Falja që kërkoi nëpërmjet rrjeteve sociale nuk mjaftoi për të rikthyer qetësinë e normalitetin në jetën dhe karrierën e Andi Lilës. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka udhëtuar ditën e djeshme drejt Janinës për të kuptuar se çfarë vendimi do të marrin këta të fundit kundrejt lojtarit, pas deklaratave dhe shakave të kripura që kishin në qendër figurën e priftit.
Videoja e publikuar nga hoxha Ahmed Kalaja, në të cilën Lila thoshte se kishte shtyrë dorën e një prifti, nuk u prit aspak mirë në shtetin fqinj, por as në Shqipëri nga të krishterët. Ajo shkaktoi një rebelim të madh të mediave greke, të cilat kërkonin menjëherë përjashtimin nga ekipi i Janinës.
Mirëpo, këta të fundit morën kohën e mjaftueshme për të marrë vendimin e duhur dhe për të zgjidhur gjithçka në mënyrën e duhur, ndoshta edhe për të mos i prishur punë futbollistit të tyre.
IRONIA
Si për ironi të fatit, rikthimi i Andi Lilës te Janina nuk është as në dorën e presidentit dhe as në dorën e drejtuesve të ekipit të Janinës. Falja e tij duhet të pranohet vetëm nga peshkopi i Janinës.
Ditën e djeshme, lojtari ka biseduar nga afër me drejtuesit e skuadrës dhe është rënë dakord që, në ditët e ardhshme, të ketë një takim me mitropolitin e Janinës, z. Maksimo, i cili do të vendosë nëse do të pranojë faljen e Lilës në emër të të gjithë të krishterëve apo jo. Për momentin, ende nuk dihet nëse ky i fundit do të pranojë të takohet me futbollistin shqiptar për të biseduar nga afër atë që ndodhi në grumbullimin e Kombëtares në Durrës.
Kanë qenë drejtuesit e skuadrës greke, ata që do të bëjnë ndërmjetësin mes futbollistit shqiptar dhe mitropolitit grek për të vendosur paqen, por portali grek “onsports.gr” shkruan që ende nuk dihet nëse ky i fundit do të pranojë faljen dhe takimin me Andi Lilën.
Qartazi nga kjo situatë kuptohet që skuadra në të cilën luan shqiptari është “e pafuqishme” për të vendosur për fatin e tij, por fillimisht duhet të marrë miratimin, përpara se Lila të flasë dhe t’i kërkojë falje personalisht mitropolitit të Janinës. Ditë më parë e vuri në lojë, sot pret faljen prej tij…
Nga videoja te deklarata e Lilës kundër mediave
– Andi Lila dhe Armando Sadiku shfaqen në një video në rrjetet sociale, të publikuar nga hoxha Ahmed Kalaja.
Në përmbajtjen e saj, futbollisti i PAS Janinës bën shaka dhe ironi me përfaqësuesit e klerit ortodoks.
– Ditën pasardhëse, atë të ndeshjes me Italinë, kjo gjë u kalua në heshtje.
– Prifti katolik i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Agustin Bardhi, ka kritikuar Andi Lilën në lidhje me përmbajtjen e videos.
– Ahmed Kalaja reagon në rrjetin social “Facebook” për të kërkuar ndjesë nëse përmbajtja e videos ka prekur besimtarët dhe përfaqësuesit e klerit ortodoks.
– Të hënën, Andi Lila bëri një reagim në rrjetet sociale, duke kërkuar ndjesë në gjuhë të huaj dhe duke i cilësuar si idiotësi ato që ishin thënë në atë video.
– Të martën, në përfundim të ndeshjes miqësore me Bosnjën, Lila akuzoi mediat: “Janë disa portale dhe gazeta koti që bëjnë disa tituj pa lidhje”, duke mos shprehur asnjë lloj pendese për atë që kishte ndodhur. Ai njoftoi edhe se: “Nesër (dje) do të shkoj në klub dhe kam një mbledhje. Të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Panorama Sport