Një super Inter ka bërë mrekullinë në “Allianz Arena”, duke mundur 3-2 Bajernin dhe duke u kualifikuar për në çerekfinale të Champions League. Zikaltërit kanë bërë një përmbysje spektakolare ndaj skuadrës së Luis Van Gal, duke shënuar dy gola në pjesën e dytë dhe duke nxjerrë jashtë loje bavarezët. Ka qenë një mbrëmje me emocione ajo e djeshmja në Mynih. Përpara ndeshjes ishin të paktë ata që besonin se Interi do të arrinte të fitonte ndaj një skuadre të mirëorganizuar dhe të frikshme në sulm. Madje, gjithçka u bë akoma më e pamundur në fund të pjesës së parë, kur Bajerni kryesonte 2-1 dhe ishte duke dominuar totalisht në pjesën e dytë. Por, edhe në këtë takim mbrojtja e skuadrës gjermane tregoi se nuk është në lartësinë e emrit të Bajernit. Uesli Shnajder dhe Goran Pandev përmbysën gjithçka në pjesën e dytë, por në fushë heroi ka qenë sërish ai, Samuel Eto, autor i një goli dhe i dy asisteve për golat e tjerë. Kamerunasi ka qenë makthi i mbrojtjes së Bajernit, duke u konfirmuar lideri absolut i këtij Interi. Me fitoren e mbrëmshme, zikaltërit ruajnë nderin e Serisë A italiane në Evropë. Interi është skuadra e vetme e Italisë që nuk është eliminuar nga kompeticionet e kontinentit, pasi një gjë të tillë e kanë bërë më parë Roma e Milani në Champions si edhe Napoli në Europa League.
Ndeshja
Pjesa e parë nisi me dy skuadra disi të kujdesshme, por pas vetëm 3 minutash Samuel Eto arrin të zhbllokojë shifrat. I shërbyer nga Pandev, kamerunasi niset nga një pozicion i dyshimtë dhe mposht portierin Kraft me një goditje tokazi. Eto edhe këtë herë ia dedikoi golin Japonisë, duke shkuar në stol për të takuar Nagatomon. Në minutën e 21-të, një goditje nga larg e Arjen Roben nuk kontrollohet nga portieri Zhulio Sezar dhe Mario Gomez me një gjysmë kthesë e dërgon topin në rrjetë. 10 minuta më pas, Arjen Roben fut një top pa shumë pretendime nga e majta dhe Tiago Mota e devijon, duke e kthyer në një asist perfekt për Tomas Myler. Ky i fundit nuk fal, duke mposhtur Zhulio Sezar me një goditje të bukur. Më pas, ndeshja është luajtur nën ritmin e bavarezëve. 4 minuta pas golit, një aksion i mrekullueshëm i nisur nga zona, bëri që Riberi të dilte vetëm me Zhulio Sezar, por këtë herë portieri brazilian bën mrekullinë. Minuta e 40-të sjell një tjetër moment të rrezikshëm. Gomez kthen drejt portës një top të vështirë, Ranokia e Myler futen me rrëshqitje, por topi largohet pasi kap shtyllën. Më pas është Roben që ka një shans të artë, pas gabimit të Ranokias, por godet rrjetën e jashtme. Pjesa e dytë nis më e qetë. Gjithsesi, Interi nuk e humbi toruan dhe Shnajder barazoi në minutën e 63-të, pas një asisti të Eto në hyrje të zonës. Van Gal në këto momente ndryshon gjithçka, duke hequr Roben për Altintop. Një lëvizje jo e goditur, sepse Interi pati më shumë hapësira. Dy minuta para fundit, Pandev shënon golin e triumfit, i shërbyer bukur nga Eto në zonë. Katër minutat shtesë nuk sollën asgjë dhe Interi kaloi më tej.