Të mundësh Uruguajin dhe Italinë do të thotë shumë, më tepër se kualifikim në 1/8 finale të Botërorit. Kjo është Kosta Rika, e cila vetëm një herë në histori ka arritur deri më tani ta kalojë fazën e grupeve në vitin 1990. Një realitet thuajse i përmbushur edhe kësaj here, me lojë bindëse dhe rezultate pozitive. Dy ndeshje, dy fitore, 6 pikë, që i mundësojnë kreun e Grupit D skuadrës së trajnerit Pinto. Situata bëhet kritike për Italinë, që gjendet në kuotë pikësh të barabarta me Uruguajin. Përplasja direkte mes tyre do të vendosë, sipas të gjitha gjasAve, edhe skuadrën që do të përparojë më tej në këtë kompeticion. Nga ana e saj, Kosta Rika veniti përfundimisht shpresat e anglezëve, me të cilët do të luajë ndeshjen e tretë në grup.
ITALI- KOSTA RIKA 0:1
Golat: Ruiz 44′
ITALIA: G.Buffon, A.Barzagli, G.Chiellini, M.Darmian, I.Abate, D.De Rossi, A.Pirlo, Thiago Motta (A.Casano 46′), C.Marchisio (A.Cerci 69′), A.Candreva (L.Insigne 56′), M.Balotelli. Trajner: C.Prandelli
KOSTA RIKA: K.Navas, M.Umaña, J.Díaz, Ó.Duarte, C.Gamboa, G.González, C.Borges, C.Bolaños, Y.Tejeda (J.Cubero 68′), B.Ruiz (R.Brenes 81′), J.Campbell (M.Urena 74′). Trajner: J. Pinto
Gjyqtare: E.Osses, C.Astroza, S.Román
Kartone te verdhe: Baloteli 69′ / Cubero 71′
Ndeshja
Italianët e nisin ndeshjen të paqaratë si në pasime, edhe në ndërtimin e aksioneve. Luajnë disi të tërhequr axurrët, ndryshe nga ndeshja e parë me Anglinë. Meritë për këtë ka pa dyshim Kosta Rika, që shfaq freski fizike dhe lëvizshmëri të madhe në fushë. 20 minutat e para zhvillohen thuajse në gjysmëfushën e të kaltyërve, të cilët nuk kanë arritur dot të godasin asnjëherë në portën kundërshtare. Baloteli mbetet i izoluar në sulm, ndërkohë që pjesa tjetër e skuadrës së Prandelit duhet të përveshë mirë mëngët në prishjen e manovrës ofensive të Kosta Rikës dhe mbajtjen e saj sa më larg portës së Bufonit. Goditja e parë e italianëve vjen në minutën e 27-të. Tiago Mota merr një top të kthyer me gjoks nga Baloteli dhe fluturimthi, në një distancë prej 20 metrash, godet fort tokazi, por jashtë kuadratit kundërshtar. Ky është rreziku i parë i axurrëve në këtë ndeshje, që pak e nga pak fillojnë të mendojnë më shumë për sulmin. Baloteli merr një asist nga Pirlo në minutën e 30-të, që fiton dueli e shpejtësisë me portierin e Kosta Rikës, e kalon topin në formë parabole mbi kokën e këtij të fundit, por “sfera” nuk i bindet plotësisht atij, duke mos përfunduar në rrjetë. Sulmuesi i Milanit lëshon një predhë tjetër tri minuta më pas, por portieri Navas grushton mrekullisht. Italia “flirton” me golin, duke fituar më shumë besim në vetvete dhe spostuar në gjysmëfushën e kundërshtarit.
Në minutën e 42-të Kosta Rika pretendon për penallti, madje proteston ashpër. Kielini I ndërhyn në mënhyrë të dyshimtë sulmuesit Campbell, por kryesori vazhdon lojën. Një minutë para mbarimit të kohës së së rregullt të pjesës së parë kapiteni i Kosta Rikës, Ruiz, shënon. Teknologjia hyn në punë edhe në këtë rast, pasi kalimi i vijës fatale të portës së Bufonit nga topi nuk dukej me sy të lirë. Italianët e mbyllin në disavantazh këtë fraksion loje, teksa vuajtën lojën agresive dhe tepër luftarake të kundërshtarit.
Prandeli e nis pjesën e dytë me një zëvendësim. Në fushë hidhet Antonio Kasano, një forcë sulmuese, ndërsa ulet në stol mesfushori Tiago Mota. Pirlo ekzekuton bukur një goditje dënimi në minutën e 53-të, por portieri i Kosta Rikës zhytet në planzhon, duke evituar një gol thuajse të sigurtë. Të besuarit e Prandelit shtyjnë gjithnjë përpara, në kërkim të golit të barazimit, ndërsa futja e Kasanos ka ndryshuar edhe modulin taktik. Në lojë ka më tepër lojtarë ofensivë, cka bëhet më evidente me aktivizimin e Insinjes së Napolit. Luan gjithcka për gjithcka Italia, që nuk pajtohet me humbjen, por pak kthjelltësi ka në funksion të të kundërtës. Kosta Rika është shumë mirë e vendosur në fushë dhe nuk lejon asnjë hapësirë për të kaltrit. E përforcuar në prapavijë për të mbrojtur rezultatin, Kosta Rika nuk heziton të dalë shpejt, me pak pasime, në kundërsulm, duke e rrezikuar portën e Bufonit. Prandeli hedh edhe Cercin në lojë në përpjekje për të dalë te goli, port ë tijtë shfaqen konfuzë në fazën finalizuese. Kalimi i minutave shton edhe ankthin tek axurrët, që kuptojnë se të superosh një kundërshtar të tillë është si “t’i biesh murit me kokë”. Kosta Rika merr fitoren e dytë në Grupin D, duke kryesuar, ndërkohë që tashmë s’mund të quhet rastësi. Të mundësh Uruguajin dhe Italinë do të thotë shumë, më tepër se kualifikim në 1/8 finale të Botërorit. Situata bëhet kritike për Italinë, që gjendet në kuotë pikësh të barabarta me Uruguajin. Përplasja direkte mes tyre do të vendosë, sipas të gjitha gjasve, edhe skuadrën që do të përparojë më tej në këtë kompeticion. Nga ana e saj, Kosta Rika veniti përfundimisht shpresat e anglezëve, me të cilët do të luajë ndeshjen e tretë në grup.
Kosta Rika“Sekretet” e Kosta Rikës
Vapë ose jo, stërvitjet e Kosta Rikës janë të gjata dhe të lodhshme. Ky është një nga shumë sekretet që ka përfaqësuesja amerikano-qendrore, e cila bëri surprizën e dytë, duke mundur edhe Italinë në grup, pas Uruguajit. Trajneri Luis Pinto është një “maniak” dhe nuk i pëlqen mbulimi një për një ose teknika. Ai preferon që skuadra e tij të luajë në kundërsulm dhe të gjuajë nga distanca. Ai ka një ide tradicionale për futbollin: ekipi që është i suksesshëm nuk ndryshohet (planet prishen vetëm nëse dikush dëmtohet). Edhe moduli i lojës që përdor Pinto është shumë i çuditshëm dhe pothuajse unik në stilin e tij. Në letër Kosta Rika zbret në fushë me rreshtimin 5-2-3, por dy lojtarët që luajnë përpara mbrojtjes, pjesën më të madhe qëndrojnë të tërhequr, për t’i krijuar mundësinë ekipit që të mbrohet me 7 lojtarë. Kjo bën që hapësirat për kundërshtarin të jenë të pakta, por nëse ekipi fiton topin, amerikanët sulmojnë me tre lojtarë dhe janë shumë të rrezikshëm përpara, sepse mund të shfrytëzojnë shpejtësinë e sulmuesit të Arsenalit, Xhoel Kembëll. Lojtari ëndërron të luajë si titullar në sezonin e ardhshëm me “topçinjtë” e Londrës dhe Botërori është pa dyshim vitrina më e mirë për t’u ekspozuar. Sakaq, 22- vjeçari është kthyer edhe në lojtarin më të dashur në Kosta Rikë, duke ia hequr “fronin” portierit Navas. Xhoel nuk e ka potencën e sulmuesit të Italisë, Mario Baloteli, por është më i shpejtë se lojtari i Milanit. Një tjetër veçori e Kosta Rikës janë stërvitjet që kryejnë në temperaturat e larta. Pinto zgjedh gjithmonë mesin e ditës, ku vapa është shumë e madhe për të përgatitur lojtarët e tij. Nëse seanca e Italisë dhe e shumë kombëtareve të tjera zgjat mesatarisht 2 orë, ajo e Kosta Rikës shkon 3 orë e gjysmë.