Home Aktualitet Ja pse u perjashtuan 5 komandantet e trafikut nga Policia Rrugore

Ja pse u perjashtuan 5 komandantet e trafikut nga Policia Rrugore

627
0

policia-rrugorePërse ndaj një efektivi policie, i cili ka zbatuar urdhrin e eskortës së tij, duhej të merrej masa e përjashtimit nga policia’? Dy herë refuzoi t’i përgjigjej ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri kësaj pyetje që i bëra gjatë prononcimit që pati, duke më sqaruar më pas përmes komunikimit në telefon se këtë e quante interesim nën nivelin e inteligjencës për publikun, ndërsa theksin, rëndësinë dhe kureshtjen e vinte më tepër sesi ne të medias kishim siguruar informacionin në fjalë. Dhe në fakt, ne gazetarëve që mundohemi të ndjekim hap pas hapi lajmin dhe të jemi të vërtetë e të bëjmë transparencën për qytetarët na bëri përshtypje dhe habiti një fakt i vetëm, teksa në media u publikua lajmi se ‘Furtuna’ kishte prekur sërish Policinë Rrugore Tiranë, duke përjashtuar nga policia për shkelje procedurale 13 efektivë, mes tyre 5 komandantë të trafikut, kurse 9 punonjësve të tjerë iu ishte dhënë masë më e lehtë disiplinore. Cila ishte mënyra që u veprua me këto lëvizje të fundit të policisë dhe se si Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme reaguan ndaj përjashtimeve të këtyre efektivëve?! Fillimisht ishte vetë Policia e Shtetit, e cila nëpërmjet një deklarate për median përpiqej të “justifikonte” se policët ishin përjashtuar për shkelje të rënda disiplinore, pas një inspektimi (asnjë datë kur filloi dhe përfundoi). Madje njoftimi përfundonte me fjalinë.. “punonjësit e ndëshkuar me mas¸ disiplinore kane  te  drejten e ankimimit”. Fill pas kësaj, një ditë më vonë misterin e shton kreu i dikasterit të Brendshëm, i cili i bezdisur nga transparenca që media i kërkonte, nxitoi të na thonte: “Unë nuk e kuptoj përse ka interes për ju, megjithatë kjo është çështja juaj. …masat duheshin parë me objektivizëm siç ka ndodhur, sepse për ata që shkelin procedurën është normale që do ketë masa”.

E vërteta është se ndaj një komandanti të trafikut është marrë masa disiplinore e përjashtimit sepse ka zbatuar urdhrin e eskortës së ministrit të Brendshëm. Ngjarja është shënuar me datën 27 shkurt kur eskorta e ministrit konstatoi se tek ura e “Dajtit” pa dalë në bulevard, një automjet tip “BMW” seria 7, kishte hyrë me semafor të kuq në kryqëzim, urdhëri jepet që të ndëshkohet kundravajtësi. Për rastin, sipas informacioneve, është interesuar personalisht ministri Tahiri. Pa u mbushur 24 orë makina konstatohet dhe ndalohet nga shërbimet e qarkullimit rrugor. Në momentin e ndalimit pronari i mjetit deklaron se makinën nuk e ka pasur ai një ditë më parë, pasi ia kishte dhënë një zonje, e cila ishte interesuar për ta blerë mjetin. Në momentin e parë fleta e gjobës dhe tërheqja e lejes së drejtimit i është bërë pronarit të mjetit si i dyshuari kryesor për shkeljen e nenit 144/3 të kodit rrugor. Një ditë më vonë, zonja e cila kishte lëvizur me mjetin tip “BMW” më datë 27 shkurt deklaroi me përgjegjësi të plotë se kishte qenë ajo në drejtim të mjeti. Pas marrjes së deklarimeve me shkrim nga të dyja palët, është ndryshuar procesverbali fillestar i konstatimit të shkeljes. Zonja doli në komision të vlerësimit dhe iu pezullua leja e drejtimit për tetë muaj. Por për këtë rast, dy specialistët e urdhëruar për inspektimin (të ripranuar dhe që asnjëherë më parë nuk kanë punuar në polici rrugore vetëm në Drejtorinë kufitare), si dhe specialistët e Drejtorisë së Standarteve, nuk ishin të bindur se ky automjet kishte shkelur semaforin dhe se duheshin pamje filmike ose fotografi që ta vërtetonin një shkelje të tillë. Pavarësisht se kundravajtësja kishte pranuar shkeljen, një gjë e tillë nuk mjaftonte. Për shkak se komandanti i trafikut nuk arriti të provonte me foto ose filmim shkeljen, ndaj tij u mor masa ndëshkimore e përjashtimit nga Policia e Shtetit. Në këtë rast u shkel hapur neni 20 dhe 21 i Rregullores së Disiplinës së Policisë së Shtetit, ku ndër të tjera thuhet: “Gjatë ecurisë disiplinore të punonjësit merren parasysh koha, vendi dhe rrethanat e kryerjes së shkeljes, precedentët e mëparshëm disiplinorë ose të shërbimit të punonjësit që ka shkelur normat e detyrës, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese të kryerjes së shkeljes”. Ky punonjës policie në të gjithë karrierën e tij 12- vjeçare në polici nuk kishte pasur asnjë shkelje disiplinore, gjithmonë ishte vlerësuar mbi nivelin mesatar të performancës. I vetmi mëkat ishte se punonte në grupin drejtues të komisariatit rrugor që kishte ndryshuar për mirë situatën e trafikut rrugor në Tiranë.

Në këtë rast të papublikuar dhe për të cilin u pyet, ministri i Brendshëm ka detyrimin të japë një sqarim dhe të tregojë transparencë, sepse Policia e Shtetit nuk është organizata e tij private me të cilën mund të sillet si do.
Duhet të na sqarojë se kush ka gabuar në këtë rast: eskorta e tij që ka konstatuar një shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, apo Drejtoria e Standarteve, e cila kërkonte foto për të provuar nëse shkelja është kryer? Me logjiken e përjashtimit nga policia, duke zbatuar një shkelje të konstatuar nga ministri, asnjë punonjës policie nuk duhet të zbatojë më asnjë urdhër të tillë, pasi rrezikohet të përjashtohet! Ndërsa me logjikën e ndëshkimit vetëm nëse ka pamje filmike, atëherë rezulton që 90 për qind e gjobave të vendosura në Tiranë të mos kenë vlerë dhe lekët t’iu kthehen mbrapsht qytetarëve. Se cilat janë arsyet e vërteta dhe çfarë fshihet pas gjithë kësaj fushate linçuese ndaj këtyre punonjësve, ende nuk është bërë transparenca e plotë. Nuk dihet zyrtarisht se cili ishte qëllimi i Policisë së Shtetit, që dha një informacion evaziv rreth masave, përse “burime të sigurta” në Policinë e Shtetit lajmin e bënë të ditur, në momentin që drejtori i përgjithshëm, Artan Didi po zhvillonte një mbledhje në komisariatin rrugor, ku po fliste pikërisht për masat ndaj 22 efektivëve të policisë, ndërsa iu sugjeronte policëve të pranishëm që të mos rrinin me të korruptuarit. Në rast se ata qenkan të korruptuar, atëherë përse drejtori i përgjithshëm nuk i dërgoi për ndjekje penale në prokurori? Nuk dihen ende arsyet që Ministria e Brendshme pranoi në heshtje linçimin publik që iu bë këtyre punonjësve të policisë, që në këto 7 muaj të marrjes së detyrës, i ishin përkushtuar me profesionalizëm disiplinimit të trafikut në rrugët e kryeqytetit. Synim që e kishin arritur, pavarësisht gabimeve apo kritikave, herë të drejta dhe herë të gabuara ndaj tyre. Disa fakte që të lënë të dyshosh për një mësymje ndaj Policisë

Nga data 4 deri me 12 mars 2014 dy specialistët L.H dhe A.M të drejtorisë së Policisë Rrugore kryen një inspektim me urdhër të firmosur nga zv.drejtori i përgjithshëm i Rendit dhe Sigurisë Publike. Nga inspektimi rezultoi se në Drejtorinë e Policisë Rrugore ishin konstatuar parregullsi të vogla administrative dhe, deri në fund të prillit, sipas burimeve, ishte parashikuar që komisariatit të policisë rrugore dhe drejtorisë së qarkut Tiranë t’iu dërgoheshin rekomandime me shkrim për shkeljet e konstatuara. Por ngjarja e 6 majit, ku u ndalua nga Policia Rrugore me një mjet me targa fallco, drejtori i Antikorrupsionit në Kryeministri, bllokimi i mjetit tip “Audi” dhe kallëzimi në prokurori ndaj tij nga ana e dy efektivëve rrugorë, të cilët ishin fyer me “libër shtëpie” nga i lartpërmenduri, i ndryshuan dhe rrjedhën inspektimit të kryer në muajin mars 2014. Meqenëse drejtuesit e komisariatit të policisë rrugore ishin treguar “kryeneçë”, duke zbatuar ligjin dhe duke ndjekur procedurën standarde të punës, meqenëse drejtori i Antikorrupsionit u diskretitua publikisht, pasi ngjarja ishte filmuar me zë dhe figurë nga inovacioni teknologjik që ministri Tahiri solli në Policinë Rrugore, atëherë duhej gjetur një lloj “hakmarrjeje” për ta. (Drejtori i Antikorrupsionit është mik i afërt i disa prej drejtuesve të Policisë së Shtetit). Letrat ndryshojnë, dokumentet u përpiluan sërish, urdhëri shkresor zëvendësohet nga ai verbal. Komisariatit rrugor Tiranë duhej t’i tregohej pushteti i zyrtarëve të rinj. Në orët e vona të së martës, datë 27 maj, u mor vendimi për linçim të komisariatit rrugor Tiranë. Vendimi u mor nga një grup i ngushtë drejtuesish të Policisë së Shtetit. Nuk ishte e lehtë t’iu komunikohej ky vendim, pasi ata që do ndëshkoheshin ishin njerëzit e promovuar nga vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri (i vetmi sektor në Policinë e Shtetit që e ka justifikuar besimin e dhënë me rezultate të prekshme). Drejtuesit e policisë rrugore u “prenë në besë”, ata po ndëshkoheshin në kulmin e suksesit të tyre. Pasi mori vesh “puçin” ndaj tij, shefi i komisariatit Dritan Bona për arsye “shëndetësore” nuk u paraqit në “gjyqin” që iu bë me datën 30 maj, ku ishte i pranishëm drejtori i përgjithshëm, Didi. Nuk kishte çfarë t’u thoshte punonjësve të tij, të cilët për 7 muaj i kishte motivuar dhe i kishte drejtuar me profesionalizëm në përmirësimin e trafikut rrugor Tiranë. T’u thoshte se një grup drejtuesish në Policinë e Shtetit po e godisnin atë dhe ekipin drejtues për shkak të rezultateve, apo se zbatimi i ligjit me përpikmëri është mundësia më e mirë për masa ndëshkuese dhe jo për t’u promovuar në detyrë. Në të gjithë këtë “telenovelë” të brendshme në Policinë e Shtetit, ministri i Brendshëm ka detyrimin t’u faktojë qytetarëve çfarë ka ndodhur dhe çfarë do të ndodhë me këta punonjës policie. Në dijeninë time, bazuar në Rregulloren e Disiplinës e miratuar me V.K.M Nr.786, datë 4.6.2008 të gjithë punonjësit e ndëshkuar e kanë ankimuar masën.

Si gazetar dhe qytetar, i kërkoj publikisht ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi që bazuar nenin 38, pika 6 e Rregullores se Disiplinës, të lejojë median të jetë e pranishme në Mbledhjen e Komisionit të Apelimit për shqyrtimin e ankesave të punonjësve të policisë. Të bëjnë me dije për publikun se cilat janë shkeljet e vëreta që efektivët kanë kryer? A përbëjnë këto shkelje rast për përjashtime nga policia? A është në proporcion shkelja me masën e dënimit? A janë shkelur procedurat nga Drejtoria e Standardeve? A ka elementë të veprës penale? Dhe një pyetje e fundit: po në rreth a ka polici rrugore, nëse po, a ka patur inspektime ndaj tyre dhe cili ka qenë rezultati? Këto pyetje dhe të tjera rreth këtij debati presin përgjigje nga titullarët që dhanë urdhër për ndëshkim. Në rast se ata punonjës policie dalin të pafajshëm nga shqyrtimi i ankimit, dy drejtuesit e lartë, Tahiri dhe Didi duhet që moralisht t’u kërkojnë falje publikisht për linçimin e kryer, pasi për qejfprishje të drejtuesve nuk mund të baltosen efektivë karriere në polici. Edhe nëse ata dalin të pafajshëm, nuk do të kenë më të njëjtin motivim. Para se të linçojnë publikisht punonjësit e policisë, drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, mund të marrin në konsideratë rekomandimet e PAMECA-s për shtimin e operatorëve tek salla operative si dhe shtimin e pajisjeve teknologjike, të rrisin cilësinë, duke rritur me mbi 100 efektivë organikën e komisariati rrugor tiranë, në mënyrë që t’i përafrohen standardit europian, të merren seriozisht me ankesat e qytetarëve për gjoba abuzive të punonjësve të patrullës së komisariateve, gjoba këto të vendosura në rrugë dytësore dhe pa sinjalistikë, të rrisin nivelin e karburantit dhe të ndryshojnë automjetet e policisë rrugore, të shtojnë numrin e radarëve Dopler e të tjera problematika, që Policia Rrugore sot ka dhe që askush nuk guxon t’i përmendë në publik.

BalkanWeb

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here