Home Sport I pasuri Samuel Eto dhe “i varfri” Erion Bogdani, yjet e Serisë...

I pasuri Samuel Eto dhe “i varfri” Erion Bogdani, yjet e Serisë A

1431
0
– 8 milionë euro në vit është kontrata e Samuel Etosë me Interin. Pa dyshim që kamerunasi mbetet ndër më të paguarit e Serisë A.
– 280 mijë euro në vit është paga e Erjon Bogdanit te Çezena. Sulmuesi shqiptar fiton sa nje e treta e shumës së rrogës mujore të Etosë.
Java e tretë e Serisë A u ka dhuruar futbolldashësve italianë, por edhe më tej, një kampionat të ekuilibruar dhe plot me surpriza. Pas barazimit “in-extremis” me Bolonjën. Roma e Totit dhe e trajnerit Ranieri është futur në krizë të plotë, ndërsa Juventusi është ringritur me një fitorë bindëse 4-0 në Udine. Ka befasuar edhe Napoli, që ka fituar në fushën e Sampdorias. Gjithsesi, në “kopertinën” e javës janë dy protagonistë të skuadrave kryesuese, Interit dhe Çezenës, Samuel Eto dhe Erjon Bogdani. Të dy e kanë nisur vrullshëm kampionatin, duke shënuar rregullisht. Të dy janë shfaqur në fushë në të njëjtën mënyrë, por kur vjen puna te pagat e tyre, kanë shumë ndryshim. Eto është ndër më të paguarit në Itali, ndërsa “bomberi” shqiptar ndër titullarët më pak të kushtueshëm.
Pas një viti me shumë sakrifica nën urdhrat e Hoze Mourinjos, Samuel Eto është liruar nga obligimet mbrojtëse, duke shpërthyer me gjithë potencialin e tij sulmues. Golat ndaj Palermos janë emblema e një talenti të lindur, ku ndërthuren teknika dhe fuqia. E pa dyshim ka marrë përsipër të “mbulojë” edhe Militon, që në këtë fillim sezoni nuk e sheh portën si kampionatin e kaluar. Ndoshta është në kërkim të formës më të mirë. Eto ka shënuar tre gola në tri ndeshje dhe duket se është gati të bëjë diferencën edhe në listën e golashënuesve. Karriera e tij flet qartë: 117 gola në 338 ndeshje të zhvilluara. Një mesatare impresionuese për një futbollist të jashtëzakonshëm, që fiton 8 milionë euro (neto) në vit.
Pozicioni në klasifikim dhe golat e shënuar i bashkangjitin Etosë Erjon Bogdanin e Çezenës. “Pyka” shqiptare, pavarësisht fillimit shumë të mirë, mund të krahasohet me Etonë edhe sa i përket llogarisë bankare. Bogdani, në fakt, fiton në vit 280 mijë euro, thuajse sa një e treta e shumës që fiton Samuel Eto në një muaj. Çezena ka fituar një ndeshje shumë të vështirë me Leçen, duke shfaqur sërish një futboll të freskët dhe shumë të shpejtë. Pikërisht atë futboll që Alegri do të dëshironte ta shihte te Milani i tij. Erjon Bogdani luan prej më se 10 vjetësh në kampionatin italian, ku ka ndërruar shtatë skuadra nga Seria A dhe B. Çezena me lojtarë të rinj shumë të shpejtë nga krahët, i jep më shumë vlerë lojës së shtatlartit shqiptar. Shumë vetë janë gato të vënë bast për Bogdanin se do të arrijë numrin dyshifror të golave të shënuar. Ndërsa Zllatan Ibrahimoviç, që fiton 750 mijë euro në muaj, lodhet shumë për të bërë diferencën (më shumë lodhet për të reaguar në mënyrë të turpshme ndaj Arrigo Sakit), “i varfri” Bogdani bën detyrën: e dërgon topin në rrjetë dhe e mban në krye Çezenën, që vjen nga Seria B.
“Milanin e mundëm më lehtë se Leçen”
Erjon Bogdani i ka bërë të gjithë për vete. Në fillim me golin me kokë ndaj Milanit e së fundmi me një të majtë tokazi ndaj Leçes. Gol shumë i rëndë, që e lejon Çezenën t’i shohë të gjithë kundërshtarët në kampionat nga lart (bashkëkryeson me Interin, kampionen në fuqi të Italisë dhe Europës). “Ishte goli i parë që shënova nga harkorja e detit, ndaj ishte shumë emocionuese. E dija që ndaj Leçes do të ishte shumë e vështirë, ndaj jam shumë i kënaqur me tri pikët. E patëm shumë më të vështirë të mundnim Leçen sesa Milanin. Kemi fituar tri pikë përballë kundërshtarit direkt për të shpëtuar nga rënia. Kryesojmë renditjen, por nuk duhet të kemi iluzione, sepse do të vijnë edhe momentet e vështira. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, ndonëse tifozët kanë të drejtë të ëndërrojnë,” – është shprehur Bogdani pas ndeshjes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here