Treshja shumë e pëlqyer e aktorëve të humorit “The SHBLSH” duket se mori fund e nuk ka më kthim pas. Pas largimit të Ermal Mamaqit nga “Apartamenti 2XL”, u largua edhe Gentian Zenelaj. Është konfirmuar tashmë se Genti do të jetë imazh në një tjetër ekran mjaft premtues, në “Agon Channel”. Ai do të jetë moderator i një emisioni investigativ të ngjashëm me “Le Iene” në Itali, përkrah Saimir Kodrës, i cili, vetëm pak javë më parë ‘braktisi’ emisionin “Fiks Fare” të “Top Channel”.
Largimi i Gentit nga “Vizion Plus” është definitiv, pasi në internet dhe në ekranin e “Agon” ka nisur të transmetohet edhe promoja e emisionit të ri. Në promo shfaqen pikërisht Gentian Zenelaj dhe Saimir Kodra. Emisioni që ata do të prezantojnë quhet “Ça Thu?” dhe është një emision investigativ e argëtues i bazuar në aktualitet, mbi gjithçka që ndodh në realitetin shqiptar, i parë nga sytë e Saimirit dhe Gentit. End e nuk është përcaktuar një datë për startin e këtij emisioni, që pritet të fillojë së shpejti.
HISTORIA
Grupi i humorit “The SHBLSH” u krijua njëherazi me spektaklin humoristik “Portokalli”. Ai përbëhej nga tre aktorët e famshëm, Ermal Mamaqi, Gentian Zenelaj dhe Julian Deda. Qysh prej daljes së tyre të parë, djemtë e talentuar u pëlqyen nga publiku e nuk u bënë asnjëherë ‘të mërzitshëm’, pasi karriera e tyre prej grupi vazhdoi e suksesshme deri sivjet. Gentian Zenelaj shpërbën totalisht treshen e famshme të “The SHBLSH”, karriera e të cilëve filloi në ‘Portokalli’, për t’u zhvendosur në “Tv Klan”. Show i tyre humoristik në këtë televizion nuk u prit mirë dhe u zhvillua vetëm për një sezon. Më pas suksesi i tyre u zhvendos në “Vizion Plus”, me formatin e ri televiziv “Apartamenti 2XL”.