Home Mustafa Nano Furgonat janë turpi i transportit tonë publik

Furgonat janë turpi i transportit tonë publik

269
0

furgonaPo bëhet një gurgulé e madhe lidhur me furgonat që përdoren si mjet për transportimin e udhëtarëve në Shqipëri qysh prej vitit 1998. Dhe kjo gurgulé zuri fill në një konferencë për shtypin të ministrit të Punëve të Brendshme, Tahirit dhe ministrit të Transporteve, Haxhinasto, kur këta njoftuan një paketë masash që synon të minimizojë numrin e aksidenteve rrugore, që janë shndërruar në një problem kohët e fundit. “Do ta ndalojmë këtë lloji transporti”, thanë ata. Dhe po e fillojnë duke ndaluar furgonat që nuk kanë licencë për të bërë atë që bëjnë.

Po e filloj me një saktësim leksikor. Do duhej të quheshin minibusë apo mikrobusë, por në fakt nuk janë të tillë. Mikrobusët e minibusët janë të të njëjtave përmasa, por kanë dritare e xhama. Janë shkurt autobusë të vegjël. Ndërsa mjetet tona janë krejt tjetër gjë, me dritare të vogla, me ndenjëse të sajuara, ndonjëherë me dritare të sajuara, e ndonjëherë tjetër fare pa dritare. E prandaj, i quajmë me atë emër që realisht kanë: furgon. Termin ‘furgon’ ne e kemi marrë nga italishtja ‘furgone’, që nga ana e vet është marrë nga frëngjishtja ‘fourgon’, e që do të thotë ‘kamion i vogël që shërben për transportimin e mallrave e të materialeve të ndryshme; e në rrethana të caktuara, për transportimin e të burgosurve’. Dhe ky përkufizim nuk e lë problemin të mbetet leksikor. Është vetë përkufizimi që na çon tek një problem i një natyre tjetër. Furgonat pra janë fyerje për secilin prej udhëtarëve.

Por ky problem leksikor, apo gjoja leksikor, nuk është afërmendsh gjëja më e rëndësishme në këtë debat. Prandaj kthehemi te thelbi i problemit. Masa në fjalë është marrë për të parandaluar e reduktuar aksidentet. Kështu thotë ministri i Punëve të Brendshme. Nuk besohet se ka ndonjë studim që e bën të qartë situatën në këtë mes. Nuk dimë pra se ku e kanë burimin këto aksidente të fundit, se sa aksidente kanë patur të përfshirë dhe mjete të tilla, se sa aksidente kanë ardhur prej furgonave, etj, etj. Thuhet vetëm që furgonat provokojnë aksidente, dhe kaq, gjë që në fakt, edhe pse nuk është e provueshme, është e besueshme. Të paktën, perceptimi ky është, teksa shohim mënyrën se si furgonat ecin, teksa shohim se si ndalojnë në rrugë, ku t’ua ketë ënda, për të lëshuar e për të marrë udhëtarë, se si parakalojnë, se si nuk kanë targa që do mund t’i veçonin prej makinave të tjera private, se si grahen prej njerëzish që nuk rrezatojnë ndonjë kompetencë, etj, etj. Gjasat janë pra që ky pretendim të qëndrojë, s’ka gjë se nuk është i provuar. Të paktën, neve nuk na është thënë që është i provuar.

Furgonat duhen ndaluar, megjithatë. Ato nuk janë makina për këtë punë, dhe kjo është arsyeja që nuk para të sheh syri në vendet normale transport udhëtarësh me furgona. Ndonjëri mund të thotë se jashtë është i zgjidhur problemi i  transportit të udhëtarëve me trena e me autobuzë. Mirëpo duhet thënë se edhe këtu është i zgjidhur; në mos i zgjidhur, me siguri i zgjidhshëm; jo me trena (do na duhet kohë të rekuperojmë transportin e udhëtarëve me trena), por me autobusë. Transporti me autobusë ekziston tanimë, s’ka gjë se është i rivalizuar, apo i eklipsuar, apo i lënë pas dore, prej furgonave. Janë pesë-gjashtë mijë mijë furgona me 8+1 ndenjëse që vijnë vërdallë rrugëve të Shqipërisë. Dhe vetëm tre mijë janë me licencë. Të tjerët e bëjnë këtë punë në të zezë.

Një ‘stop’ i menjëhershëm i këtij aktiviteti nuk do të ishte i këshillueshëm për më shumë se një arsye. Gjashtë mijë furgona don të thotë gjashtë mijë vetë që ushqehen me këtë punë e që mbajnë familjet. Nga ana tjetër, gjashtë mijë furgona, kur janë në lëvizje, mbajnë gjallë një treg a një aktivitet ekonomik të caktuar, ku përfshihen fatorino, servise makinash, dyqane gomash, etj, etj. Si i bëhet? S’do ish keq që ky aksion të fillonte si një aksion në mbrojtje të ligjit; s’do ish keq pra që fillimisht të synohej disiplinimi i këtij aktiviteti. Me fjalë të tjera, t’u kërkohej të gjithë të zotërve të furgonave që të kishin një dokumentacion, që do provonte gjendjen e mirë të mjetit, aftësitë e qartë të shoferëve për të bërë këtë punë, dhe në fund që do të provonte se mjete të tilla janë të përshtatshme e të prera për të bërë një punë të tillë. Një furgon, fjala vjen, në të cilin të zihet fryma nga mungesa e hapësirës e nga dritaret e vogla nuk mund të lejohet të bëjë transport udhëtarësh. Udhëtarët nuk janë derra.

Së dyti, të fillohet duke ndaluar ata që nuk kanë licencë për ta ushtruar këtë aktivitet, ata që janë me targa jo të verdha, ata që marrin udhëtarë edhe në kthim (ka një ligj që e ndalon këtë gjë), dhe më pas, furgonave që mbeten t’u kërkohet të luajnë rolin e taksive. E të hiqen të gjitha stacionet e furgonave nga qytetet. Furgonat, në ndryshim nga taksitë tradicionale (autoveturat), nuk kanë nevojë për vendqëndrime në qendër të qytetit. Presupozohet që nevoja për furgona me 8+1 ndenjëse është e rrallë e sporadike, dhe prandaj furgonat nuk ka nevojë të jenë në vende të dukshme 24 orë non stop. Përkundrazi, ato mund të parkohen pranë shtëpisë së të zotërve, dhe në momente nevoje vihen në lëvizje për të bërë taksinë. Dhe të bësh taksinë don të thotë që të ofrosh shërbime në këmbim të çmimeve më të larta. Qysh prej vitit 1998 kemi jetuar në një situatë absurde, ku këto mjete që kanë lindur për të ofruar një shërbim të shpejtë në momentin e një nevoje konkrete emergjente, rrjedhimisht një shërbim të shtrenjtë, kanë patur çmime më të ulta se sa çmimet e autobuzëve. Kjo ka ndodhur, ngaqë furgonat janë shtuar si mizat e dheut, e në këto rrethana, njerëzit e papunë i kanë dhënë dum hallit të tyre prej të papuni për të blerë një furgon, për ta rregulluar pak muhabetin me kreun e bashkisë a të komunës, për të marrë një licencë e për të ofruar transportin me çmim të ulët (por dhe me kokë në torbë); ose për të rregulluar pak telat me policët e për të ushtruar të njëjtën veprimtari pa licencë.

Praktikat e precedentët kanë provuar se udhëtimi me autobuzë është, për të gjithë ata që nuk ndodhen në rrethana emergjence, më i sigurtë, më decent, më i lirë, më i kontrollueshëm, më i disiplinueshëm, e për rrjedhojë më i kërkuari. Autobuzët janë me hapësira të bollshme, janë plot dritë, i kanë ndenjëset në atë distancë nga sho-shoqja sa të garantohet respektimi i një minimumi ‘privacy-je’ edhe gjatë udhëtimit. Përveç kësaj, autobusët nisen në një orar të caktuar, kanë një fatorino, ndalojnë vetëm nëpër stacione, udhëtarëve u kërkohen bileta, e kanë plot elementë të tjerë që e bëjnë udhëtimin me to normal; gjë që nuk ndodh me furgonat; të udhëtosh me këta të fundit të duket sikur i je futur një aventure të rrezikshme, e në ndonjë rast sikur je duke bërë udhëtimin e fundit të jetës tënde. E prandaj, duhet promovuar, inkurajuar e stimuluar shërbimi me autobuzë.

Dy ministrat, por edhe kryeministri, do bënin mirë të mos tërhiqeshin përpara presionit të disa qindra vetëve; e aq më pak, përpara presionit të atyre që këta qindra vetë i shiohin si mish për topa mitingjesh.

 

Dita

Previous articleShkoder: 2 persona vdesin nga korenti
Next articleAurela Gaçe: “Budallait hapi rruge”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here