Home Politike ILDKP: Rama i pastër, dyshime për Priftin. Po hetohen Bregu e Vokshi

ILDKP: Rama i pastër, dyshime për Priftin. Po hetohen Bregu e Vokshi

724
0

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka publikuar sot të dhënat e verifikimit të detajuar të pasurisë së 200 zyrtarëve, mes të cilëve kryetari i Bashkisë Tirane, Edi Rama, deputetja e PD-se Albana Vokshi, ish ministri i Ekonomise Dritan Prifti dhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu.

Sipas ILDKP të dhënat e vetëdeklaruara nga Edi Rama në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë kanë përputhje me verifikimet e bërë nga inspektoriati në të gjithë regjistrat publikë dhe private. Inspektorati i Lartë ka kërkuar informacion nga Bashkia Tiranë për marrëdhënie që mund të kishte krijuar shtetasi Dritan Avllaj me këtë institucion. Nga përgjigja zyrtare e Bashkisë Tiranë rezulton se ky shtetas, për të cilin ka pasur diskutime në media se ka lidhje interesash private me subjektin Edi Rama, nuk ka lidhur kontrata dhe nuk ka përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë

ILDKP ka hedhur disa dyshime për vënien e pasurisë nga disa zyrtarë. Ish Ministri I Ekonomisë Dritan Prifti është gjobitur me 300.000 lekë për konflikt interesi në emërimin e Rasim Hamzaraj, më 23.09.2009, si Anëtar i Këshillit Mbikqyrës së OST, duke qenë se ai konsiderohej “person i besuar” me subjektin, pasi kishte në administrim kapitalet e bashkëshortes së subjektit Prifti pak ditë para emërimit, më 10.09.2009. Po ashtu, ILDKP ka gjobitur shtetasin Rasim Hamzaraj me 30.000 lekë për “Refuzim për deklarim me kërkesë nga ana e personit të lidhur”. Pasuri e deputetes së PD-së Albana Vokshi është në proces verifikimi por ILDKP ka gjobitur 30.000 lekë bashkëjetuesin e saj Arian Tartari për “Refuzim për deklarim me kërkesë nga ana e personit të lidhur”. Ministrja Maljinda Bregu është gjithahshtu nën hetim, verifikimi I pasurisë së saj është në proces.

Deklarata e plote e ILDKP-se
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka përfunduar kontrollin e plotë për mbi 200 zyrtarë, një pjesë e përzgjedhur nga shorti i zhvilluar në muajin Prill 2010, si edhe disa subjekte të tjerë, të cilët i janë nënshtruar hetimit administrativ gjatë muajve të fundit.
Për disa subjekte, të cilët kanë rezultuar në shkelje të ligjit, ILDKP ka kërkuar nisjen e procedimit penal nga organi i Prokurorisë për “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike”; si edhe ka aplikuar masën administrative “gjobë” për rastet e “konfliktit të interesave” dhe për disa shkelje të ligjit nr.9049, dt.10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë”.

Nga të dhëna të mbledhura gjatë procedurës së hetimit administrativ, ILDKP ka krijuar dyshime të arsyeshme se disa subjekte deklarues dhe personat e lidhur me ta kanë kryer veprime të kundërligjshme në mënyrën e krijimit të pasurive që disponojnë, të cilat kërkojnë veprime të mëtejshme investiguese. Mospërmbushja e detyrimit ligjor për deklarim të interesave private “me kërkesë” nga ana e personave të lidhur me subjektet deklarues dhe pamundësia ligjore e ILDKP për të penalizuar “personin e lidhur” tej masës administrative “gjobë” kanë kufizuar aktet verifikuese të Inspektoratit të Lartë. Nisur nga këto raste që ILDKP ka pasur dhe vijon të ketë në proces kontrolli, hetimi i të cilave është i kufizuar për shkak të pamundësisë ligjore për të kryer hetime të detajuara në rrethin e “personave të lidhur”, shihet si domosdoshmëri miratimi nga ligjvënësi i amendimit të nenit 257/a i Kodi Penal, si edhe amendimet e sugjeruara nga Inspektorati i Lartë për ligjin nr.9049, dt.10.4.2003 dhe ligjin nr.9367, dt. 7.4.2005, mbi të cilat funksion institucioni.

Duke vlerësuar maksimalisht interesimin e publikut mbi hetimin administrativ për pasuritë e zyrtarëve, duke nxitur opinionin e gjerë, median, shoqërinë civile dhe faktorin politik për bashkëpunim të mëtejshëm me ILDKP, si edhe duke cilësuar shumë të rëndësishëm çdo informacion mbi situata të dyshuara korruptive, të cilat shkojnë përtej komenteve mbi të dhënat e vetëdeklaruara nga zyrtarët në formularët e pasurisë, më poshtë paraqiten disa nga rezultatet e kontrollit ndaj subjekteve deklarues, sipas rendit kronologjik të fillimit të hetimit:

– Subjekti Edi Rama, me funksion Kryetar i Bashkisë Tiranë
Ka kaluar në kontroll të plotë, i përzgjedhur nga shorti i zhvilluar në 29.04.2010. Në përfundim të procedurave investiguese, rezulton se ka përputhje mes vetëdeklarimit nga ana e subjektit dhe të dhënave të marra nga ILDKP në të gjithë regjistrat publikë dhe privatë. Gjatë veprimeve kontrolluese, Inspektorati i Lartë ka kërkuar informacion nga Bashkia Tiranë për marrëdhënie që mund të kishte krijuar shtetasi Dritan Avllaj me këtë institucion. Nga përgjigja zyrtare e Bashkisë Tiranë rezulton se ky shtetas, për të cilin ka pasur diskutime në media se ka lidhje interesash private me subjektin Edi Rama, nuk ka lidhur kontrata dhe nuk ka përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë

– Subjekti Dritan Prifti, me funksion deputet, ish-ministër i METE
Ka kaluar në kontroll të plotë pas informacioneve në media më 27.07.2010. Në përfundim, ILDKP ka krijuar dyshime të arsyeshme se nga ana e subjektit dhe nga “personi i lidhur” me të, bashkëshortja, znj. Meri Prifti, janë kryer veprime të kundërligjshme në mënyrën e krijimit të pasurive, në rastin e rritjes së përqindjes së aksioneve në “FORTIS 2” sh.p.k pa dhënë asnjë kontribut real në vlerë apo në natyrë, përveç kapitalit fillestar; si edhe në realizimin e kontratës së shit-blerjes së aksioneve në këtë shoqëri në vlerën 242.704.970 lekë, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr.9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.
Gjithashtu, subjekti Dritan Prifti është gjobitur me 300.000 lekë gjobë për shkak të konfliktit të interesave, si Ministër, në emërimin e shtetasit Rasim Hamzaraj, më 23.09.2009, si Anëtar i Këshillit Mbikqyrës së OST, duke qenë se ai konsiderohej “person i besuar” me subjektin, pasi kishte në administrim kapitalet e bashkëshortes së subjektit Prifti pak ditë para emërimit, më 10.09.2009.
Po ashtu, ILDKP ka gjobitur shtetasin Rasim Hamzaraj me 30.000 lekë për “Refuzim për deklarim me kërkesë nga ana e personit të lidhur”
Për shkeljet e evidentuara, ILDKP ka vënë në dijeni organin e Prokurorisë, Ministrinë e Financave, Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për të vijuar hetimin dhe kontrollet në kompetencë të tyre.

– Subjekti Albana Vokshi, me funksion Deputet
Kontrolli ka nisur më 30.07.2010 për shkak të dyshimeve në media. ILDKP po vazhdon procedurën e hetimit administrativ, ndërkohë që ka gjobitur me 30.000 lekë shtetasin Arian Tartari për “Refuzim për deklarim me kërkesë nga ana e personit të lidhur”. Mungesa e ndëshkimit në Kodin Penal për mospërmbushjen e detyrimit për deklarim nga ana e “personit të lidhur” detyron ILDKP të mos marrë masa të mëtejshme.

– Subjekti Majlinda Bregu, me funksion Ministër i Integrimit
Ka kaluar në kontroll të plotë më 17.08.2010 për shkak të disa informacioneve që kanë mbërritur në ILDKP në numrin pa pagesë 0800-9999. Eshtë ende në proces hetimit administrativ, pasi është në shqyrtim edhe “deklarimi me kërkesë” i “personit të lidhur” me subjektin Majlinda Bregu, shtetasi Hektor Ajazi, i cili e ka dorëzuar formularin e interesave private në Inspektoratin e Lartë.

– Subjekti Kujtim Qefalia, me funksion Kryetar i Komunës Dajt, Tiranë
Ka kaluar në kontroll të plotë më 23.09.2010. Për të kryer hetime të mëtejshme dhe të thelluara, ILDKP ka njoftuar shtetasin Ylber Kalaja, “person i lidhur” me zyrtarin për të bërë “deklarim me kërkesë”. Ky detyrim nuk është përmbushur nga shtetasi Kalaja dhe, për këtë arsye, Inspektorati i lartë e ka gjobitur me shumën 30.000 lekë për “Refuzim për deklarim me kërkesë nga ana e personit të lidhur”.

– Inspektorati i Lartë ka kërkuar nisjen e procedimit penal bazuar në nenin 257/a të Kodit Penal, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike” për subjektet;
Astrit Farruku, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Burrel, për dyshime mbi krijimin e vlerës monetare 55.000 euro për blerje apartamenti;
Adil Agolli, ish-Doganier, Qafë Thanë, për mosmbulim me burime të ligjshme të shumës 3 milionë lekë të reja, si edhe për rivlerësimin e asetit ndërtesë në pronësi të tij.
Joana Konomi, ish-Përmbaruese Gjyqësore, për mosmbulim me të ardhura të detyrimeve financiare të saj dhe bashkëshortit, në shumën 115.000 euro;
Arben Aliu, ish-Doganier, Kukës, për mosdeklarim dhe mosmbulim të disa llogarive bankare në shumën totale 2.8 milionë lekë të reja

Gjithashtu, ILDKP gjatë periudhës Prill-Tetor 2010, ka vendosur masat administrative “gjobë” për 12 zyrtarë, të gjendur në kushtet e konfliktit të interesave. Më konkretisht:
1.    Besard Banushi Inspektor, Tatime Gjirokastër     100,000 lekë
2.    Endrit Maloku Inspektor, Tatime Fier     100,000 lekë
3.    Isa Ramaj     Kryetar Komune Qendër M.Madhe     100,000 lekë
4.    Ledina Ferko     Inspektore, Tatime Fier     100,000 lekë
5.    Vjollca Dokolli Inspektore,Tatime Tiranë     100,000 lekë
6.    Halil Cara Doganier Durrës     100,000 lekë
7.    Ylli Muho     Kryetar Komune Antigone Gjirokoastër    100,000 lekë
8.    Ened Kosova     Doganier Kapshticë     100,000 lekë
9.    Denada Kote Inpektore, Tatime Elbasan     150,000 lekë
10.    Perikli    Zisi Drejtor i Auditit, Bashkia Sarandë     10,000 lekë
11.    Osman Balani Drejtor Ekonomik, Bashkia Sarandë     10,000 lekë
12.    Syrja Ormënaj     Kryetar Bashkie, Ura Vajgurore     200.000 lekë

Hetimi administrativ mbi situatën e mundshme të konfliktit të interesit për zyrtarin Syrja Ormënaj ka mbërritur në ILDKP nga një shtetas. Në përfundim të hetimit administrativ, Inspektorati i Lartë konstatoi konfliktin e interesave në rastin e një vendimmarrje, ku ka pasur interesa të drejtëpërdrejta vëllai i tij, pasi nuk e ka zgjidhur situatën sipas kërkesave ligjore.
Ndërkohë, të gjithë zyrtarët e tjerë, pasi janë gjobitur, e kanë zgjidhur konfliktin e vazhdueshëm të interesave.

Inspektorati i Lartë po vazhdon procedurat e hetimit administrativ për zyrtarët e lartë, të cilët kanë kaluar në kontroll të plotë në Shtator 2010.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here