Shqipëria do një italian për stolin si pasardhës të Xhani De Biazit. Aktualisht në treg janë të papunë me dhjetëra trajnerë të njohur në shtetin fqinj, me të cilët FSHF mund të futet në bisedime zyrtare në ditët e ardhshme.
“Personalisht po kërkoj një trajner italian”, theksoi kreu i institucionit të futbollit shqiptar, Armand Duka, duke bërë edhe më të besueshëm lajmin se kuqezinjtë do të drejtohen sërish nga një bashkëkombës i De Biazit.
Pas një investigimi të “Panorama Sport”, rezulton se në listën e trajnerëve që janë pa kontratë dhe të larguar nga klubet ose Kombëtaret gjatë muajve të kaluar, janë afro 30 italianë.
Gjithsesi, gazeta ka përzgjedhur 20 prej tyre, që shihen si kandidatë seriozë për të marrë drejtimin e kuqezinjve. Burime në FSHF tregojnë se Duka nuk do “plakush” në stolin kuqezi, pra të mos ketë kaluar minimalisht 65 vjeç.
Gjithsesi, një prej atyre që mund të plotësojë të gjitha kriteret është Alberto Zakeroni, një ish-trajner i njohur i Milanit, Interit dhe Juventusit. “Zak”, siç e thërrasin në Itali, ka qenë për afro pesë vite në krye të Kombëtares së Japonisë, teksa fitoi Kupën e Azisë në 2011- ën.
64-vjeçari është me shumë eksperiencë dhe për më tepër nuk ka pretendime financiare aq të larta, sa trajnerë të tipit Valter Maxarri.
Ish-kreu i pankinës së Napolit dhe Interit është pa klub për momentin, por nuk mund të përfshihet në listën e atyre që ndoshta janë kandidatë për Shqipërinë, për vetë faktin se në gjashtë vitet e fundit është paguar minimalisht 3.5 milionë euro në vit.
Alternativa serioze janë edhe emra si Françesko Guidolin, Delio Rosi apo Valter Zenga. Ky i fundit më parë është kontaktuar nga FSHF, pikërisht kur FSHF emëroi Xhani De Biazin.