Home Kosova Inaugurimi i terminalit “Adem Jashari”, Thaçi pret Ramen dhe Erdogan

Inaugurimi i terminalit “Adem Jashari”, Thaçi pret Ramen dhe Erdogan

668
0

rama-thaciTre kryeministrat, ai i Shqipërisë Edi Rama, i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, do të takohen sot së bashku në Kosovë. Ata janë të ftuar nga kryeministri Hashim Thaçi, në inaugurimin e terminalit të ri në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”. Sipas asaj që shkruajnë mediat kosovare, në këtë eveniment nuk është ftuar ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha apo kreu aktual i opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha. Pas inaugurimit, të tre kryeministrat do të vizitojnë dhe qytetin e Prizrenit. Kryeministri turk vjen në këtë vizitë në Kosovë së bashku me bashkëshorten e tij me një axhendë të veçantë, e cila përfshin dhe vizita në institucione të ndryshme të Kosovës.

Një ditë më parë, gjatë një interviste për “Dojçe Velen”, kryeministri shqiptar, Edi Rama deklaroi se: “Ne po përgatitemi për të organizuar mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, që do të mbahet në muajin nëntor në Prizren. Kjo është pjesë e një praktike që nuk e shpikim ne, por që e konsiderojmë shumë të vyer, dhe që përdoret nga qeveri të tjera, për të jetësuar partneritetin strategjik, marrëdhënien e miqësisë dhe fqinjësisë, që sidomos në raportin mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të ngrihet në nivel të tillë, që ta bëjë vijën e kufirit të padukshme dhe që mes dy shteteve të krijojë kushte për zhvillim ekonomik, social dhe kulturor”. Rama njoftoi se praktika të tilla, pra mbledhje të përbashkëta qeverie po përgatitet të zhvillohen edhe me vende të tjera. Dhe një nga këto vende është Turqia. Gjatë vizitës që Rama së bashku me anëtarë të kabinetit të tij, pati në Turqi, pas fitores së zgjedhjeve, u ra dakord të punohet për këtë nismë. Ndërkohë, në vizitën e fundit që pati në shtator në Kosovë, Rama mbajti edhe një fjalë në Kuvendin e shtetit më të ri në Evropë. Rama vuri theksin tek projekti për të ardhmen e përbashkët mes dy shteteve, larg retorikave nacionaliste të së shkuarës apo deklaratave të dashurisë të shtetit amë ndaj shtetit bijë. “Vij me respektin e madh çfarë keni ditur të bëni për Kosovën në vetëm 5 vjet shtet dhe me disponimin më të plotë për të mësuar se rruga jonë është e bashkuar drejt familjes evropiane.

Nuk jam këtu për vazhdimin e retorikës së dashurisë së shtetit amë ndaj shtetit bijë, por jam për themelin e një aleancë mes të barabartëve, Shqipëri-Kosovë. Kufiri është e djeshmja, e ardhmja nuk ka kufi; që e djeshmja të mos e kushtëzojë të ardhmen, duhet bërë një gjë me vijën e padukshme: të mos shihet. Retorikat nacionaliste të së shkuarës të mos i dëgjojmë. Le të projektojmë të ardhmen. Mezi pres mbledhjen e përbashkët në Prizren dhe miratimin e axhendës së saj për të konkretizuar projektet”, – u shpreh Rama para ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës. Në këtë fjalim ai vlerësoi edhe kontributin e paraardhësit të tij, Berisha për projektin TAP. Duke prekur temën më të nxehtë për shqiptarët, marrëdhëniet me fqinjët, Rama shpalosi idenë e kthimit të Preshevës në shembullin e pakicave dhe lajtmotiv të dialogut Kosovë-Serbi. Ndërkohë, duke sjellë në vëmendje çështjen çame, Rama tha se zgjidhja do ketë në themel traktatin e bashkëpunimit me Greqinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here