Gjykata lëshoi dje urdhër-arresti për kreun e Inspektoriatit Ndërtimor pranë Bashkisë së Tiranës dhe kreun e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Florenc Hoxha dhe Zyhdi Dajti akuzohen për shpërdorim detyre. Hoxha u arrestua mbrëmë, ndërsa Zyhdi Dajti u vetëdorëzua në policinë e Vlorës, ndërsa ishte me pushime. Pas vetëdorëzimit pas urdhërit të arrestit për shpërdorim detyre, kreu i Inspektoriarit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar Zyhdi Dajti akuzoi Prokurorinë për arrestim të vonuar të Florenc Hoxhës (të prangosur mbrëmë në Tiranë me të njëjtën akuzë) dhe se është fyese dhe e turpshme vendosja e shenjës së barazisë mes tij dhe kreun e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë e Tiranës.
Duke e cilësuar Hoxhën si një simbol të korrupsionit, përmes një deklarate zyrtare, Dajti thotë se Florenc Hoxha duhej të ishte arrestuar, ndërsa e cilëson “një hajduti ordiner, që për vite me radhë ka ushtruar presion dhe dhunë mbi qytetarët e Tiranës”.
Kryeinspektori u kallëzua nga dy kompani ndërtimi.
Arrestimi i Florenc Hoxhes, mbrëmë pranë QS. Akuza: Shpërdorim detyre e korrupsion
Në orët e vona të natës është prangosur Florenc Hoxha, njeriu më i afërm i kryeashkiakut Lulzim Basha, njëherësh kreu i Inspektoriatit Ndërtimor pranë bashkisë së Tiranës. Ndërkohë rreth orës 14:00 është vetëdorëzuar edhe kryeinspektori i INUK-ut Zyhdi Dajti, në komisariatin e Vlorës pas urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata.
Kanë qënë efektivët e policisë së kryeqytetit ata që kanë bërë arrestimin e Hoxhës, pasi ndaj tij pasditen e djeshme gjykata e Tiranës kishte marrë vendimin për caktimin e masës “arrest në burg” në mungesë, masë kjo që është kërkuar nga njësia hetimore Task-Forcë pranë prokurorisë së Tiranës.
Sipas burimeve të akuzës në momentin e arrestimit dhe shoqërimit në polici, Hoxha nuk ka bërë rezistencë ndaj bluve të Tiranës. Prokuroria shprehet se ndaj tij që prej vitit 2013 janë depozituar 5 kallëzime penale për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe korrupsionit. Por pas veprimeve hetimore nuk është arritur të sigurohen prova për të vërtetuar veprimet korruptive të zyrtarit të bashkisë Florenc Hoxha, por është vërejtuer se në pesë raste ai ka shkelur ligjin urbanistik dhe rregulloren e ndërtimit të nxjerë nga vetë bashkia e Tiranës, duke mos vepruar në prishjen e katër objekteve dhe vepruar në një rast, që në fakt ka qënë në proces legalizimi.
Deklarata e plotë e Kryeinspektorit të INUK, Zyhdi Dajti
Ora 15:40 “Si zyrtar i Shtetit Shqiptar, por edhe si një profesionist që për vite me radhë ka shërbyer në Gardën e Republikës dhe Policinë e Shtetit, dekoruar në vitin 1996 me Medaljen “Shqiponja e artë” me dekret të Presidentit të Republikës, kam respektin më të lartë për ligjin, të cilin gjatë gjithë viteve të mia të punës, jo vetëm e kam zbatuar, por edhe kam nxitur qytetarët që ta zbatojnë.
Që unë kam zbatuar ligjin edhe gjatë detyrës sime në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, kjo nuk mund të vihet në dyshim. Sikundër askush nuk duhet të dyshojë në faktin se unë, që nga ky moment kur jam lajmëruar zyrtarisht nga Policia e Shtetit, do të zbatoj ligjin, do të paraqitem në institucionet përkatëse dhe do të ndjek rrugën ligjore për të vërtetuar pafajësinë time.
Por ajo ç’ka më bën përshtypje, që nuk mund të rri pa e thënë publikisht, është mënyra e turpshme se si Prokuroria e Përgjithshme ka vepruar në këtë rast, duke kërkuar ndalimin tim, paralelisht me arrestimin e vonuar të një personi që prej vitesh duhej të ishte arrestuar, të një hajduti ordiner, që për vite me radhë ka ushtruar presion dhe dhunë mbi qytetarët e Tiranës. Vendosja e shenjës së barazisë mes meje, një shërbyesi të shtetit që ka zbatuar vetëm ligjin e ka mbrojtur territorin nga ndërtimet pa leje e të paligjshme, dhe Florenc Hoxhës, një simboli të korrupsionit, që për vite me radhë ka lejuar lulëzimin e ndërtimeve pa leje dhe të paligjshme në kryeqytet, është e turpshme, fyese dhe pa asnjë moral. Unë kam besim se e vërteta shumë shpejt do të triumfojë dhe jam besimplotë se drejtësia do të vendoset”.
Vetëdorëzohet në Komisariatin e Vlorës, kreu i INUK Zyhdi Dajti
Ora 14:00 Kreu i Inspektoriatit Urbanistik Kombëtar, Zyhdi Dajti është paraqitur në Komisariatin e qytetit të Vlorës pas urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata për shpërdorim detyre.
Në një prononcim për mediat Dajti tha se është njohur me akuzat ndaj tij nga mediat. “Unë nuk po vdes, unë jam në rilindje. Kam kryer detyrën në bazë të ligjit”, tha kreu i INUK Zyhdi Dajti para dorëzimit në komisariatin e qytetit të Vlorës.
Shoqëritë e ndërtimit
Për rastin e Zyhdi Dajtit kanë qënë dy kompani ndërtimore që kanë bërë kallëzimin. Sipas tyre Dajti i ka pezulluar punimet ndërtimore në kundërshtim me vendimet gjyqësore, duke i shkaktuar atyre një dëm kolosal financiar. Për pasojë Task-Forca e Tiranës ka vendosur të arrestojë për shpërdorim detyre Zyhdi Dajtin.
Vendimi nga gjykata
Gjatë fazës hetimore kreu i Inspektoriatit Ndërtimor në bashkinë e Tiranës, është marrë në pytje lidhur me pretendimet e 5 kallëzuesve, qytetarë të Tiranës. Kallëzimet janë bërë në kohë të ndryshme por për shkak të objektit të njëjtë janë proceduar në një të vetëm. Pas disa muaj verifikime, ditën e djeshme prokurori Ramadan Troci, i është drejtuar gjykatës së Tiranës ku ka kërkuar caktimin e masës arrest me burg për dy zyrtarët e lartë të inspektoriateve ndërtimore Florenc Hoxhën dhe Zyhdi Dajti. Hoxha është njeri i afërm i kreut të opozitës Lulzim Basha, ndërsa Dajti njeri i afërm i kryeministrit Edi Rama.
KORRIK 2013 Florenc Hoxha sherr e sharje me gratë rome
Historia filloi më 11 korrik 2013 teksa vend grumbullimi pas burgut 313 ku romët depozitojnë mbeturinat plastike, u shndërrua në një vend “përleshje” mes policisë bashkiake dhe romëve. Ish Kreu i policisë bashkiake Florenc Hoxha, me shoqëruesit e tij, pavarësisht kundërshtimeve të forta të romëve dhe të pronarit që kishte këtë pikë grumbullimi u futën brenda saj dhe kanë marrë motorat. Madje, në këtë pikë pati edhe një “përleshje” mes ish kreut të policisë bashkiake Hoxha, i cili nxorri shkopin e gomës dhe filloi t’i ofendojë ata dhe vetë romët
SHTATOR 2011 Hoxha qëllon me grushte inspektoret
Në shtator të vitit 2011, pak ditë pas ardhjes së Lulzim Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës, Florenc Hoxha është përfshirë në një sherr me dy punonjësve të bashkisë. Anila Çobani dhe Etleva Duro kanë dekalruar se, prisnin vendimin e largimit, por u eshte kerkuar te dalin me shpejt. Incidenti ka perfunduar deri edhe ne konfrontime fizike. Dy inspektoret kanë pretenduar se sulmi ishte i qëllimshëm për shkak të angazhimit të tyre gjatë procesit zgjedhor si perfaqesuese të Partisë Socialiste. “Hoxha më tha se duhet të dilja nga institucioni sepse isha e padëshiruar, ndërsa më gjuajti me grusht në stomak”, ka deklaruar inspektorja Anila Çobani.