Home Sport Holanda në finale pas 32 vjetësh

Holanda në finale pas 32 vjetësh

674
0

Holanda i ka dhënë fund pritjes 32 vjeçare për t’u rikthyer në një finale Botërori. Tulipanët mposhtën Uruguajin me rezultatin 3 me 2 dhe presin emrin e kundërshtarit që do përcaktohet nga ndeshja Gjermani-Spanjë.

Ndeshjen ndaj amerikano-latinëve, tulipanët e nisën vrullshëm, teksa që në minutën e katërt Kajt merr një top brenda zonës pas një pasigurie të portierit uruguajan Muslera, megjithatë goditja e sulmuesit holandez është e pasaktë. Atë që nuk bëri Dirk Kajt e bën mbrojtësi dhe kapiteni Van Bronkhorst në minutën e 18-të. 35 vjeçari godet me të majtën nga një distancë mjaft e largët dhe shënon një supergol në portën uruguajane duke zhbllokuar rezultatin.

Katër minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të pjesës së parë të takimit Diego Forlan i kundërpërgjigjet golit të Van Bronkhorst. Sulmuesi uruguajan pasi shmang një lojtar holandez, godet me të majtën dhe gjen golin e barazimit. Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1.

Minutat e para të pjesës së dytë nisin me mirë për skuadrën e Oskar Tabarez. Uruguajanët tregohen më agresivë në fushë dhe vendosin disa herë në vështirësi mbrojtjen holandeze, por pa arritur ta çojnë topin pas shpinës së Stekelenburg.

Rizgjimi i tulipanëve mbërrin në minutën e 70-të të takimit kur një goditje e Shnajder, pasi devijohet nga 2 mbrojtës uruguajanë përfundon në cepin e majtë të portës së Musleras. Holanda kalon në avantazh. Vetëm 3 minuta më vonë skuadra e Van Marvijk rigjen rrjetën falë kombinimit të dyshes së artë Shnajder-Roben. Fantazisti i Interit kroson bukur brenda zonës një top që goditet mjeshtërisht me kokë prej mesfushorit të Bajernit, topi prek shtyllën e Musleras dhe përfundon në rrjetë.

Minutat në vazhdim vijojnë me Uruguajin në kërkim të golit dhe Holandën që mbrohet mirë dhe kundërsulmon rrezikshëm. Një skenar i tillë nuk u shfrytëzua siç duhet në momentin final prej Roben i cili i vetëm përballë portierit nuk shënon.

Kur pritej fërshëllima finale e gjyqtari uzbek, Irmatov Uruguaji tenton mrekullinë dhe gjen golin e dytë me anë të Maksimiliano Pereiras. Amerikano-latinët përpiqen edhe në sekondat e mbetura për të gjetur golin e barazimit, por pa ia arritur qëllimit, kjo falë edhe mbrojtësve holandezë që spastruan zonën në disa raste të rrezikshme.

Tre fërshëllimat përfundimtare gjejnë Holandën finalisten e parë të këtij Botërori. Tulipanët do të presin zhvillimin e gjysmëfinales tjetër mes Gjermanisë dhe Spanjës për t’u njohur me kundërshtarin e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here