Sot të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në vend çelën dyert e tyre për të nisur vitin e ri shkollor 2012-2013, ndërsa rreth 600
mijë nxënës u ulën nëpër banka për të filluar mësimin.
Për herë të parë në bankat e shkollës ulen 36 mijë fëmijë, të cilët nisin kështu rrugën e gjatë të dijes. Mëngjesi i sotëm do të jetë për ta i paharruar, përparësja e zezë dhe jaka e bardhë do ti shoqërojë në rrugën e re që kanë nisur. Me lule në duar, nën shoqërinë e gjyshërve apo prindërve të vegjlit e klasës së parë do të mbushin oborret e shkollës.
Përmirësimi i kushteve të mësimdhënies dhe rritja e cilësisë në shkolla ka qenë edhe motoja e re e Ministrisë së Arsimit në këtë vit për të gjithë sistemin parauniversitar.
Krerët më të lartë të shtetit uruan sot nxënësit në çdo cep të Shqipërisë. Presidenti Nishani uroi me anë të një mesazhi të bërë publik nga zyra e shtypit të Presidencës, ndërsa kryeministri Berisha zgjodhi shkollën Beslidhja në Lezhë për të uruar një vit të ri shkollor, të suksesshëm. Kreu i PS-së i përcolli urimet e tij përmes rrjetit social ‘Twitter’.
Për drejtorin e arsimit parauniversitar në Drejtorinë e Arsimit dhe Shkencës, Fatmir Vejsiu, ky vit starton me kushte më të mira për nxënësit e shkollave, ndërkohë që nuk mungojnë as risitë në procesin e mësimdhënies, ku tashmë ka filluar edhe puna për ndarjen e Gjuhës Shqipe nga Letërsia, ashtu sic porositi pak ditë më parë edhe kryeministri Berisha.
Ndonëse shkollat çelin dyert e tyre, në shumë rrethe të vendit mungojnë tekstet shkollore, në përqindje të konsiderueshme. Por për këtë fenomen, ministria ka marrë masa që kudo që të shfaqet mungesa e teksteve shkollore në ditën e parë të shkollës, nuk do të mungojnë as sanksionet ndaj shtëpive botuese që shkelën kontratat.
Berisha: 36 mijë nxënës me abetare mbarëkombëtare
Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka zgjedhur këtë viti shkollën 9-vjecare “Besëlidhja”, në Lezhë për të uruar vitin e ri shkollor për të gjithë nxënësit dhe mësuesit.
Ai është shprehur i lumtur që sot 36 mijë nxënësit që ulën në klasën e parë do mësojnë me një abetare mbarëkombëtare.
“36 mijë nxënës për herë të parë me abetare mbarëkombëtare. Që prej ardhjes tonë në pushtet, rrogat e mësuesve u rriten 100%, 90% e nxënësve që mbarojnë 9-vjecaren kalojnë në të mesmen, ndërsa 71% e atyre që mbarojnë shkollën e mesme shkojnë në shkollë të lartë”, tha kryeministri.
Presidenti Nishani mesazh urimi për fillimin e vitit të ri shkollor
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani përshëndeti fillimin e vitit të ri shkollor. Në një mesazh urimi, të bërë publik nga zyra e shtypit e Presidencës, Nishani u bën thirrje të gjithë fëmijëve që e kanë braktisur shkollën, që t’i rikthehen asaj sa më parë.
“Kam kënaqësinë e veçantë si President i Republikës që me rastin e fillimit të vitit të ri arsimor 2012-2013 t’ju përshëndes e t’ju përcjell urimet më të përzemërta për këtë ditë, që shënon një fillim tjetër të ri në rrugëtimin e shoqërisë shqiptare drejt diturisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur. Urimi im i parë shkon për ju nxënës, që për herë të parë sot do të uleni në bankat e shkollës për t’u njohur me mësuesen e parë, me bashkëmoshatarët tuaj dhe shokët e klasës. Në mënyrë të veçantë, ju përgëzoj dhe uroj ju nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, sepse jeni në vijim të formimit tuaj arsimor dhe tashmë keni të qartë idenë mbi ecurinë tuaj të mëtejshme në kërkim të dijes e të një profesioni të duhur e të përshtatshëm në të ardhmen. Sot është dita kur ju bëj thirrje të gjithë familjarëve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t’i rikthehen sa më parë asaj.”- thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.
Presidenti Nishani përfitoi nga rasti për t’u uruar mirëseardhjen të gjithëve fëmijëve të emigrantëve që janë rikthyer në Shqipëri. Në mesazhin e tij, kreu i shtetit shprehu vlerësim dhe mirënjohje për të gjithë mësuesit.
“Në këtë 100–vjetor të Pavarësisë ky mision i juaji, të dashur mësues, merr një domethënie dhe rëndësi të jashtëzakonshme në ruajtjen e traditës dhe zhvillimit të mëtejshëm cilësor të arsimit shqiptar, sepse mendja e një kombi është arsimimi i tij.”
“Të dashur nxënës dhe mësues, kudo ku jeni, Është detyra jonë e përbashkët zhvillimi progresiv i vendit, përmbushja dhe përballja me sukses e sfidave integruese në familjen e madhe evropiane, ku arsimimi është dhe mbetet një ndër hallkat më të rëndësishme të këtij procesi.”- përfundon mesazhi i Presidentit.
Rama: Programi i PS, ndryshim rrënjësor arsimit
Kryetari i PS-së, Edi Rama uroi për një vit të mbarë të gjithë nxënësit, studentët, mësuesit e pedagoget, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social ‘Twitter’. Sipas Ramës, programi i PS-së ta ndryshojë rrënjësisht arsimin shqiptar.
“Jo vetëm do rriten rrogat e mësuesve, po do t’u rikthehet mësuesve dinjiteti dhe autoriteti i nëpërkëmbur keq në këto vite çorodie në arsim. Jo vetëm do vendosim rregulla të forta për arsimin privat, që paratë e prindërve mos shkojnë dëm, po do fuqizojmë ndjeshëm arsimin publik. Jo vetëm do ndërtojmë shkolla të reja, po nuk do lejojmë që fëmijët të mbeten pa shkolle për mungesë librash e mundësish në familjet e varfra”- shkruan Rama.
Sipas kreut socialist, PS jo vetëm nuk do e fshehë më analfabetizmin që rritet, po do ta fillojë betejën për rilindjen e arsimit me një test kombëtar për këtë.
Rama thekson se përmes arsimit, PS-ja do forcojë bazat e rilindjes së ekonomisë familjare e kombëtare.