Policia Bashkiake e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimeve të Tiranës, vendos gjoba dhe bllokon materialet, për të gjitha ato biznese që kanë shkelur hapësirat publike në kryeqytet. Aksioni do të zgjasë tre ditë dhe të gjithë hapësirat që mbahen të bllokuara nga subjektet në mënyrë të paligjshme, do të lirohen. Ndërkohë, që sipas inspektorëve ndaj këtyre subjekteve përveç bllokimit të materialeve merren masa edhe me gjobë, e cila është 10 mijë lekë për m2. Aksioni është shtrirë njëkohësisht, në të gjithë rrugët e Tiranës. Inspektorët në terren kanë vënë re se hapësirat mbahen të bllokuara në mënyrë të paligjshme, pasi subjektet nuk paguajnë taksa në Bashki për vendparkimet që zënë, ndërkohë që zona e ish-Bllokut ku u ndërrmor aksioni edhe gjatë ditës së sotme është përcaktuar edhe si një prej zonave më problematike.
Një javë më parë, të gjithë subjekteve që kanë zënë pjesë të rrugëve, u është kërkuar dokumentacioni përkatës ku të vërtetohet leja që ata kanë dhe taksat që paguajnë për hapësirën që zënë. Në shumicën e rasteve, subjektet nuk kanë arritur të paraqesin dokumentacion dhe në rastet kur kanë paraqitur, dokumentacioni ka qënë i mangët. Pasi ka kaluar ky afat, sot kanë ndërhyrë në terren inspektorët e Policisë Bashkiake dhe të Tatimeve të Tiranës, të cilët kanë vërtetuar dokumentacionin e paraqitur dhe saktësinë e tij në terren. Pas verifikemeve është vërejtur se ka pasur shkelje nga një numër i konsiderueshëm lokalesh, të cilët kanë zënë hapësirat publike dhe nuk paguajnë për të.
Punonjësit e policisë Bashkiake kanë realizuar kështu bllokimin e materialeve të konstatuara jashtë ligjit. Në shumë rrugë të kryeqytetit, një pjesë e mirë e akseve zihen nga kone dhe hekura, nga bizneset ngjitur dhe kjo ka shkaktuar rritje të problemit të trafikut në Tiranë, për shkak të pamundësisë për të parkuar. Në pjesën më të madhe të rasteve, rezulton se subjektet që zënë hapësirat, nuk paguajnë asnjë taksë bashkiake dhe në rastet kur ata paguajnë taksohen për një vendparkimi, ndërkohë që në rrugë zënë deri në 6 ose 7 vende. Aksioni do të vazhdojë për tre ditë me radhë, deri në çlirimin e këtyre hapësirave, ose në shfrytëzimin e tyre konform ligjeve në fuqi. Ky rregullim do të shërbejë për qytetarët, pasi do të krijojë më shumë mundësi parkimi për ata që qarkullojnë me makinë, duke ndikuar në lehtësimin e trafikut në Tiranë.