Arben Frroku, biznesmeni i dyshuar për ekzekutimin e krye-komisar Dritan Lamajt, “zbarkon” në tokën shqiptare. Pas afro dhjetë muajsh qëndrimi në qelitë e burgjeve greke, Frroku dje u ekstradua drejt vendit tonë. I shoqëruar nga agjentët e Interpolit, biznesmeni zbriti në Rinas, pasi udhëtoi nga kryeqyteti helen, me një avion të linjës Athinë-Tiranë. Rinasi ishte “blinduar” nga dhjetëra forca policie, për të shmangur çdo incident të mundshëm. Biznesmeni Frroku, po nën masa të rrepta sigurie, drejt paraburgimit Jordan Misja (Burgu 313). 24 orë më parë, në rrugë tokësore është ekstraduar nga shteti fqinj, Jak Jaku, kushëriri i biznesmenit Frroku. Në Rinas, për të pritur biznesmenin, kishte mbërritur avokati i tij, Tonin Prendi, i cili ka zhvilluar përgjatë këtyre dhjetë muajve, beteja të “forta” me drejtësinë. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim të datës 26.02.2013, ka caktuar ndaj Frrokut, masën e sigurisë “Arrest në burg“, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Athina drejt vendit tonë, i 31-vjeçarit Jak Jaku. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 26.02.2013, ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për Jakun, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “Prodhim e shitje të lëndëve narkotike”. Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e vrasjes së Kryekomisar Dritan Lama, më datë 25 shkurt 2013 është ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku u gjetën e sekuestruan 529 gr heroinë, 396 gr kokainë dhe 37 gr kanabis sativas, si dhe disa armë zjarri që mbaheshin pa leje.
Ekstradimi
i biznesmenit
Avioni që udhëtoi nga Athina në Tiranë, në bordin e të cilit ndodhej Arben Frroku, preku tokën shqiptare, në orën 17:00 minuta të pasdites së të premtes. Pasi nga bordi i mjetit fluturues, dolën të gjithë pasagjerët, i rrethuar nga agjentët e Interpolit, me pranga në duar, edhe biznesmeni i dyshuar, u largua prej andej me furi.
Pasi kreu procedurat e mbërritjes në Shqipëri, nën masa të rrepta sigurie, 45-vjeçari nisi rrugën drejt Burgut 313, ku do të qëndrojë nuk dihet përsa kohë. I dyshuari për vrasjen e ish-shefit të Komisariatit të Kombinatit, nuk e ka pranuar asnjëherë përfshirjen në krimin e rëndë, madje këmbëngul se ndodhej larg Tiranës, në momentin që u krye atentati që i mori jetën Dritan Lamajt. Për 48 orë, Frroku, do të qëndrojë i izoluar në një qeli të veçantë, derisa të vendoset në një qeli të paraburgimit.
Hetimet
për ngjarjen
Prokuroria e Krimeve të Rënda mori që në krye të herës në duar hetimin e ekzekutimit mafioz të zyrtarit të lartë të policisë. Dritan Lamaj u qëllua për vdekje me 12 plumba, mbrëmjen e 24 shkurtit 2013, në zonën e “Vasil Shantos” në Tiranë, 200 metra larg nga pallati ku banonte. Biznesmeni Arben Frroku, u arrestua pak orë pas kësaj ngjarje, në një hotel në Selanik të Greqisë, pas dyshimeve për përfshirje në ngjarjen e rëndë. Bashkë me të, u vu në pranga dhe djali i dajës së tij, Jak Jaku. Sipas prokurorisë, motiv i krimit të rëndë, dyshohet të jenë përplasjet e forta publike, mes viktimës dhe biznesmenit Frroku. Për ekstradimin e këtij të fundit, vendosi drejtësia greke, pas një maratone të gjatë seancash gjyqësore. Mandej, ministri grek i Drejtësisë, vuri firmën e tij, duke ndezur dritën jeshile për sjelljen e Frrokut në Tiranë.