Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli dje përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
“Pas vlerësimit të tij më datë 2 korrik 2012 se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (PGJS) është zbatuar në mënyrë substanciale dhe duke vënë re se në përputhshmëri me zotimet e tyre, institucionet e Kosovës tani i kanë miratuar pakot e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të legjislacionit primar duke i përfshirë në mënyrë të kënaqshme elementet e mbetura të PGJS-së brenda kornizës kushtetuese dhe juridike të Kosovës, Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpall sot përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar”, thuhet në deklaretn e grupit.
“Pas përfundimit të detyrave të nevojshme administrative të brendshme, Zyra Civile Ndërkombëtare do të mbyllet në fund të vitit 2012. Me efekt të menjëhershëm, PGJS-ja nuk ekziston më si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë, dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës tani përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit”, vijon deklarata.
Edhe pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, në Kosovë do të vazhdojë prania ushtarake e misionit paqeruajtës të KFOR si dhe misioni i EULEX-it, mandati i të cilit është shtyrë në javën e kaluar me një vendim të Kuvendit të Kosovës, në seancën, në të cilën janë miratuar ndryshimet kushtetuese, që mundësojnë heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Ahtisari: Plani im utopik, sot fakt
Marti Ahtisari, i cili më 26 mars të vitit 2007 përgatiti dokumentin për pavarësinë e Kosovës gjatë fjalës së tij përshëndetëse në Kuvend, deklaroi se plani i tij i cili në fillim shihej si utopi, tashmë është fakt për Kosovën. Ahtisari vlerësoi fundin e mbikëqyrjes si përfundimin dhe fillimin e një rrugë të gjatë.
“Qëndroj këtu për të festuar përfundimin e një rrugëtimi të gjatë. Jam gjithashtu duke shënuar fillimin e një tjetri. 5 vite më parë ju kam dhënë materialin tim për një zgjidhje gjithëpërfshirëse. Ky dokument propozimi gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës që historia e emërtoi si Plani i Ahtisarit, ka qënë punë e mundimshme e diplomatëve të njohur dhe ekspertëve ligjor ndërkombëtar. Kur bëra planin e dija që ky është fillim i vështirë, mendoj se suksesi që kemi parë është i konsiderueshem. Sikur të ofroja në letrën tim jo vetëm një dokument, por një përshkrim, sikur tju thoja ne letër se është qeveria e Kosovës që ofron shërbime publike, mendoj se sikur atë kohë të përshkruaja atë që shohim sot asokohe ky plan do të shihej si otupi, por kjo fantazi është bëtë fakt”,- deklaroi Ahtisari.
Kryediplomati finlandez, fituesi i çmimit Nobel për paqe dhe kreatori i pavarësisë së Kosovës, la një mesazh për diplomatët e rinj, ndërkohë që shtoi se Kosova do të ndjejë mbështejen e ndërkombëtarëve përmes raporteve të BE.
“Do doja t’ia kaloj mesazhin diplomatëve të rinj. Mos mendoni se ka rrugë të shkurtra, mos mendoni se ka truqe të reja Kushtetuese, mos harroni se kanë nevoja miliona banorë. Suksesi në Kosovë dhe Serbi nuk do të gjetet në duartrokitje duarsh, por në përkushtmin dhe zbatimin të planeve konkrete”,- tha Ahtisari.
Veriu, Feith: Peng i misionit tim, Thaci: Përgjegjësi shtesë e qeverisë
Mbikqyrja e pavarësisë së Kosovës nga ndërkombëtarët ka qenë një sukses, kështu pohuan sot njëherësh përfaqsësuesi civil ndërkombëtar Piter Feith dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci. Feith theksoi se pavarësisht kësaj, veriu i Kosovës është ende një sfidë dhe përgjegjësi për qeverinë kosovare dhe jo problem i ndërkombëtarëve.
Sa i përket çështjes së veriut të Kosovës, Feith e delegoi përgjegjësinë tek qeveria kosovare. Sipas Feith, është po qeveria kosovare ajo që mund t’i japë zgjidhje çështjes së veriut të vendit.
“Veriu ka qenë problematik qysh para shpalljes së pavarësisë, shumë herë përpara, fatkeqësisht autoritetet e Prishtinës nuk e ushtrojnë autoritetin në veri ndërsa serbët atje më shumë shohin nga Beogradi se nga Prishtina. Por kjo mund të ndryshojë, duke ofruar një menaxhim të duhur, sic është bërë në jug të Mitrovicës që do t’ju jepte siguri rehati për një prosperitet dhe të ardhme të madhe evropiane.
“Qeveria e ka përgjegjësinë për të gjetur zgjidhje për Veriun dhe bashkësia ndërkombëtare nuk mund të zëvëndësohet më qeverinë, Kur bëhet fjala për veriun, kjo është vetëm qeveria mund të jetë fryma e pajtimit duke ofruar mundësi ekonomike-sociale dhe institucione më të mira. Bashkësia ndërkombëtare mund t’a përkrahë këtë dhe unë jam i lumtur që qeveria po përgatitet për një sfidë të tillë”.
Thaci vlerësoi se cështja e veriut të Kosovës do jetë handikap për Feith dhe përgjegjësi shtesë për qeverinë, duke deklaruar se axhenda për këtë zonë problematike të vendit është gati. Numri 1 i qeverisë deklaroi se serbët në veri gëzojnë të gjitha të drejtat dhe se bashkë me ndërkombëtarët do të punohet për integrimin e mëtejshëm të tyre, ndersa nenvizoi se do të largohen strukturat e udhëhequra nga zëdhënësi i Milloshevicit, Ivica Dacic.
“Çështja e veriut do të jetë një përgjegjësi shtesë për mua. Unë kam prezantuar në Washington dhe në Bruksel një plan për integrimin në institucioneve të serbëve të Kosovës, që parashikon sundimin e ligjit, institucione të lira, investime ekonomike, si dhe largimin e strukturave serbe të udhëhequra nga ish-zëdhënësi i Slobodan Milloshevicit (Ivica Dacic). Këto do të bëhen gjithmonë duke ruajtur integritetin territorial të Kosovës”, deklaroi Thaci.
Feith flet shqip: Mbikëqyrja e Kosovës është përfunduar, tani ju pret BE
“Mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës ka përfunduar”, tha në gjuhën shqipe, Piter Feith pas takimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar në Prishtinë.
“Mbikëqyrja e Kosovës është përfunduar. Shpresoj se njohja ime e gjuhës shqipe ka përparuar dhe e keni kuptuar se cfarë thashë”,- deklaroi Feith në konferencën për shtyp, ku krah tij ishte kryeministri i Hashim Thaci.
Feith në ditën e fundit të mandatit në Kosovë, vlerësoi se GND ka mbetur e kënaqur nga plani i Ahtisarit si dhe hapat e ndërmarra nga qeveria e Kosovës. Ndërkohë, inkurajoi që vend të ecë përpara drejt rrugëtimit Europian.
“Mendoj se GND është i kënaqur se plani i Ahtisarit shtë zbatuar. Grupi ka vënë re se qeveria ka ecur përpara. Grupi ka vënë re se qeveria gjatë muajve të kaluar ka ndërmarrë një numër vendimesh të rëndësishme që e ka nënvizuar nevojën e saj për një Kosovë shumetnike. Këto janë hapa të rëndësishme dhe mundësojnë që Kosova të ecë përpara drejt rrugëtimit e saj Europian dhe në vijimin e reformave që Kosova një ditë të aspirojë në BE”,- deklaroi Feith duke shprehur mbështetjen e përhershme të SHBA.
“Mendoj se Kosova ka bërë përparim të madh, jam i lumtur që po e përfundoj mandatin tim në Kosovë. Ju uroj tërë lumturi ne jetët tuja”,- tha Feith.
Feith pranoi si dështim të misionin të tij, cështjen e veriut të Kosovës, duke shtuar se nuk ëhstë i gatshëm të shpjegojë si ndodhi, pasi një gjë e tillë kërkon shumë kohë.
Kuvendi zhvillon seancën e parë në pavarësinë e plotë
Kuvendi i Kosovës zhvilloI një seancë speciale – solemne, të parën në pavarësinë e plotë të vendit, menjëherë pasi Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli sot në Prishtinë, përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se, “sot është një ditë e shënuar për Kosovën”. “Me përmbylljen me sukses të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë, që është sukses i yni i përbashkët, Kosova tregon se institucionet dhe qytetarët e saj janë të përkushtuar dhe të përgjegjshëm t’i kryejnë të gjitha detyrimet në funksionimin e shtetit”, tha Jahjaga.
“Ne sot jemi shoqëri e njerëzve të lirë, vend i shanseve dhe mundësive të barabarta, jemi shtet qytetar në të cilin të gjithë njerëzit pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare, racore, gëzojnë të gjitha liritë dhe të drejtat në mënyrë të barabartë”, vijoi ajo.
Presidentja e Kosovës siguroi se, “do të dialogohet me qytetarët në tre komunat në veri të territorit të Kosovës duke arritur mirëkuptimin se veprimi brenda institucioneve dhe qeverisja në nivel komunal do të jetë e suksesshme edhe në këtë pjesë të territorit, duke iu mundësuar qytetarëve që nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të zgjedhin përfaqësuesit dhe udhëheqësit e tyre legjitimë, që do të përfaqësojnë interesat e tyre”.
“Kontribut për paqen dhe stabilitetin dhe për normalizimin dhe relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve ne shohim edhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ne e kemi shprehur përkushtimin tonë që të zhvillojmë marrëdhënie si dy shtete sovrane dhe të pavarura. E respektojmë dhe e mirëpresim si tejet të nevojshme ndihmën e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces, sidomos në dialogun që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet dy vendeve tona”, tha ajo.
Jahjaga u shpreh se ‘Kosova po bënë reforma të thella në të gjitha fushat, përfshirë edhe ato në administratë, për të arritur standarde dhe për ta përafruar vendin me BE-në”.
Obama: Arritje historike, por qeveria kosovare ende punë për të bërë
UASHINGTON- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka “mirëpritur dhe mbështetur fuqishëm vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar se mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës i ka ardhur fundi”.
Në një njoftim për shtyp, presidenti amerikan citohet të ketë thënë se “pas pothuajse katër vite e gjysmë, përmbushja e propozimeve të Planit Gjithëpërfshirës është arritje madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
“Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë karakteristike të popullit të saj, Kosova ka arritur përparim thelbësor në fuqizimin e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, shumëkombësh, përfshirës dhe demokratik”, ka thënë presidenti Obama.
Obama thekson se ka ende punë për t’u bërë në Kosovë.
“Ka ende punë për t’u bërë, ndërkohë që liderët e Kosovës tani marrin përsipër përgjegjësinë e plotë për të siguruar se parimet e deklaratës së pavarësisë dhe kushtetutës zbatohen për çdo qytetar’, ka thënë zoti Obama.
Sipas presidentit amerikan, Kosova duhet të vijojë punën në zgjidhjen e cështjeve të raportit me Serbinë.