) me përqendrim prej 60 për qind.

27. Sëmundjet reumatike mjekohen vonë
Ekspertët kanë njoftuar se personat me sëmundje reumatike zakonisht e fillojnë mjekimin shumë vonë, ndërsa nganjëherë kjo është arsye e mos njohjes së sëmundjes. Personat me ënjtje të dhimbshme të njërës ose disa nyjave, duhet ta vizitojnë reumatologun në afat kohor prej gjashtë javësh nga paraqitja e simptomave. Po i njëjti rekomandim i kushtohet edhe atyre të cilët kanë nyje të shtangura për së paku gjysmë ore pas zgjimit nga gjumi në mëngjes. Sipas rezultateve të disa hulumtimeve të fundit, vetëm 64 për qind e pacientëve të sëmurë nga artriti reumatoid mjekohen në mënyrë të rregullt, ndërsa pjesa tjetër nuk i përcjellin rekomandimet mjekësore dhe nuk e përdorin terapinë më rregull.

28. Vaji i ullirit dhe sëmundjet e zemrës
Vaji i papërpunuar i ullirit shërben si mjekim shtesë për sëmundjet të zemrës. Gjatë një studimi, pacientëve me sëmundje të qëndrueshme të zemrës iu kanë dhënë nga 0.5 dl vaj ulliri për dy ditë. Njëri grup i pacientëve kanë marrë vaj ulliri natyral, ndërsa tjetri vaj të rafineruar, duke pasur parasysh se vaji i papërpunuar ka më shumë fenole, të cilët janë antioksidantë të fuqishëm. Rezultatet kanë treguar se vaji natyral i ullirit ka vepruar si anti-inflamator, dhe për pasojë, nivelet e IL-6 dhe proteinës C reaktive kanë qenë të ulëta. Kjo ka qenë arsyeja që autorët e këtij studimi e rekomandojnë vajin e papërpunuar të ullirit për sëmundjet inflamatore dhe autoimune të zemrës.

29. Ushtrimet në punë
Instituti për Shëndetësi i Qeverisë Britanike (NICE) ka pohuar se punëdhënësit duhet ta përmirësojnë shëndetin e të punësuarve duke i inkurajuar ata të jenë fizikisht aktivë. Sipas NICE, punëdhënësit duhet të kërkojnë nga punëtorët e tyre që të vijnë në këmbë ose me biçikletë në punë, në vend se me autobus. Tjera rekomandime të NICE janë nxjerrjet e pllakateve nëpër mure të vendit të punës ku do të ketë udhëzime të shfrytëzimit të shkallëve në vend të ashensorëve. Sipas NICE, punëtorët të cilët janë më aktivë, kanë më pak probleme shëndetësore, më rrallë e shfrytëzojnë pushimin mjekësor dhe kanë më pak aksidente në punë.

30. Shkaktarët e akneve te femrat
Aknet paraqiten kur gjëndrat dhjamore të lëkurës prodhojnë më tepër substanca yndyrore të quajtura sebum. Sebumi mund t’i mbyll poret në lëkurë duke shkaktuar kështu rritjen dhe shumimin e baktereve, të cilat shkaktojnë ndryshime në lëkurë. Paraqitjen e akneve mund ta nxisin shkaktarë të ndryshëm. Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humane ka dhënë listën e nxitësve të mundshëm: Ndryshimet hormonale gjatë pubertetit ose gjatë ciklit menstrual; Ndryshimet në statusin hormonal të shkaktuar nga terapia zëvendësuese hormonale me kontraceptivë ose nga menopauza; Disa barna, përfshirë ata të cilët nxisin epilepsi dhe depresion; Makijazhi; Shtypjet e ndryshme apo ndrydhjet e lëkurës; Prirja familjare për akne.

31. Gjysmë ore kundër kancerit
Vetëm gjysmë ore në ditë ushtrime u nevojiten meshkujve për ta zvogëluar rrezikun e vdekjes nga kanceri. Mënyra e shëndetshme jetësore, e cila përfshin ushtrimet e rregullta, ndihmon në parandalimin e së paku gjysmës së të gjitha formave të kancerit. Hulumtimi i ri jep fakte konkrete të cilat tregojnë se meshkujt të cilët ushtrojnë në mënyrë të rregullt, kanë mundësinë më të vogël për të vdekur nga kanceri, por edhe nëse e fitojnë sëmundjen, mbijetesa te ata është më e gjatë. Ekspertët kanë analizuar 40.700 meshkuj dhe kanë zbuluar se gjysmë ore ecje ose ngasje të biçikletës në ditë, e rrit mbijetesën nga kanceri për 33 për qind.

32. Fëmijët dhe vitamina D
Fëmijët kanë nevoja ditore prej 2.000 IU (njësi ndërkombëtare) të vitaminës D, që është dhjetë herë më shumë sesa sasia e rekomanduar prej 200 IU. Shkencëtarët kanë zhvilluar dy studime: një studim të gjatë dhe një të shkurtër, te fëmijët e moshave, ndërmjet 10 dhe 17 vjet. Në studimin e shkurtër kanë marrë pjesë 25 nxënës të cilët gjatë tetë javëve kanë marrë nga 2.000 IU vitaminë D në ditë. Ndërsa në studimin e gjatë kanë marrë pjesë 340 nxënës të cilët po ashtu kanë marrë nga 2.000 IU vitaminë D në ditë, mirëpo në një periudhë prej një viti. Rezultatet kanë treguar se të gjithë fëmijët të cilët kanë marrë nga 2.000 IU vitaminë D në ditë, kanë arritur vlerën optimale të nevojshme për shëndetin e mirë të eshtrave dhe të gjithë organizmit.

33. Shopingu dhe disponimi i mirë
Psikologët kanë vërtetuar se në momentet kur jemi të frikësuar, sidomos personat të cilët i mundon kompleksi se nuk janë të rëndësishëm, jemi të prirë që ngushëllimin ta gjejmë në ushqim të ëmbël apo në shoping. Në një studim, të anketuarve u është ofruar të shkruajnë nga një ese në lidhje me vdekjen ose shkuarjen te stomatologu. Rezultatet kanë treguar se të anketuarit më nivel më të ulët vetëbesimi kanë ngrënë më shumë biskota gjatë këtij procesi, ndërsa kanë blerë edhe më shumë gjëra në këtë kohë. Shkencëtarët besojnë se personat me më pak vetëbesim konsumojnë më shumë ushqim ose dalin më shpesh në shoping, dhe në këtë mënyrë dëshirojnë t’i ikin ballafaqimit me atë që nuk pëlqejnë dhe që ia kanë frikën.

34. Mbipesha u falet më lehtë meshkujve
Rritja mesatare e peshës trupore rezulton me diskriminim shoqëror ndaj femrave, mirëpo jo edhe ndaj meshkujve. Vlerat e dëshirueshme të indeksit të masës trupore (BMI) janë ndërmjet 18.5-25 kg/m2 (vlera optimale është 22 kg/m2). Një hulumtim nga Universiteti i Yale ka treguar se femrat me BMI nga 27 kg/m2 e më lartë janë të diskriminuara në punë ose kanë probleme në raportet me rrethin. Ndërsa meshkujve u ndodh e njëjta gjë kur e kanë indeksin e peshës trupore nga 35 kg/m2 e lartë. Autorët e studimit kanë zbuluar se diskriminimi për shkak të peshës trupore është shumë më i shpeshtë sesa diskriminimi gjinor.

35. Dëmet e duhanit mes grave
Lënia e duhanit mund të shpëtojë jetën e shumë njerëzve. Një studim i kryer mes grave që pijnë duhan tregon se lënia e tij pakëson dukshëm rrezikun e prekjes nga sëmundje vdekjeprurëse brenda 5 vjetëve të ardhshëm. Studimi tregoi se 20 vjet pas lënies së duhanit rreziku i vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare pakësohej edhe më shumë. Sipas studimit, kur organizmi pastrohet nga karcinogjenet që hyjnë në trup nëpërmjet tymit të cigares, organizmi është në gjendje të riparojë veten. Liz Rajlly, e cila e la duhanin në vitin 2002, thotë se pas kaq shumë vjetësh është në gjendje të marrë frymë lirisht. Tani ajo këshillon gratë e tjera që të lënë duhanin.

36. Vaksinimi jo i rregull dhe sëmundjet
Lija, shytat, kolla e mirë; këto sëmundje dikur të rënda e ndonjëherë vdekjeprurëse tashmë janë një kujtesë për fëmijët e sotëm. Por këto sëmundjet ngjitëse po kthehen përsëri dhe fëmijët janë më të pambrojtur sesa mendohej ndaj sëmundjeve të tilla. Në këto përfundime arrin një studim i kryer nga Qëndra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve. Studimet tregojnë se edhe një ndryshim i vogël në dozen e vaksinës mund të ketë ndikim të madh. Për shembull, fëmijët që shmangin një doze të vaksinës së poliomenitit shpesh nuk kanë imunitet ndaj kësaj sëmundjeje. Ekspertët thonë se prindërit duhet të sigurojnë që fëmijët e tyre t’u nënshtrohen vaksinimit të plotë dhe në kohë, sepse edhe mosbërja në kohë e vaksinës, është njësoj si mosvaksinim.

37. Vegjetarianët e rinj
Ushqimi vegjetarian ose ushqimi i cili anon nga vegjetarianizmi, ofron parametra më të mirë për shëndetin kardiovaskular. Megjithatë, për shkak të shmangies së ushqimeve me prejardhje shtazore, adoleshentët kanë pasur sasi të ulët të vitaminës B12 në gjak. Edhe studimet tjera kanë treguar se adoleshentët vegjetarianë kanë ushqim më të rregullt në krahasim me jo-vegjetarianët. Mirëpo, është mirë të dihen arsyen e kalimit në ushqim vegjetarian, sepse adoleshentet nga njëherë me anë të vegjetarianizmit i fshehin çrregullimet e ushqyerjes.

38. Humbja në peshë dhe dobësimi i eshtrave
Humbja në peshë rezulton edhe me dobësimin e eshtrave për shkak të zvogëlimit të ngarkesës. Acidet omega-3-yndyrore kanë ndikim pozitiv në indin eshtëror. Shkencëtarët kanë bërë një eksperiment i cili për bazë e ka pasur çështjen, nëse preparatet shtesë të acideve omega-3-yndyrore gjatë fazës së dobësimit mund ta parandalojnë humbjen e masës eshtërore. Disa vullnetarë me mbipeshë, brenda tetë javësh e kanë zvogëluar marrjen e energjisë në 30 për qind, ndërsa kjo ka rezultuar me humbjen e peshës trupore për 5 për qind. Gjatë kësaj periudhe të dobësimit, ata kanë marrë kapsula me vaj peshku ose ushqim peshku (losos) disa herë në javë, të cilët kanë qenë të pasur me acide omega-3-yndyrore. Rezultatet kanë treguar se preparatet shtesë të acideve omega-3-yndyrore nuk kanë arritur t’i ndalojnë ndryshimet e pritura në metabolizmin e indit eshtëror.

39. Kakao për diabetikët
Një filxhan kakao e pasuruar me sasi shtesë të antioksidantëve mund ta përmirësojë funksionimin e enëve të gjakut te personat me diabet. Studimi i fundit ka treguar se konsumimi ditor i tre filxhanëve me lloje të kakaos të cilat përmbajnë sasi më të madhe të antioksidantit flavanol, mund ta kthejë funksionin normal të enëve të gjakut për vetëm një muaj. Flavanolet, janë antioksidantë të pranishëm në disa pemë dhe perime, çajin e gjelbër dhe verë, ndërsa shkencëtarët besojnë se ndikimi i tyre në sistemit vaskular bazohet në lidhjen e tyre me oksidin e azotit, lidhje kimike e cila është e rëndësishme për zgjerimin dhe ngushtimin e enëve të gjakut.

40. Me ushqim parandalohet karcinoma e prostatës
Zvogëlimi i marrjes së yndyrave të pangopura, të cilat janë të pranishme në ushqimin e pjekur dhe të fërguar, mund ta ndalojë zhvillimin e kancerit të prostatës. Rezultatet e studimit, të cilat janë realizuar në minj, janë bazuar në përcjelljen e ndikimit të acideve omega-3-yndyrore, përbërësit e zakonshëm të ushqimit te perëndimorët. Të dhënat nga studimi kanë treguar se dieta e veçantë me zvogëlimin e pjesëmarrjes së këtyre yndyrave, është e lidhur më zvogëlimin e rrezikut (27 për qind) për kancer të prostatës. Po ashtu, është vërtetuar se zvogëlimi i konsumimit të acideve omega-6-yndyrore, zvogëlon transformimin e qelizave prekanceroze në qeliza kanceroze të prostatës.

41. Rrushi i mirë për zemrën
Fibrat ushqyese që janë të pranishme në rrushin e zi zvogëlojnë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, edhe atë shumë më tepër sesa burimet tjera të fibrave ushqyese. Në studim janë përfshirë 21 pjesëmarrës me nivele normale të kolesterolit dhe 13 pjesëmarrës me nivel të rritur të kolesterolit, të cilët kanë marrë fibra ushqyes shtesë nga rrushi. Pas 16 javësh të marrjes nga 7.5 gramë në ditë të fibrave ushqyes nga rrushi, niveli i përgjithshëm i kolesterolit dhe LDL-kolesterolit në mënyrë të dukshme është zvogëluar, edhe atë më së shumti në grupin e pjesëmarrësve në studim të cilët në fillim të studimit kishin pasur nivel të rritur të kolesterolit.

42. Inflamacioni i mishit të dhëmbëve
Sëmundje e dhëmbëve ose inflamacionet e mishit të dhëmbëve te duhanpirësit dhe joduhanpirësit, mund të konsiderohen si paralajmërim, ose të tregojnë një rrezik të shtuar për mundësinë e zhvillimit të kancerit të mushkërive, veshkave, pankreasit ose gjakut. Shkencëtarët anglezë, mendojnë se dobësimi i sistemit imunitar mund të shkaktojë të dy llojet e sëmundjeve, ndezjen e mishit të dhëmbëve dhe zhvillimin e karcinomave. Për këtë arsye shoqata e stomatologëve britanikë u ka rekomanduar pacientëve që të bëjnë kontrollime të rregullta të dhëmbëve të tyre.

43. Aknet nikotinike
Përveç efekteve tjera negative, siç janë rrudhat dhe lëkura pa shndritje, cigaret mund të shkaktojnë edhe paraqitjen e akneve. Përbërësit toksik të cilët janë të pranishëm në duhan nxisin rënien e keratinës nga lëkura, mbylljen e poreve dhe formimin e tenit problematik. Një grup studiuesish nga instituti dermatologjik, San Gallicano, në Romë, kanë analizuar 100 femra të moshave ndërmjet 25 dhe 50-vjeçare. Ata kanë ardhur në përfundim se aknet standarde, miteseret dhe cistet, në fytyrë dhe kokë, janë tetë herë më të shpeshta te duhanpirëset (38 për qind), në krahasim me femrat që nuk e pinë duhanin, ku paraqiten vetëm në 4.6 për qind të rasteve.

44. Dëshironi trup për bikini?
Jeni në panik? Mos u shqetësoni se ka ilaç! Për shembull patinat rrotulluese, pasi që i forcojnë muskujt e barkut, këmbët dhe prapanicën. Ata që dëshirojnë një lloj më të qetë sporti, le të provojnë me ecjen e shpejtë, meqenëse ecja e shpejtë është “shkrirësi” më i mirë i yndyrave dhe shpenzuesi më i madh i kalorive. Sipas një studimi më të ri amerikan, vetëm në këtë mënyrë mund të dobësoheni dhe t’i forconi muskujt, dhe njëkohësisht të mbeteni të shëndetshëm. Janë të mjaftueshme vetëm 30 minuta në ditë për të realizuar këto ushtrime. Të mira dhe të dëshirueshme janë edhe ushtrimet të cilat i forcojnë muskujt e qafës dhe në këtë mënyrë mund ta shmangni dhimbjen e kokës.

45. Mëlçia dhe vera
Shkencëtarët amerikanë, të cilët kanë analizuar rreth 12.000 pjesëmarrës vullnetarë në një studim të ri, kanë zbuluar se pirja e një gote vere në ditë jo vetëm se e mbron mëlçinë, por edhe zvogëlon rrezikun nga mëlçia yndyrore joalkoolike. Mëlçia yndyre joalkoolike është njëra nga sëmundjet më të shpeshta në SHBA. Faktorët e rrezikut për zhvillimin e kësaj sëmundje janë mbipesha, diabeti dhe shtypja e rritur arteriale. Meqenëse për ndikimin pozitiv në mëlçi është vërtetuar vetëm për verën, dhe jo për pijet tjera alkoolike, mbetet të shihet nëse për këtë ndikim të dobishëm janë përgjegjës përbërësit alkoolik ose joalkoolik të verës.

46. Vitamina D dhe depresioni
Personat e moshuar me nivele të ulëta të vitaminës D dhe nivel të lartë të hormonit të paratiroidesë, janë të rrezikuar nga zhvillimi i depresionit. Nga studimi, është zbuluar se personat me depresion kishin për 14 për qind nivel më të ulët të vitaminës D në krahasim me vlerat normale. Te individët me depresion më të lehtë, niveli i hormonit të paratiroidesë ishte më i lartë për 5 për qind, ndërsa te ata me depresion serioz, nivelet e këtij hormoni ishin 33 për qind më të larta në krahasim me vlerat te personat normalë. Duke pasur parasysh se edhe niveli i ulët i vitaminës D edhe niveli i lartë i hormonit të paratiroidesë, mund të mjekohen me marrjen e sasive të mëdha të vitaminës D, kalciumit dhe rrezitjes në diell, ky studim mund t’u shërbejë personave të moshuar të cilët natyrshëm kanë një depresion të caktuar duke iu mundësuar përmirësimin e gjendjes së tyre depresive.

47. Drunjtë parandalojnë astmën
Fëmijët të cilët jetojnë në vende ku ka drunj do të sëmuren më pak nga astma. Shkencëtarët, kanë llogaritur se nëse në një sipërfaqe prej një kilometër katrorë ka 343 drunj, atëherë rreziku i fëmijëve (të moshave ndërmjet katër dhe pesë vjet) për të fituar astmën, është më i vogël për 25 për qind. Sipas këtij mendimi, drunjtë ndikojnë pozitivisht në kualitetin e ajrit dhe njëkohësisht i nxisin fëmijët për aktivitet fizik. Vetëm në SHBA, ndërmjet viteve 1980 dhe 2000, numri i fëmijëve me astmë është dyfishuar, sidomos në vendet urbane. Ndërsa në Neë York astma është shkaktari kryesor i shtrirjes së fëmijëve nën moshën 15-vjeçare në spital.

48. Botox për djersitjen e tepërt
Kushdo që djersitet më shumë se sa është nevojshme që organizmi ta rregullojë temperaturën trupore, konsiderohet si djersitje jashtë mase, thonë ekspertët. Botox, i cili është menduar të jetë një trajtim për rrudhat, e ka “revolucionarizuar” terapinë për djersitje pasi që është aq efektiv dhe mund të mjekojë cilëndo pjesë të trupit. Madje edhe njerëzit të cilët nuk vuajnë nga hiperhidroza e shfrytëzojnë Botox-in në mënyrë kozmetike. Botox është vetëm trajtim i përkohshëm lokal, ndërsa është mirë që të përdoren edhe injeksionet Botox, të cilat duhet të përsëriten së paku një herë në gjashtë muaj. Trajtimet tjera të cilat janë në dispozicion për trajtimin e hiperhidrozës janë deodorantët specialë.

49. Alkooli në shtatzëni
Ekspertët i kanë këshilluar femrat të mos pinë alkool në tre muajt e parë të shtatzënisë. Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme se pirja e alkoolit mund të shkaktojë probleme në zhvillimin e fëmijës së tyre, më shumë se gjysma e grave shtatzëna britanike vazhdojnë të pinë alkool gjatë shtatzënisë. Statistikat e fundit kanë treguar se 55 për qind e grave shtatzëna pinë alkool gjatë shtatzënisë, ndërsa sipas këtij studimi, nënat më të moshuara shtatzëna janë të prira më tepër për të pirë alkool gjatë periudhës së shtatzënisë. Ekspertët, kanë kërkuar nga nënat në pritje që të mos pinë alkool, sidomos në tre muajt e parë të shtatzënisë, ndërsa pas kësaj periudhe femrat shtatzëna nuk duhet të pinë më shumë se dy gota të vogla verë.

50. Detergjentët biologjikë nuk japin alergji
Pluhurat biologjikë për pastrimin e teshave nuk i përkeqësojnë ekzemat, kanë shpjeguar mjekët. Shkencëtarët kanë vërtetuar se është gabim botëkuptimi se detergjentet të cilët nxisin rritjen e enzimave janë të dëmshëm për lëkurën. Ata i kanë këshilluar mjekët të mos përqendrohen në detergjentet e teshave si nxitës të mundshëm të ekzemave, ekzantemave dhe kruarjes, porse të kërkojnë shkaktarë tjerë të këtyre ndryshimeve në lëkurë, pasi që ekzistojnë fakte bindëse të cilat tregojnë se pluhurat biologjikë të larjes së teshave nuk i përkeqësojnë sëmundjet e lëkurës. Studimi i ri ka vërtetuar sigurinë e përdorimit të detergjenteve biologjikë, duke treguar se ato nuk janë dëmtues të lëkurës dhe nuk shkaktojnë alergji.

51. Demenca frika më e madhe
Frika më e madhe e personave me moshë mbi 55-vjeçare është mundësia e humbjes së mendjes, e cila konsiderohet më e keqe sesa sëmurja nga kanceri. Një analizë ka treguar se personat me moshë mbi 55-vjeç, janë shumë më të rrezikuar për t’u çmendur sesa për të fituar kancer. Ky studim ka treguar se një në katër veta në popullatën e përgjithshme janë shumë më të brengosur nga mundësia për zhvillimin e demencës sesa ndonjë sëmundje tjetër. Kanceri është frika e dytë e personave të cilët kalojnë moshën 55-vjeçare, derisa demenca kryeson listën e sëmundjeve prej të cilave personat mbi këtë moshë kanë frikë se do të mund të sëmuren.

52. Pirsingu dhe komplikimet stomatologjike
Pirsingu nëpër trup, në veçanti në buzë dhe gjuhë, mund të shkaktojë komplikime të rënda stomatologjike. Studimi, i cili është realizuar në 400 pacientë me moshë mesatare 20 vjet, ka treguar se çdo i katërti person me pirsing në gjuhë ose buzë ka simptoma, siç është gjakderdhja nga mishi i dhëmbëve. Nga analizat është vërejtur se 13.9 për qind e të analizuarve kanë pasur një dhëmb të thyer ose komplikime tjera. Të dhënat nga ky studim këshillojnë stomatologët të cilët bëjnë pirsing oral, t’u shpjegojnë mirë klientëve të tyre për pasojat dhe rreziqet shëndetësore.

53. Rozmarina parandalon kancerin
Shkencëtarët kanë zbuluar se duke i shtuar rozmarinë mishit të përgatitur zvogëlohen veçoritë të cilat nxisin kancerin. Rozmarina zakonisht i shtohet mishit për aromën e saj, ndërsa tani ekziston një arsye tjetër shumë më e rëndësishme, parandalimi i kancerit. Shkencëtarët duke ia shtuar këtë bimë hamburgerëve kanë vërejtur se janë zbërthyer përbërësit potencial të cilët mund të shkaktojnë kancer (aminet heterociklike), të cilët formohen gjatë përgatitjes së mishit. Prania e amineve heterociklike është problem i veçantë në mishin e përgatitur në temperatura të larta për një kohë më të gjatë.

54. Hormoni i dashurisë nxit besueshmëri
Personat të cilët e thithin hormonin e dashurisë, oksitocinë, kanë besim më të madh te njerëzit tjerë. Në këtë mënyrë jo vetëm që mund të ruhet shoqëria dhe lidhja, por mund t’u ndihmohet edhe njerëzve të cilët vuajnë nga llojet e ndryshme të fobive sociale. Oksitocina, i njohur si hormoni i afërsisë, prodhohet nga organizmi dhe nxit ndjenjat romantike. Deri më tani është treguar se luan një rol të rëndësishëm në raportet ndërmjet njerëzve dhe në krijimin e lidhjes ndërmjet nënës dhe fëmijës. Po ashtu nxit shoqërimin më aktiv, por siç duket edhe orgazmat janë më të shpeshta nën ndikimin e këtij hormoni. Pjesëmarrësit në studim të cilët kishin thithur oksitocinën, kishin mbetur më besnikë.

55. Pilulat HRT e dyfishojnë rrezikun për ngjizje të gjakut
Shkencëtarët kanë zbuluar se fashat HRT nuk e rrisin rrezikun për koagulim të gjakut, ndërsa pilulat HRT e dyfishojnë atë. Sipas një studimi, femrat të cilat marrin pilula HRT (terapi zëvendësuese hormonale) mund ta dyfishojnë rrezikun për të zhvilluar trombë në gjak. Përkundër kësaj, nëse kjo terapi zbatohet nëpërmjet fashave në lëkurë, nuk e shkakton këtë rrezik. Edhe më parë ka qenë e njohur se terapia hormonale e rrit rrezikun për të zhvilluar trombozë venoze, një formë e mpiksjeve të gjakut të cilat mund të udhëtojnë deri në mushkëri ku mund të japin komplikime vdekjeprurëse. Femrat të cilat përdorin terapinë hormonale me anë të fashave janë më të sigurta nga zhvillimi i mundshëm i komplikimeve të cilat mund të jenë si pasojë e formimit të trombëve. Ekspertët shpjegojnë se terapia me anë të fashave i dërgon barnat drejtpërdrejtë në qarkullim duke shmangur mëlçinë. Ndërsa hormonet të cilat merren nga goja duhet të kalojnë nëpër mëlçi, ku efektet anësore të tyre mund të rezultojnë me ndryshime në faktorët e koagulimit duke bërë që gjaku të mpikset shumë më lehtë.

55. Acidet omega-3-yndyrore
Personat e moshuar të cilët kanë në gjakun e tyre sasi më të madhe të acideve omega-3-yndyrore, kanë simptoma më të vogla të depresionit. Shkencëtarët kanë konstatuar se personat me depresion më të madh kishin sasi më të vogël të acideve yndyrore në plazmën e tyre. Përkundër kësaj, sasia e acideve omega-3-yndyrore ishte më madhe te personat e moshuar të cilët nuk kishin simptoma të depresionit. Sipas hulumtuesve, acidet yndyrore e ndihmojnë organizmit të realizojë funksione të shumta, siç është formimi i membranave qelizore, metabolizmin e kolesterolit dhe në shërimin e plagëve. Acidet omega-3-yndyrore, të cilat organizmi nuk i sintetizon, gjenden në vajrat bimore (të sojës, arrës dhe kolzës), peshqit me yndyrë (losos, tuna, sardele, skumbri) dhe në farat e lirit.

56. Kanceri i gjirit
Niveli i ulët i vitaminës D është i shpeshtë te femrat e diagnostikuara me kancer të gjirit dhe mund ta rrisë rrezikun për përhapjen e kancerit dhe të shkaktojë vdekjen. Te femrat me nivele të pamjaftueshme të vitaminës D vërehet një rrezik më i madh për përhapjen e kancerit në krahasim me fermat të cilat kishin nivele të mjaftueshme. Mirëpo dallimi ishte shumë i vogël, dhe për këtë arsye mendohet për ndonjë rastësi. Ndërsa rreziku për vdekje ishte i njëjtë, por me një shkallë më të lartë te femrat me deficit të vitaminës D. Nga ana tjetër, studimi tregoi se edhe vlera mbi optimalen e vitaminës D, nxit rrezikun për vdekje. Për këtë arsye ata paralajmërojnë femrat që të mos marrin preparate të vitaminës D në mënyrë të pakontrolluar, pasi që kjo paraqet një thikë me dy tehe.

57. Çaji i gjelbër
Një gotë çaji të gjelbër mund të jetë krejt çka mund të rekomandojë mjeku nëse keni probleme me mësim dhe kujtesë, të cilat janë pasojë e apnesë obstruktive të gjumit, forma më e shpeshtë e çrregullimit të frymëmarrjes që është në lidhshmëri me çrregullimet e gjumit. Apnea obstruktive e gjumit e lë organizmit pa oksigjen gjatë fjetjes. Personat me këtë gjendje, përjetojnë pushime të frymëmarrjes gjatë fjetjes, duke pasur rënie të nivelit të oksigjenit, i cili mund t’i dëmtojë organet. Apnea obstruktive e gjumit rrit rrezikun për shfaqjen e shtypjes së rritur të gjaku, infarktit të zemrës, goditjeve në tru, dhe dëmton funksionet njohëse të vetëdijes, siç është mësimi dhe kujtesa. Antioksidantët e fuqishëm të pranishëm në çajin e gjelbër mund të ndihmojnë në përmirësimin e këtyre problemeve njohëse.

58. Bari mrekullibërës
Aktualisht janë duke u bërë studime në pilulën e re të zbuluar, “çudibërëse”, e cila ngrit epshin seksual edhe te meshkujt edhe te fermat të cilët kanë probleme me libido, ndërsa, sipas shkencëtarëve, kjo pilulë është më e mirë se viagra. Shkencëtarët pohojnë se e kanë zbuluar të fshehtën e dëshirës seksuale dhe se zbulimi i tyre mund t’ua ndryshojë jetën miliona njerëzve në mbarë botën. Ky bar do të ndihmojë në mjekimin e sterilitetit, ndërsa besohet se njëra nga substancat përbërëse të tij nxit edhe humbjen e peshës trupore. Nëse ky bar është i suksesshëm, atëherë menjëherë do ta zë vendin e parë në barnat për mjekimin e impotencës. Përparësia e këtij bari ndaj viagrës është se e nxit dëshirën për marrëdhënie seksuale në tru, dhe nuk i ngre “vetëm kapacitetet fizike”, siç bën viagra.

59. Ankthi dhe anoreksia
Anoreksiket të cilat kanë vuajtur nga ankthi në fëmijëri, mund të kenë simptoma të veçantë në çrregullimin e ushqyerjes. Dihet se te çrregullimet anksioze, siç është fobia sociale dhe çrregullimet obsesivo-kompulsive, janë shumë më të shpeshta te personat të cilët vuajnë nga anoreksia, ndërsa kryesisht paraqiten para se të lajmërohen çrregullimet e ushqyerjes. Në një studim të ri, shkencëtarët janë munduar të vërtetojnë nëse ankthi i pranishëm në fëmijëri ka lidhje me seriozitetin e simptomave anoreksike te femrat e rritura. Rezultatet kanë treguar se 39 për qind e anoreksikevë të cilat kishin marrë pjesë në studim kishin qenë anksioze në fëmijëri, dhe thuajse në të gjitha rastet simptomat e anksiozitetit ishin paraqitur para anoreksisë.

60. Një petull e ëmbël në ditë e dëmshme
Konsumimi i vetëm një petulle të ëmbël në ditë është shumë më i dëmshëm për organizmit tuaj sesa mendoni. Një petull e ëmbël mund të përmbajë rreth 2.2 gramë trans-yndyra të dëmshme, e cila është sasi shumë më e madhe e yndyrave sesa ajo që e rekomandon OBSH për tërë ditën. Petulla e ëmbël e mbushur me krem, bën pjesë në 85 produktet ushqyese të cilat janë testuar nga ekspertët në Hong Kong, dhe e cila ka lidhje me ndikimin negativ të trans-yndyrave dhe yndyrave sintetike në sëmundjet e zemrës. Testet kanë treguar se në çdo 100 gramë të petullës së ëmbël të mbushur me ndonjë krem, gjenden 4.7 gramë trans yndyra. Për këtë arsye shkencëtarët paralajmërojnë se marrja ditore e sasive të mëdha të trans-yndyrave nga organizmi, është e lidhur drejtpërsëdrejti me rrezikun e shtuar për sëmundje kardiovaskulare.

61. Ushqimi dhe uria
Duke kujtuar ushqimin tuaj të fundit do të mund ta përballoni urinë dhe nuk do të mendoni për të ngrënë sërish. Ndërsa nëse shumë shpejt bëheni të uritur pas ngrënies, dhe nga ana tjetër dëshironi të humbni në peshë, provojeni ta parafytyroni veten si të dobët. Shkencëtarët kanë treguar se duke menduar vazhdimisht ushqimin tuaj të fundit do të mund ta suprimoni apetitin dhe do ta reduktoni dëshirën për të ngrënë ushqim. Ata po ashtu kanë treguar se nëse përqendroheni te ushqimi të cilin jeni duke e ngrënë do ta shtyjë gjithnjë e më shumë urinë tuaj, ndërsa nuk preferohet të merrni ushqim dhe të hani para televizorit. Të dhënat kanë treguar se personat të cilët e përcjellin peshën e tyre mund të jenë autokritikë dhe ta mësojnë veten të jetë më pak lakmitar për ushqim, dhe kjo teknikë, si dhe hipnotizmi dhe terapia e sjelljes, mund të ndihmojnë.

62. Vrapimi ose çiklizmi shtyjnë plakjen për 12 vite
Ushtrimet e rregullta aerobike mund ta ngadalësojnë orën biologjike dhe ta vonojnë plakjen për 12 vite. Duke mbajtur formën me anë të vrapimit ose ngasjes së biçikletës në moshën e mesme dhe më tutje, ngadalëson dhe madje pengon plotësisht dëmtimin e fuqisë muskulore, dhe në këtë mënyrë ruhet baraspesha dhe koordinimi në jetën e mëtejshme. Pa ushtrime të rregullta, fuqia maksimale aerobike te meshkujt bie përgjysmë ndërmjet moshës 20 dhe 60 vjeçare. Ndërsa femrat fillojnë ta humbin përshtatjen nga mosha 35 vjeçare, ndërsa fuqia aerobike po ashtu ndahet përgjysmë deri në moshën 60 vjeçare. Për këtë arsye, ushtrimet të cilat e forcojnë zemrën dhe mushkëritë, janë të nevojshme për ta kompensuar “goditjen” të cilën e jep mosha, si pasojë e së cilës kapaciteti i organizmit për përdorimin e oksigjenit dhe krijimin e energjisë bie vazhdimisht me kalimin e viteve.

63. Vitaminat A, C dhe E
Vitaminat të cilat merren nga një e treta e popullatës nuk e zgjatin e jetën, por madje ato mund të jenë shkaktarë të vdekjes së parakohshme. Pasi kanë rishikuar rreth 67 studime të cilat kanë përfshirë më shumë se 230.00 meshkuj dhe femra, ekspertët thonë se nuk ka të dhëna të bindshme të cilat tregojnë se marrja e preparateve të vitaminave A, C dhe E mund t’ju bëjë më të shëndoshë. Rreth 40 për qind e femrave dhe 30 për qind e meshkujve marrin së paku një pilulë vitamine në ditë. Këto antioksidantë, përdoren me qëllim që organizmi të mbrohet nga radikalet e lira dhe për të parandaluar sëmundjet ose për të mjekuar sëmundjet ekzistuese. Nëse këto vitamina demonstrohen në mënyrë të pakontrolluar, ato mund ta dëmtojnë organizmin si pasojë e sëmundjes, ekspozimit të tepërt ndaj toksinave ose moshës.

64. Vaksina për meningjitin B
Fëmijëve do të mund t’u jepet vaksina për meningjitin B vetëm pas tri vitesh, pasi shkencëtarët kanë arritur të zhvillojnë një vaksinë të re për ta dobësuar sëmundjen nga e cila aktualisht nuk ka mbrojtje. Vaksina për MenB e cila është prodhuar nga gjigantët farmaceutikë, Novartis, është testuar në 150 fëmijë britanikë të cilët ishin imunizuar pas dy, katër dhe gjashtë muajsh pas lindjes. Një muaj pas vaksinimit të tretë, organizmi kishte prodhuar antitrupa kundër meningjitit B në 90 për qind të rasteve. Ndërsa doza e fundit, e cila është dhënë në moshën njëvjeçare, ka nxitur mbrojtjen imune në mbi 95 për qind të rasteve. Meningjiti B është sëmundje infektive të cilën e shkakton Meningocoçus B, bakter i cili gjendet në hundë dhe fyt te 10 për qind e njerëzve.

65. Cigarja elektrike
Duket si cigare, ka shijen e cigares, thithet në të njëjtën mënyrë, mirëpo nuk është cigare. Nuk përmban duhan, ndërsa liron vetëm avull. Fjala është për më të renë e kompanisë japoneze, Gamuçi, cigaren elektrike. Kjo cigare, duhanpirësve u mundëson thithjen e avullit, i cili është identik me tymin dhe jep të njëjtin stimulin të cilin e ofron cigarja, mirëpo pa konsumuar përbërësit e dëmshëm. Me qëllim që t’i ngjajë sa më shumë, cigares së vërtetë, cigarja elektrike ka majën e kuqe, e cila pas ndezjes digjet dhe “aktron” djegien e vërtetë të cigares.
Kjo cigare e pazakontë ka dhomëzën në të cilët nikotina e lëngshme avullohet në formë të tymit të duhanit.

66. Ginsengu zvogëlon lodhjen nga karcinoma
Lodhja dhe rraskapitja e rëndë janë të pranishme para, gjatë dhe pas mjekimit të karcinomës. Një program eksperimental i cili ka filluar në vitin 2007, tregon se ginsengu mund të ofrojë ndihmë për ta penguar lodhjen. Në studim kanë marrë pjesë 300 pacientë të cilët gjatë dy muajve kanë marrë nga 750 mg, 1.000 mg, 2.000 mg ginseng ose placebo. Në fund të studimit më mirë janë ndjerë dhe kanë pasur më shumë energji, pacientët të cilën kanë marrë dozën më të lartë të ginsengut (2.000 mg). Këto janë vetëm rezultatet preliminare të studimit, ndërsa të dhënat e sakta dhe studimi i plotë pritet të publikohet pas përfundimit të tij, deri ka fundi i këtij viti.

67. Ushtrimet trupore dhe kanceri i gjirit
Femrat e reja të cilat vazhdimisht merren me ushtrime trupore janë më pak të rrezikuara për t’u sëmurë nga kanceri i gjirit në moshën madhore. Rezultatet e bazuara në përcjelljen e mbi 65.000 pjesëmarrëseve të shëndosha, kanë treguar se femrat të cilat kanë qenë fizikisht më aktive në moshën e tyre të re, janë 23 për qind më pak të rrezikuara për t’u sëmurë nga kanceri i gjirit para menopauzës. Shkencëtarët kanë shtuar se faktori mbrojtës është i pranishëm edhe te femrat të cilat janë marrë me intensitet mesatar të aktivitetit fizik. Sipas hulumtuesve, kjo mbrojtje mund të shpjegohet me ndikimin e ushtrimeve trupore në zvogëlimin e hormonit të estrogjenit.

68. Trajtimi gjenetik u kthen shikimin të verbërve
Mjekët spitalin e fëmijëve në Filadelfia njoftuan se kanë rikthyer shikimin tek të verbërit duke riparuar gjenin, dëmtimi i të cilit shkakton humbjen e të shikimit. Ky zhvillim cilësohet si një mrekulli në trajtimin e verbimit dhe një hap i jashtëzakonshëm në fushën e terapisë gjenetike. Shkencëtarët mendojnë se kjo mënyrë hap rrugën për trajtime të reja të 140 formave të tjera verbimesh si pasojë e dëmtimit të gjenit përgjegjës për shikimin Shkencëtarët gjetën një mënyrë për inplantimin e gjeneve në pjesën e mbrapme të syrit dhe i lanë aty derisa të zhvilloheshin. Mbi të gjitha, ekspertët e shohin këtë zhvillim si hap të madh drejt një të ardhme kur sëmundjet jo gjithmonë do të cilësohen të pashërueshme.

69. Inkubacioni tek foshnjat
Një grup mjekësh italianë thonë se valët elektromagnetike të inkubatorëve në maternitete mund të afektojë ritmin e rrahjeve të zemrës tek foshnjat e sapolindura. Tani ekspertët po kërkojnë kryerjen e studimeve të tjera për të përcaktuar nëse inkubatorët lënë ndonjë efekt të përhershëm në shëndetin e foshnjave. Inkubatorët përdoren gjerësisht për të mbajtur ngrohtë foshnjat e sëmura ose të lindura parakohe, duke minimizuar kështu sforcimin apo stresin në organizimin të tyre. Por rezultatet paraprake të një studimi tregojnë se fushat elektromagnetike që krijohen nga inkubatorët mund të afektojnë ndryshueshmërinë e ritmit e rrahjeve të zemrës së bebeve.

70. Kompjuteri dhe vitamina A
Duke shikuar në ekranin e kompjuterit, sytë gjithmonë reagojnë në pikat e ndritshme dhe të errëta të cilat paraqiten në ekran. Sytë harxhojnë shumë pigment fotosenzitiv i cili është i nevojshëm për të parë. Ndërsa për të është e nevojshme vitamina A. Kjo vitaminë luan rol të rëndësishëm në prodhimin e rodopsinës. Njerëzit të cilët duhet ta zvogëlojnë marrjen e yndyrave dhe kolesterolit, mund të hanë ushqim në të cilin ka më shumë beta-karotene, të cilat me ndihmën e dritës së diellit shndërrohet në vitaminë A. Beta-karotenet janë të pranishme në shumicën e perimeve, pastaj në pemët siç janë kumbullat e thata, pjepri, pjeshka, shalqiri dhe mango.

71. Terapia GTP dhe sindroma Daun
Një terapi e veçantë me të cilën trajtohen personat të cilët vuajnë nga sindroma e Daunit (terapia GTP), gjatë të cilës këto persona lëvizin dhe vallëzojnë ka treguar rezultate të shkëlqyera në Slloveni, vend ky në të cilin çdo vit lindin nga 20 deri 26 fëmijë me këtë sindromë. Terapia e shprehjes me anë të vallëzimit te të rinjtë me sindromën e Daunit, në fazën problematike të adoleshencës kur këto persona kuptojnë për sëmundjen e tyre, përforcon vetëbesimin e tyre dhe vepron pozitivisht në zhvillimin e personalitetit. Metodat e reja mund të shmangin disa modele negative të sjelljes tek adoleshentët me sindromë të Daunit, siç është kokëfortësia të cilën e shkakton përvoja e parë e dështimit në dashuri. Terapia GTP u ka ndihmuar të jenë më të suksesshëm edhe në shkollë.

72. Vdekja dhe krijimi i qelizave yndyrore
Shkencëtarët pohojnë se numri i qelizave yndyrore mbetet përafërsisht i pandryshueshëm gjatë gjithë jetës, pavarësisht faktit se jeni në dietë ose jo, jeni të dobët ose të trashë. Qelizat e reja yndyrore formohen në mënyrë konstante me qëllim që të zëvendësohen qelizat e shkatërruara. Megjithatë te personat e trashë këto procese zhvillohen shumë më shpejtë sesa te të dobëtit. Te personat me mbipeshë qelizat yndyrore vdesin më shpejt, ndërsa njëkohësisht edhe të rejat krijohen më shpejtë.
Deri më tani është menduar se te të rriturit nuk krijohen qeliza të reja yndyrore, por qelizat ekzistuese mbushen me yndyrë. Mirëpo, shkencëtarët kanë treguar se edhe te të rriturit, pavarësisht peshës së tyre trupore, gjinisë ose moshës, qelizat yndyrore krijohen në mënyrë të pandërprerë.

73. Fëmijët dhe makinat
Vendosja e ulëses së fëmijës në mesin e ulëses së pasme të automobilit, zvogëlon rrezikun e lëndimit për 43 për qind në rastet e ndonjë aksidenti eventual. Në studim, hulumtuesit kanë zbuluar se rreziku që fëmijët deri në moshën trevjeçare të lëndohen është shumë më i vogël, nëse ulësja e tyre vendoset në mes të pjesës së pasme të automobilit, dhe jo pas shoferit apo bashkë-udhëtarit të tij. Ekspertët, tani u kanë rekomanduar prindërve që ulëset e fëmijëve t’i vendosin në mes të pjesës së pasme, derisa ky studim e vërteton këtë këshillë.

74. Akullorja dhe dashuria
Akullorja është një zëvendësuese e përsosur e dashurisë. Asaj i jepet përparësi në raport me marrëdhëniet seksuale duke e bërë kështu simbol të seksit dhe misterit. Për shumë njerëz akullorja vepron kundër stresit dhe madje konsiderohet më e mire se seksi. Edhe pse ka ndikim pozitiv në shmangien nga depresioni, akullorja nuk rrit numrin e të rrahurave të zemrës në minutë, siç bën seksi. Një studim i fundit italian ka treguar se 70 për qind e njerëzve në frigoriferin e tyre mbajnë akullore rezervë dhe e shfrytëzojnë atë si “terapi kundër stresit”. Të anketuarit në studim kanë pohuar se akullorja përmirëson shumë gjendje, siç është lodhja dhe stresi, depresioni, pakënaqësitë e ndryshme, shqetësimi, vetmia dhe zemërimi.

75. Acryl-amidi dhe veshkat
Konsumimi i acryl-amidit, substancës kimike të pranishme në patate të skuqura, kikirikë, kafe etj., mund ta rrit rrezikun e paraqitjes së kancerit të veshkave. Hulumtuesit kanë pohuar se rreziku më i madh është i shprehur te duhanpirësit. Acryl-amidi është konsideruar si karcinogjen që nga vitit 1994 dhe është menduar se ekspozimi ndaj tij ndodh vetëm nëpërmjet tymit të duhanit dhe produkteve të kozmetikës. Në studimin ri i cili është zhvilluar gjatë 13 vitesh, është treguar se personat të cilat brenda ditës futin në organizëm 40 mikrogramë acryl-amid (sasi e cila gjendet në 150 gramë patate të skuqura) janë të rrezikuar për 59 për qind për të fituar kancerin e veshkave.

76. Ushtrime për një bark të rrafshët
Muskujt e barkut tendosen në mënyrë diagonale. Nëse punoni me to në drejtimin në të cilin duhen tërhequr do të fitoni rezultate më të mira. Brenda javës duhet të bëni së paku katër ushtrime të ndryshme, pa ndihmën e shpatullës. Shtrihuni në shpinë me duart e vendosura nën prapanice, me shuplakat e kthyera nga dyshemeja, ndërsa këmbët çoni drejt lartë. Forconi muskujt e barkun dhe çojeni prapanicën lartë. Kur t’i keni tërhequr lartë lëvizeni pelvikun dhe këmbët në anën e majtë. Uleni dhe pastaj përsëriteni të njëjtën gjë, ndërsa pelvikun dhe këmbët lëvizeni në anën e djathtë. Kjo është njëra nga metodat për t’i rrafshuar muskujt e barkut. Përsëriteni këtë 30 herë, me pauza nga 30-60 sekonda pas çdo 10 përsëritjeve.

77. Kokoshkat janë ushqim i shëndetshëm
Kokoshkat janë produkte nga kokrra e plotë e drithit dhe janë përfshirë në listën e ushqimeve të shëndetshme. Një studim i ri amerikan ka treguar se një adhurues i kokoshkave në ditë ha rreth 39 gramë dhe në krahasim me një individ i cili nuk i konsumon kokoshkat, adhuruesi i tyre fut në organizmin e tij më shumë fibra ushqyes (18 g ndaj 15 g), më shumë karbohidrate dhe magnez, ndërsa më pak proteina, niacin (B3) dhe folate. Konsumimi i kokoshkave ka lidhje me përdorimin më të vogël të mishit dhe përdorimin më të madh të drithit të plotë. Ky studim tregon se kokoshkat janë më të favorizuara në raport me produktet tjera të vogla ushqimore të cilat janë të pasura me energji dhe të varfra me substanca të nevojshme ushqyese.

78. Fjetja dhe shëndeti
Personat të cilët flenë më pak se gjashtë ore ose më shumë se nëntë orë në ditë, kanë mundësi më të madhe për të vuajtur nga mbipesha. Hulumtuesit nga Qendra për kontrollim dhe parandalim të sëmundjeve, pasi kanë analizuar të dhënat e 87.000 pjesëmarrësve në hulumtim, kanë vërejtur se personat të cilët flenë më pak se gjashtë orë në ditë janë duhanpirës, konsumues të alkoolit dhe fizikisht janë shumë pak aktivë. Përkundër kësaj, te personat të cilët flenë mesatarisht shtatë deri tetë orë, është vërejtur një përqindje e ulët e duhanpirësve, madje më e ulët se mesatarja e duhanpirësve në SHBA. Ndërsa aktivitet më i vogël fizik është vërejtur te personat të cilët flenë mbi nëntë orë në ditë.

79. Anët e mira të verës
Vera e zezë e zvogëlon rrezikun nga sëmundjet e zemrës, mbron nga sulmi në tru, pengon zhvillimin e kancerit të pankreasit dhe madje vepron fuqishëm kundër baktereve fatale siç janë salmonelat, e.coli dhe listerioza. Vera e bardhë ka efekte pozitive duke iu falënderuar llojeve të ndryshme të polifenoleve të pranishme në të, të cilat zvogëlojnë nivelin e kolesterolit. Vera e bardhë përmban edhe kalium, i cili e ul shtypjen e gjakut. Përveç kësaj, shkencëtarët pohojnë se falë përbërësve të saj vera e bardhë vepron si një anti-inflamator, ndihmon në parandalimin e osteoporozës dhe artritit reumatik. Supozohet se personat të cilët pinë nga dy litra e gjysmë verë të kuqe në javë, ose afërsisht dy gota në ditë, zvogëlojnë rrezikun e vdekjes së hershme.

80. Këndimi relakson
Këndimi është i dobishëm në shumë mënyra, jo vetëm që i mundëson individit të shprehet, por edhe nxit shfaqjen e emocioneve. Shkencëtarët kanë zbuluar se kur këndojmë, në tru lirohen substanca kimike të cilat nxisin një relaksim dhe gëzim. Sipas tyre, këndimi i vë në lëvizje të ashtuquajturat “molekula të emocioneve”. Në bazë të këtyre të dhënave, këndimi nuk shërben vetëm për t’u shprehur, por njëkohësisht shërben edhe për stimulimin dhe paraqitjen e emocioneve.Derisa në kohën e tanishme këndimi konsiderohet si i dalë mode, megjithatë ky hulumtim e tregon të kundërtën.

81. Me jogurt kundër alergjisë
Shkencëtarët sugjerojnë se ekspozimi i nënës dhe foshnjës ndaj probiotikëve stimulon zhvillimin e sistemit imunitetit te fëmija dhe në këtë mënyrë ndikon në parandalimin e alergjive. Në studimin e bërë nga shkencëtarët finlandez janë përfshirë shtatzënat të cilat kanë pasur alergji, dhe shtatzënat, partnerët e të cilave vuajnë nga alergjitë e ndryshme, me qëllim që të vrojtohet ndikimi i probiotikëve te fëmijët me rrezik të lartë nga alergjia, meqë dihet se në zhvillimin e alergjisë një rol të rëndësishëm luan edhe trashëgimia. Shtatzënat kanë filluar të marrin probiotikë në muajin e tetë të shtatzënisë, ndërsa fëmijët e tyre kanë qenë për 30 për qind më pak të rrezikuar nga paraqitja e ekzemës atopike, e cila është forma më e hershme e manifestimeve alergjike.

82. Marihuana në moshë të re shkakton vartësi
Qeveria amerikane ka dhënë informata sipas së cilave kombinimi i rrezikshëm i depresionit, adoleshencës dhe marrjes së marihuanës mund të sjelli deri te vartësia, sëmundjet mentale dhe tendencat vetëvrasëse. Departamenti për kontrollimin e drogës, pranë Shtëpisë së Bardhë, ka paralajmëruar se tinejxherët të cilët janë në depresion kanë mundësinë dy herë më shumë që ta provojnë marihuanën në krahasim me ata të cilët nuk janë në depresion edhe atë në raport prej 25 për qind ndaj 12 për qind. Konsumimi i marihuanës rrit rrezikun për sëmundje mentale për 40 për qind , ndërsa tinejxherët të cilat kanë pirë marihuanë së paku një herë në muaj brenda një viti, tri herë më shumë mendojnë për vetëvrasje.

83. Tenoreksia, vartësi e kohës moderne
Rrezitja e tepërt mund të kalojë në vartësi, gjendje e njohur si tenoreksi. Është e vërtetë se rrezitja na bën të jemi më të freskët dhe të dukemi më bukur, edhe shkuarja në solarium disa herë nuk mbyt, mirëpo duhet të ekzistojë një kufi dhe të përcaktohet më e rëndësishmja: shëndeti. Në këtë mënyrë ka lindur edhe një vartësi e kohës moderne: tenoreksia. Tenoreksikët janë të pushtuar nga mbajtja e vazhdueshme e lëkurës së errët. Mjekët pohojnë se vartësia e tepruar për lëkurë të errët është një lloj çrregullimi i veçantë psikologjik, ku pacienti nuk mund ta sheh vetën se është nxirë aq shumë, saqë nuk ka nevojë më për rreze ultravjollcë. Këta persona kur shikohen në pasqyrë, e shohin veten në një mënyrë ndryshe nga ç’i përjeton rrethi.

84. Nuk ka rrezik nga vezët
Njëri nga rekomandimet kryesore për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare është zvogëlimi i marrjes së kolesterolit. Kjo është arsyeja që vezëve u ka humbur “fama”, pasi që një ve përmban 200 mg kolesterol, ndërsa maksimumi i kolesterolit që mund ta marrë një person i shëndoshë është 300 mg në ditë, derisa personat me sëmundje të zemrës nuk guxojnë të fusin në organizmin e tyre më shumë se 200 mg kolesterol në ditë. Një studim i realizuar nga më shumë se 20.000 mjekë brenda dy dekadave, ka treguar se konsumimi i disa vezëve në javë nuk ka ndikim në rritjen e rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare.

85. Fëmijët dhe lojërat agresive
Sipas psikologëve, lojërat kompjuterike të cilat nxisin agresivitet te fëmijët duhet të përcillen së bashku me prindërit, ndërsa këto të fundit duhet t’i paralajmërojnë fëmijët e tyre për sjelljet negative të “heronjve” kryesorë. Lojërat nuk bën t’u ndalohen fëmijëve vetëm për faktin që janë agresive, sepse një vendim i tillë nuk është i mirëpritur nga fëmijët të cilët do të mundohen me të gjitha mënyrat që të arrijnë deri te loja, qoftë jashtë shtëpie ose të ndonjë shok. Mirëpo, gjithmonë sipas rekomandimit të psikologëve, prindërit duhet të jenë pranë fëmijëve të tyre gjatë lojës dhe duhet t’ua shpjegojnë atyre skenat e dhunshme me qëllim që ta neutralizojnë ndikimin negativ të tyre dhe mundësinë që fëmijët të identifikohen me “heronjtë” nga loja.

86. Virusi papilloma dhe sëmundjet kanceroze
Qendra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve rekomandon vaksinimin kundër kancerit në vezore për vajzat e gratë nga mosha 9 deri 26 vjeç. Por këto rekomandime mund të përfshijnë edhe mosha të tjera në të ardhmen ndërsa virusi që shkakton kancerin në vezore, virusi papilloma ose HVP, duket se ka lidhje me lloje të tjera kanceri si tek burrat edhe tek gratë. Tek burrat, virusi papilloma lidhet me kancerin në organet gjenitale. Shkencëtarët ende nuk e kanë të qartë se në çfarë mënyre virusi papilloma lidhet apo nxit gjithë këto lloj kanceresh, por ekziston mendimi se viruset ndërhyjnë apo prekin funksionimin e ADN-së duke shkaktuar rritjen jo normale të qelizave.

87. Gjaku i kordonit umbilikal me veti shëruese
Shkencëtarët thonë se gjaku i kordonit umbilikal që lidh nënën me fëmijën para lindjes, përmban qeliza embrionale që mund të përdoren për trajtimin e dhjetra sëmundjeve, përfshi leukeminë. Por kordonët e lindjes shpesh nuk trajtohen si organe me vlera transplantimi dhe prandaj gjaku i tyre nuk konservohet. Megjithatë, shumë amerikanë u paguajnë firmave private mijëra dollarë për konservimin e gjakut të kordonëve të fëmijëve të tyre të porsalindur, për transplantim të mundshëm nëse fëmija ka nevojë më vonë në jetë. Shkencëtarët thonë se gjaku i kordonit të lindjes së një personi përmban të njëjtat ndryshime gjenetike që lidhen me sëmundjen e tij.

88. Fosamaks mund të ndikojë ne ritmin e rrahjeve të zemrës
Fosamax është ilaçi më i përhapur kundër sëmundjes së osteoporosës. Fosamax ngadalëson dobësimin e kockave dhe është provuar si pakësues i rasteve të frakturave tek njerëzit që vuajnë nga osteoporosa. Por një studim nga specialistë pranë universitetit Uashington lë të kuptohet se përdorimi i fosamaksit mund të ndikojë negativisht në rrahjet e zemrës, gjë që shihet si një efekt i rëndë anësor. Ekspertët thonë studime të tjera nevojiten për të vërtetuar këto rezultate, por ata shtojnë se edhe në se provohen si të vërteta, përfitimet e pacientëve me osteoporozë nga fosamaxi janë më të shumta sesa rreziku i mundshëm për t’u prekur nga aritmia e zemrës.

89. Mbipesha përkeqëson astmën
Mbipesha mund të jetë njëri nga faktorët negativ tek astma, madje mund ta maskojë praninë e sëmundjes gjatë ekzaminimit me anë të testeve standarde. Shkencëtarët kanë shpjeguar se funksioni i dobësuar respirator tek astmatikët është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me rritjen e indeksit të peshës trupore. Studimi ka treguar po ashtu se te personat e trashë me astmë, spirometria e zakonshme nuk mund të vërtetojë çrregullimin e funksionit të mushkërive. Përveç kësaj, personat e shëndoshë me astmë kanë rrezik më të madh nga frymëmarrja e vështirësuar.

90. Vlerat ushqyese të perimeve
Perimet janë një pjesë shumë e rëndësishme e ushqimit dhe burim kryesor i materieve biologjike aktive, siç janë antioksidantët si dhe substancat e tjera, për shembull, ato të cilat ndikojnë në uljen e nivelit të kolesterolit. Në fakt, përbërja kimike e perimeve ende nuk është e sqaruar plotësisht, sidomos ndikimi i komponentëve të ndryshme në shëndet. Perimet përmbajnë karbohidrate, aminoacide, vitamina, hormone, glukozinolate etj., të cilat i shërbejnë vetë bimës për rritje, zhvillim, adaptim dhe mbrojtje. Të gjitha këto materie përcaktojnë vlerën ushqyese të perimeve, shijen, dhe ndikimin e tyre në shëndetin e njeriut: anti-inflamator, antikarcinogjen, antimikrobik, antioksidativ, imunologjik etj.

91. Ushqimi edhe kariesi
Studimet kanë treguar se sasia e sheqerit në ushqim nuk është shkaktari i domosdoshëm i kariesit, mirëpo ndikimin negativ të tij në shëndetin e dhëmbëve e përcakton koha e qëndrimit të sheqerit në gojë. Sa më gjatë që është sheqeri i “ngjitur” për dhëmbët aq më i madh është rreziku për karies. Bonbonet me xhelatinë, janë të rrezikshme për shkak të xhelatinës e cila ngjitet për dhëmbësh dhe i mban edhe bakteret për një kohë të gjatë duke u krijuar ambient ideal për shumimin e tyre dhe për t’u përgatitur për “sulm”. Edhe nëse nuk mund t’i shmangni plotësisht ato, mundohuni që ato të jenë pa xhelatinë. Secili ushqim i cili përmban sheqer nxit tajimin e acidit nga pështyma me ç’rast fillon procesi i demineralizimit të dhëmbit, i cili paraqet hapin e parë në formimin e kariesit.

92 .Kujdesi ndaj flokëve me përbërës natyral
Problemet me flokë nuk janë të rralla, për këtë arsye shpesh merremi me shampo dhe preparate të ndryshme. Mirëpo, ekziston mundësia që edhe për flokët të kujdesemi me preparate natyrale, ndërmjet të cilave më kualitative janë vajrat dhe bazat eterike. Hidrolatet e luleve përdoren për trajtimin e cilësdo gjendje kronike të flokëve (flokëve të thata dhe të plasaritura, zbokthit, flokëve të yndyrshme) duke i shtuar disa pika të vajrave eterike. Me anë të këtyre produkteve mund të krijohet preparate të cilat i zgjidhin problemet me flokët e thata dhe majat e plasaritura.

93. Barna për dobësim
Disa barna të cilat janë prodhuar me qëllim të zvogëlimit të shtypjes së gjakut, njëkohësisht mund të ndihmojnë edhe në humbjen e peshës. Eksperimentet kanë treguar se ACE inhibitorët (antihipertenzivë) e shpejtojnë metabolizmin dhe kështu në mënyrë automatike e “shkrijnë tepricën” duke mundësuar humbjen e kilogramëve. Shfrytëzimi i tabletave të cilat zvogëlojnë peshën trupore pa djersitje dhe ushtrime, vërtet tingëllon si një zbulim revolucionar. Pritet që në të ardhmen këto tableta të jenë trend, pasi që ato do të zgjojnë interesim të madh nga personat të cilët dëshirojnë trup të përsosur.

94. Të rinjtë marrin shumë pak kalcium
Po thuajse gjysma e vajzave dhe një të tretat e djemve rreth Evropës, nuk marrin sasi të mjaftueshme të kalciumit.
Arsyeja për këtë është se ose janë në dietë ose në mënyrë të pavëmendshme iu shmangen produkteve ushqimore të pasura me kalcium, siç është qumështi. Kalciumi është përbërës i rëndësishëm i eshtrave dhe derisa të rinjtë rriten edhe më tej, kanë nevojë më të madhe për kalcium. Doza ditore e tij është 1 200 miligramë ndërsa sipas studimeve të fundit, vetëm pak të rinj e marrin këtë sasi. Mungesa e kalciumit, që për një kohë të gjatë është e pavërejtur, mes tjerash mund të çojë edhe në osteoporozë kur personat të arrijnë moshën e shtyrë. Për të parandaluar këtë, këshillohet të përdoren produktet ku kalciumi është në sasi të mjaftueshme, si qumësht, djathë, kos, sojë, zarzavate, peshq.

95. Çokollata e shpejton pulsin
Megjithëse në shumicën e studimeve të fundit janë zbuluar shumë efekte pozitive të konsumimit të çokollatës, një studim i ri amerikan ka sjellë disa lajme të këqija. Sipas këtij studimi, nëse konsumohen për gjashtë javë rresht nga 37 gram çokollatë të zezë në ditë, do të vijë deri të shpejtimi i të rrahurave të zemrës në minutë. Përveç efektit negativ në shpejtimin e pulsit, do të ketë efekt negativ edhe në shtypjen e gjakut dhe në variablat tjerë hematologjikë. Sidoqoftë, këto janë rezultate të cilat vijnë nga një studim i vetëm dhe nuk ka nevojë të krijohet panik. Për t’u vërtetuar kjo nevojiten edhe shumë studime shtesë.

96. Tastierat mund të jenë burim infeksioni
Tastiera mund të jetë burim infeksioni nëse nuk pastrohet mirë. Gjatë një studimi në pjesë të ndryshme të tastierës janë gjetur baktere shumë më tepër sesa në tavolinën ku vendoset tastiera. Ndërsa sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një rrezik të lartë nga infeksioni. Ngrënia afër tastierës, pluhuri dhe moslarja e duarve, sjell deri te grumbullim i llojeve të ndryshme të baktereve në tastierë. Ekspertët, në bashkëpunim me mikrobiologët, kanë analizuar më shumë se 30 tastiera nga zyra të ndryshme. Disa prej tyre kanë qenë pa baktere falë regjimit të pastërtisë, ndërsa të tjerat kanë përmbajtur baktere të cilat i rrezikonin përdoruesit e tyre për të fituar sëmundje gastrointestinale.

97. Kremrat për diell
Disa mjekë dhe shkencëtarë kanë filluar të mendojnë se kremrat për diell mund të kenë ndikim të dëmshëm, pasi që i inkurajojnë njerëzit që të qëndrojnë në diell për një kohë më të gjatë. Ata mendojnë se kremrat për rrezitje të cilët pengojnë djegien nga dielli, ndoshta nuk ofrojnë edhe aq siguri për ta mbrojtur lëkurën nga kanceri. Mirëpo, në asnjë mënyrë nuk preferojnë të dilet në diell pa një krem mbrojtës. Shumica e njerëzve nuk vendosin sa duhet krem dhe nuk e bëjnë atë secilën herë që dalin në diell. Përveç kësaj, kremrat edhe fshihen lehtë. Pavarësisht se prodhuesit premtojnë se ato janë të qëndrueshëm ndaj ujit, ato shumë lehtë mund të hiqen pas larjes ose gjatë fshirjes me peshqir. Për të pasur një siguri më të madhe, duhet që kremrat të aplikohen së paku çdo dy orë, ndërsa edhe më shpesh nëse laheni, fshiheni apo djersiteni.

98. Mos hani shumë sheqer
Rritja e menjëhershme e nivelit të sheqerit në gjak mund të dëmtojë kujtesën, ka treguar një studim i ri. Shkencëtarët e kanë testuar kujtesën e personave të rritur pasi u kanë dhënë të pinë nga një gotë lëng të ëmbël, ndërsa rezultatet kanë treguar se ata me sasi më të madhe të glukozës më dobët kanë mbajtur mend.
Nëse glukoza grumbullohet në gjak, atëherë ajo nuk arrin deri te qelizat nervore të cilat kanë nevojë të shumtë për të. Megjithatë kujtesa e dobët mund të përmirësohet shumë lehtë: duke humbur disa kilogramë, dhe në këtë mënyrë do ta rregulloni funksionin e insulinës dhe do ta normalizoni sheqerin.

99. Pemë, perime dhe çaj për duhanpirësit
Studimet e reja kanë treguar se konsumimi i shpeshtë i pemëve, perimeve dhe çajit ul rrezikun e prekjes nga karcinoma e mushkërive tek duhanpirësit, por jo edhe tek jo duhanpirësit.
Këto rezultatet janë nxjerrë nga studimet gjatë të cilave shkencëtarët kanë krahasuar shprehitë e ushqimit të 558 personave të sëmurë me karcinomë të mushkërisë dhe 837 persona të paprekur nga kjo sëmundje. Mendohet se disa substanca të quajtura flavonoide, të cilët janë me shumicë në përbërjen e pemëve, perimeve dhe çajit, kanë shfaqur efektin mbrojtës. Këshillë: Mos pini duhan, hani mollë!

100. Patatja për të gjithë
Në bazë të disa testimeve të bëra te më shumë se tetë mijë pacientë, të cilët kanë pasur jo tolerancë për ndonjë ushqim (për shembull, produktet që përmbajnë laktozë ose gluten), është treguar se patatja është produkti ushqimor më i parrezikshëm. Prej të gjithë të testuarve, vetëm 1 për qind e tyre kanë shfaqur reaksione të padëshirueshme nga patatja (çrregullime të vogla të tretjes ose reaksione alergjike në lëkurë). Produktet tjera të cilat nuk u kanë shkaktuar probleme pacientëve të ndjeshëm në ushqim ishin: rrushi, kajsia, molla, elbi dhe limoni.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here