Home Politike Ja cilat janë ngjarjet që do të “trondisin” vendin në 2011-ën

Ja cilat janë ngjarjet që do të “trondisin” vendin në 2011-ën

1293
0

Qetësisë së tre ditëve të para të këtij viti i erdhi fundi, për t’ia lënë radhën një viti plot zhurmë e kaos, sidomos situatës politike. Viti i ri që sapo ka nisur ka një sërë sfidash të cilat do ta bëjnë atë një nga vitet më dinamik dhe intensiv.Dy ditë ka zgjatur qetësia e rrugëve, dyqaneve, shesheve dhe sallave të politikës së Tiranës. Zgjedhjet lokale janë evenimenti më kryesor, por edhe ngjarje të tjera meritojnë vëmendje të posaçme. Kështu Parlamenti ka për detyrë të miratojë një seri ligjesh, të cilat pa konsensusin e opozitës do të mbeten ende në sirtarët e Kuvendit. Reforma zgjedhore e cila ka mbetur pezull për shkak të mungesës së opozitës duhet të përfundojë sa më parë që të bëhen të mundura një palë zgjedhje të cilat nuk do të kontestohen. Këtë vit priten edhe tre vendime të tjera të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese, seancat e të cilave u zhvilluan në dhjetorin e shkuar. Bëhet fjalë për kërkesën e socialistëve për papajtueshmërinë e mandatit të disa deputetëve demokratë që fituan mandatin e deputetit pa dhënë më parë dorëheqjen si kryetarë bashkish apo komunash, për kërkesën për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit Ilir Beqja, kompania e të cilit përfitoi fonde publike nga Bashkia e Durrësit pasi Beqja ishte zgjedhur deputet dhe kërkesën e demokratëve për interpretim për rotacionin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Ngjarjet

Nisja e protestave të opozitës
Në ditët në vijim opozita ka paralajmëruar se do t’i rikthehet protestave të mëdha për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të shkuara. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se nuk do të ketë asjnë hap pas përsa i përket kauzës së tyre. Protestat pritet të fillojnë që gjatë muajit janar dhe nuk dihet tamam se kur do të përfundojnë. Intensiviteti i protestave pritet të përcaktojë qartë dhe ecurinë e procesit zgjedhor të majit.

Nisja e regjistrimit të popullsisë
Ky fillim viti do të sjellë dhe nisjen e regjistrimit të popullsisë. Qeveria ka premtuar se pranvera e këtij viti do të sjellë dhe nisjen e procesit. Por regjistrimi i popullsisë do të hapë debate të ashpra pasi shumë janë të pa kënaqur për metodën e regjistrimit. Deri tani ka disa zëra që kanë dal kundër por që pritet të ketë një intensifikim kundërshtimesh.

Fushata elektorale
Ajo që do të jetë kulmi i këtij viti është padyshim fushata elektorale. Thuajse ka filluar që tani që të ashpërsohet gjuha mes dy kaheve politike ku pjesa më kryesore do të jetë e fokusuar në qytetet kryesore siç është Tirana, Durrësi, Elbasani apo dhe Korça. PD ka 10 vjet që nuk ka pasur një mandat në Tiranë dhe do të bëjë ç’të jetë e mundur për të rrëzuar Edi Ramën i cili nga ana tjetër do të kërkojë me forcë karrigen që i jep mundësi të luajë fort në politikë.

Zgjedhjet vendore më 8 maj
8 maji është dita e madhe ku shqiptarët do të shkojnë të hedhin votën për të zgjedhurin të parin e tyre në qeverinë vendore. Nëse nuk do të ketë ndonjë të papritur për t’i shtyrë zgjedhjet, beteja do të jetë shumë e fortë sidomos në Tiranë. PS ka thënë se zgjedhjet nuk do të mbahen nëse nuk bëhet transparenca e zgjedhjeve të shkuara, ndërkaq nga ana tjetër PD ka deklaruar se do të mbahen zgjedhjet qoftë edhe pa opozitën. Deri në 8 maj pritet të ndryshojnë shumë gjëra të cilat veç enigmës kanë dhe pasigurinë se çdo të ndodhë.

Vendimi për statusin e vendit kandidat
Vitin e shkuar Shqipëria e humbi mundësinë për të qenë një vend kandidat për në Bashkimin e Eurpoian, por kjo sfidë i ka kaluar vitit që sapo ka nisur. Gjatë muajve në vijim do të ketë një tjetër vendim për Shqipërinë, por më parë duhet zgjidhur çështja e situatës politike në vend që sa vjen e agravohet mes kaheve politikë. Edhe këtë vit përfaqësues të BE-së kanë thënë qartë se nuk ka vazhdim të procesit integrues nëse nuk zgjidhet ngërçi politik.

Situata ekonomike
Vitin e kaluar Shqipëria pati rritje ekonomike në krahasim me shumë vende të tjera por kjo nuk do të thotë se nuk u kap nga kriza. Edhe këtë vit situata ekonomike në vend mbetet shqetësuese. Shumë qytetarë po u humbasin vendet e punës dhe shumë biznese po falimentojnë. Qeverisë i mbetet të llogarisë mirë se si do të përballohet situata ekonomike kur nuk duket dhe aq e qetë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here