Home Sociale Ilaçe kontrabandë, kapen 500 kuti në një farmaci në Laprakë.

Ilaçe kontrabandë, kapen 500 kuti në një farmaci në Laprakë.

1103
1

Ilace-2Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore në bashkëpunim me oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar, kanë bllokuar një sasi të konsiderueshme ilaçesh, që futej kontrabandë në vendin tonë. Bëhet fjalë për rreth 90 lloje barnash, që u përkasin grupeve terapeutike të ndryshme, ndërsa janë bllokuar në cilësinë e provave materiale 500 kuti medikamentesh me nga 2-3 kuti për lloje bari. Ilaçet futeshin kryesisht nga Italia dhe Greqia, ndërsa sekuestrimi u bë në një subjekt farmaceutik në afërsi të Spitalit Universitar të Traumës (ish-Spitali Ushtarak), në Laprakë.

Ajo që vlen të theksohet është fakti se barnat e sekuestruara nuk kishin të aplikuar në paketim pullën e kontrollit të barnave, të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Për më tepër, disa prej tyre, që kërkojnë kushte specifike ruajtjeje dhe shpërndarjeje, u gjetën të vendosura në ambientet e farmacisë në kushte krejtësisht të papërshtatshme, duke vënë në rrezik sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin e tyre.

Ndër barnat e sekuestruara ka nga ato që përdoren gjerësisht apo dhe për trajtime afatgjata të pacientëve, si: Lercanil, Lercanidipin, Atovarstatin, Zoloft, Miotens, Nexium, Esomeprazol, Flagyl, Tachipirina etj.

Kjo do të thotë se disa prej tyre iu përkasin citostatikëve apo, thënë ndryshe, barnave që përdoren për kurimin e sëmundjeve kancerogjene, që, pavarësisht rëndësisë që kanë, janë importuar dhe vendosur në tregun farmaceutik vendas në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për barnat dhe shërbimin farmaceutik. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë edhe fotot, ku duken qartë vendi në të cilin mbaheshin këto barna si dhe sasia e tyre.

APELI

Duke u nisur nga rasti në fjalë, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore u drejtohet të gjithë qytetarëve dhe përdoruesve të barnave, që në çdo rast para se të blejnë një bar në farmaci, duhet të kontrollojnë nëse bari është i pajisur me pullën e kontrollit të lëshuar nga Agjencia, si garanti i vetëm i sigurisë dhe cilësisë së barit. Po ashtu, theksohet se AKBPM në bashkëpunim me të gjitha institucionet ligjzbatuese është e vendosur në përpjekjet e saj për goditjen me sukses të kontrabandës së barnave, me synimin e vetëm, eliminimin në maksimum të këtij fenomeni, për një treg farmaceutik të formalizuar, i cili respekton dhe zbaton të gjitha procedurat ligjore në fuqi në vendin tonë.

1 COMMENT

  1. Pacientet nuk dine gje per kushtet skandaloze ku ruhen i lacet, po gezohen se i gjeten, po kontrolloret t'mos bien ne kompromis me farmacistet e t' mos i "falin" mbasi i denoncojne ne medja, se ata qe futin kondraband ilace, jane te tipit te babait te Ministrit te Brendshem, S. Tahiri, qe ka dhene prova se merret me kete pune. Mos denonconi e mandej te fshiheni pas gishtit. Burg, ashtu si thote kryeministri per ata qe shkelin rregullat e lojes, se keto tipa masandej blejne voten te fukarenjte e krijohet shteti mafjoz si po tregon koha. Lufte kontrabandes se cfaredo gjeje qe asht jashte rregullave, ndryshe do te vazhdojme te notojme ne ujera te turbullta e shtetin ta kene mafiozet e paskrupuj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here