Rënia e intensitetit të luftimeve në Siri duket se po sjell sa efekte pozitive ashtu edhe negative për shqiptarët që janë implikuar në këtë luftë. Ana pozitive e zvogëlimit të ritmit të luftimeve mes qeverisë dhe rebelëve qëndron në faktin se tashmë kundërshtarët e regjimit kanë ulur kërkesat për ndihmë njerëzore. Për pasojë, tashmë kanë nisur edhe kthimet e atyre shqiptarëve që kanë luftuar atje. Pas kthimit në Shqipëri, mund të kërkojnë rrëzimin e qeverisë laike, apo të kryejnë veprimtari terroriste kundër popullsisë civile në Shqipëri.
Një agjenci ligjzbatuese shton se “Ekstremistë shqiptarë mund të besojnë se duke luftuar në Siri, do të vendosin shtetin islamik dhe Sheriatin”. Dhe kjo mund të kërkohet në një kohë kur një qeveri siriane post-Assad duket se do të jetë laike dhe përfaqësuese e popullit sirian. Nga ana tjetër, të njëjtat burime theksojnë se, vetëkënaqësia publike për xhihadistët shqiptarë, dëmton reputacionin rajonal dhe ndërkombëtar të Shqipërisë dhe është shqetësim për Kombin. Shqiptarët dhe imamët shqiptarë shqetësohen gjithashtu edhe për faktin se të tillë individë mund të rikthehen në Shqipëri, akoma më radikalë dhe të dhunshëm, gjë që mund të shkaktojë edhe mungesë stabiliteti në vend. Autoritetet e sigurisë në botë vlerësojnë se rreth 1.000 xhihadistë vullnetarë nga e gjithë Evropa janë tani në Siri.
Mesazhi i Imamit
Ahmet Kalaja, Imam dhe ligjërues i nderuar i xhamisë së “Rrugës së Kavajës” përforcon publikisht tezën që mbron shumica e klerikëve muslimanë shqiptarë, kur thotë se “Zor se gjen një nënë apo baba sot në Shqipëri që i jep lejë djalit të sakrifikojë jetën”. Kësisoj, Kalaja mbron tezën e klerikëve të lartë muslimanë se duhet marrë lejë nga familja, para se të bëjë Xhihad, një mundësi kjo tepër e pamundur për realitetin shqiptar. Fatmirësisht komuniteti dhe familjet shqiptare apo dhe drejtuesit shpirtërorë fetarë në Shqipëri, që mund të jenë në gjendje të identifikojnë individë të tillë të dobët, do të mund të ndikojnë tek ta përpara se të indoktrinohen në atë pikë të radikalizmit, sa të dërgohen për të gjetur një vdekje të panevojshme, larg prej shtëpive të tyre.
Shqiptarët e vrarë për Xhihad
Deri tani të paktën 3 shtetas shqiptarë janë vrarë për shkak të këtyre ideve të ashtuquajtura xhihadiste. Në fund të nëntorit 2012, Anri Maliqi, 34 vjeç, i martuar dhe baba i tre fëmijëve, u vra duke luftuar bashkë me luftëtarë të tjerë radikalë në Siri. Ka lënë jetimë 3 fëmijët, ndërkohë që familja përpiqet të fshehë rrethanat sesi vdiq dhe me kë ishte. Disa muaj më vonë, u vra gjithashtu duke luftuar në rradhët e një grupi ekstremist, Ermal Xhelo, i njohur edhe me emrin Ebu Umer, pjesë e grupit ekstremist të njohur si “Jibhat al-Nur”, që vepron në rrethinat e Alepos në Siri.