Ish-Drejtoresha Arsimore e qytetit të Lushnjes, Liza Tabaku, do duhet të kalojë 9 vite në burg për korrupsionin duke shfrytëzuar detyrën e saj. Ky është vendimi i dhënë nga Gjykata e Lushnjes e cila shpalli fajtore ish-zyrtaren e arsimit. Po ashtu, djali i saj i cili ishte ndërmjetësi mes personave që jepnin para në këmbim të vendeve të punës në arsim, u dënua me tre vjet heqje lirie. Me 1 vit burg u dënua Rigert Zeneli për të njëjtën akuzë, të ‘sekserit’.
Gjykata ka dhënë vendimin pak ditë më parë, ndërkohë që hetimi dhe gjykimi për këta persona është zhvilluar nën masën e sigurisë “arrest me burg”. Procedura është zhvilluar me gjykim të shkurtuar, pasi të pandehurit pranuan aktet në gjendjen që ishin në dosjen hetimore të Prokurorisë së Lushnjes.
Akuzat për Tabakun
Ish-drejtoresha arsimore Tabaku akuzohet për “Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në rrethanat rënduese ”më shumë se një herë” dhe ”Duke shpërdoruar funksionin publik”.
Akuzat për djalin e ish-drejtoreshës së arsimit
Xhonluko Tabaku, i akuzuar për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 parag.II i K.Penal, në rrethanën rënduese ”më shumë se një herë”.