Ditën e djeshme, më 6 maj, Kompania e fluturimeve “Belle Air” ka bërë plot 12 ulje në aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe të gjitha kanë pasur si pikë nisje Italinë. Pritet që sot dhe të dielën deri pasdite, pak para mbylljes së qendrave te votimit, të ulen edhe 18 avionë të tjerë të kësaj kompanie. Ky numër uljesh u konfirmua dje, përmes faqes online të Aeroportit të Tiranës, ndërkohë që një operatore e aeroportit, e cila përgjigjet në numrin zyrtar 24 orë të vlefshëm, tha se për të dielën janë parashikuar edhe 12 ulje të tjera të Belle Air, por ai numër mund të shtohet edhe me dy fluturime të tjera.
Ky është një rekord për statistikat e fluturimeve në Shqipëri, por njëkohësisht ngjall njëmijë dyshime e pikëpyetje, ku më e rëndësishmja është: Pse mijëra shqiptarë që fluturojnë me Belle Air vendosin të vijnë në Shqipëri para se të marrin pushimet zyrtare në vendin e tyre, apo në pikun e sezonit të provimeve, pikërisht pak orë para votimeve?! Veç 12 fluturimeve që janë kryer me sukses dje në Rinas, priten edhe të paktën katër avionë të tjerë të Belle Air që të mbërrijnë sot në aeroport, pak orë para se të hapen kutitë e votimit, dhe po aq, pra katër ulje të tjera gjatë së diel. Pranë gazetës “Shekulli” u bënë dje shumëraportime, kryesisht nga studentë shqiptarë që jetojnë e mësojnë në Itali. Ata pretendonin se një strukturë e lidhur me Partinë Demokratike kishte të paktën një muaj që në Itali ofronte, përmes studentëve të tjerë shqiptarë, bileta falas avioni të kompanisë Belle Air, me një kusht: Nëse paraqiteshe në mënyrë të besueshme si mik, apo dashamirës i Partisë Demokratike, atëherë mund të përfitojë një biletë falas për në Tiranë! Një prej përfaqësuesve të Partisë Socialiste, Erion Veliaj bëri të ditur se në këtë “skemë bonusi” kishin mundur të përfitonin edhe disa qindra të rinj që jo detyrimisht votojnë apo do të votojnë për kandidatin e Partisë Demokratike z. Lulzim Basha.
Duket se janë pikërisht këta të fundit ata që edhe kanë “dekonspiruar” planin e PD-së (nëse vërtet bëhet fjalë për një plan). Kanë përdorur, miq e kushërinj, të njohur e të njohura e me pak mundim, fare pak, kanë mundur të përfitojnë një biletë falas me Belle Air për të vizituar të afërmit e tyre, ndërkohë që atë biletë e kanë fituar duke thënë se do votojnë për Bashën! Fundja, kush nuk do ta dëshironte një udhëtim falas drejt vendlindjes?! Pretendimet e bëra në formë jozyrtare nga përfaqësues të PS-së, në fakt, rezultojnë të jenë të vërteta! Vetëm ditën e djeshme, nga ora 7.32 e mëngjesit, deri pak pas orës 23.00 të mbrëmjes, kanë mbërritur në Aeroportin e Rinasit plot 12 avionë të Belle Air të tejmbushur me pasagjerë, shumica e të cilëve studentë. “Kjo është jo normale duke patur parasysh fluksin e udhëtarëve në këtë periudhë, e duke ditur kapacitetet e zakonshme të kompanisë Belle Air”, tha një punonjës i aeroportit, i cili kërkoi të mos identifikohej. “Shekulli” ka mundur që të kontaktojë dje me një prej studentëve që kishte mbërritur në Rinas në orët e mbrëmjes. Ai pranoi që të tregojë diçka, por me kusht që të mos i citohet emri. “Kam udhëtuar falas sepse do votoj Lulzim ashën. Udhëtimi më është ofruar nga Gert Bogdani he disa miqtë e mi studentë. Ata më thanë që ta përhapja këtë lajm tek të gjithë të tjerët. E çuditshme është se disa studentë nuk u lejuan që të vinin. Në avion mësova se ata ishin votues të PS-së. Unë do kthehem prapë në Itali të dielën në mbrëmje. Me këtë udhëtim falas po vizitoj familjen dhe nuk humb asnjë ditë shkollë”,- tha studenti i kontaktuar nga Shekulli.
Katërfishohen fluturimet para zgjedhjeve
‘Belle Air’ nuk ka shtuar vetëm destinacionet këto kohët e fundit, por edhe fluturimet drejt një destinacioni. Sidomos muajin e fundit, kompania ajrore në Shqipëri ka shpeshtuar edhe fluturimet në destinacionet më të kërkuara të vendeve fqinje: Itali dhe Greqi, ku jetojnë rreth 1 milion e 200 mijë shqiptarë emigrantë. Nga dy-tre herë në javë fluturime vitin e shkuar, tani ato janë bërë të përditshme. “Konkretisht Roma, Milano, Venecia, Verona etj, fluturojnë këtë javë çdo ditë”, shpjegoi menaxherja e turizmit, Aoganda Osmani, nga agjencia turistike “Univers”. Ndërsa prej më pak se një muaji, kryeqyteti grek, Athina, ka dy fluturime direkt në ditë me Tiranën, diçka që zakonisht ndodh pas muajit qershor. Pyetjes se pse ndodh diçka e tillë në fillim të muajit maj, e jo pas muajit qershor, një zyrtar kur ka vërtet fluks, e kur shqiptarët nisin vërtet pushimet e duan të vizitojnë të afërmit e tyre në Shqipëri, një zyrtar i Belle Air nga zyrat e tyre qendrore tha: “Kemi pasur shumë kërkesa ndaj dhe i kemi shpeshtuar fluturimet”. Por edhe pse kërkesat rriten, sipas këtyre zyrtarëve, të paktën prej tre ditësh asnjë zyrë agjencie turistike qoftë në Shqipëri, qoftë jashtë saj, nuk ka mundur të presë bileta udhëtimi të Belle Air, pasi, siç na u tha zyrtarisht nga Belle Air: “Ka pasur defect në sistemin kompjuterik”. Çdo të thotë se ka pasur një defekt në sistem, pyetëm përfaqësuesit e Belle Air? “Defekt teknik në sistem për shkak të disa ndryshimeve që po bëjmë e që do të riparohen së shpejti”, u përgjigj një zyrtare e Belle Air.
Pasi ne këmbëngulëm të mësojmë më shumë, ajo shtoi: Nuk e di! Nuk jam e autorizuar të flas për këtë… “Fluturimet normalisht nuk janë anuluar, pasi ka pasur klientë me bileta të prera që më parë”, shpjegon një punonjëse tjetër e administratës së ‘Belle Air’, pa dashur të japë emrin e saj. Agjencitë e udhëtimit që operojnë me këtë kompani fluturimi prej tre ditësh nuk kanë prerë dot asnjë biletë, për shkak të këtij defekti në sistem. Ndërkohë që punonjëset e Belle Air e mbajnë të fshehtë sistemin kompjuterik me të cilin punon kjo kompani, edhe punonjëset e agjencive të tjera duket se nuk janë të informuara mbi këtë fakt. ‘Kanë sistemin e tyre”, “Nuk e dimë çfarë sistemi’, përgjigjen ato për Belle Air.
Lidhjet e “Belle Air” me Lulzim Bashën
Në vitin 2006, ankesat e kompanisë ajrore “Albatros” kanë bërë të shpërthente një skandal ku u përfshi edhe kompania “Belle Air”. Presidenti i “Albatros”, Aleksandër Hoxha, akuzoi kompaninë rivale se “po konkurronte në treg në mënyrë abuzive e të paligjshme”. Ndërsa ishte vendosur pezullimi i fluturimeve të “Albatros”, presidenti i kësaj kompanie i dorëzoi kryeministrit Berisha një dosje me 22 dokumente të ndryshme, ku pasqyroheshin rezervimet e kryera nga “Belle Air” përpara se ajo të licencohej për fluturim, duke treguar në këtë mënyrë se kishte marrë një garanci të fortë për të marrë autorizimin përkatës. Gjithashtu u paraqitën 4 transferta bankare të kryera në më pak se dy muaj, në shumën prej 710 mijë euro. Presidenti i “Albatros” denonconte se “Belle Air” u vlerësua e pabesueshme për të marrë të drejtën e një kompanie ajrore, nga Komisioni i Vlerësimit të Dokumentacionit të Autorizimeve Ajrore në DPAC. “Ky komision i sugjeroi kompanisë plotësimin e dokumentacionit mbi bazën e 11 vërejtjeve që i kishte parashtruar. Edhe pse dokumentacioni nuk u plotësua, “Belle Air” mori më 26 tetor të vitit 2005 autorizimin përkatës dhe më 17 dhjetor të të njëjtit vit Certifikatën e Operimit Ajror (COA)”, tha Aleksandër Hoxha. Arsyeja për pezullimin e “Albatros” ishte një borxh prej 55 milionë lekësh që “Albatros” kishte ndaj Aeroportit “Nënë Tereza”, ndonëse drejtuesit e kompanisë thanë se nuk ishin të vetmit debitorë ndaj Aeroportit. Në atë kohë, Ministër i Transporteve, Punëve publike dhe Telekomunikacioneve ishte Lulzim Basha.
Një ndër emrat e bërë publikë atëherë në këtë histori, ishte ai i Ilir Xhelos, i cili përmendet si personi që ka transferuar qindra mijëra euro në llogarinë e “Belle Air”. Pronar i kompanisë ajrore, rezultonte një tjetër person, Arian Myrtezai, në emër të të cilit është regjistruar subjekti “Belle Air” në 9 qershor të vitit 2005, ndërsa data e themelimit është 3 qershor i po këtij viti. Vetëm një muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 2 korrikut 2005, ku Partia Demokratike fitoi mandatin të qeverisë vendin.
Pesë vjet pas kësaj historie, “Belle Air” ka zgjeruar aktivitetin dhe është shndërruar në kompani-lider në transportin ajror. Me gjithë problemet e herëpashershme që ka patur me fluturimet, është toleruar nga autoritetet shqiptare. Ndërkohë në 12 nëntor 2007, kompania ka ndryshuar pronarin. Arian Myrtezai u ka shitur aksionet e tij në kompaninë ajrore për 1 milion lekë bashkëshortëve Ilir dhe Suzana Xhelo. Çmimi i shitjes ishte i barabartë me kapitalin fillestar të kompanisë. Kështu Ilir dhe Suzana Xhelo u bënë pronarë të shoqërisë së madhe të fluturimeve “Belle Air” duke paguar një shumë modeste për vlerën që ka shoqëria.
Pronari i “Belle Air”, Ilir Xhelo, vjehrri i të cilit është baxhanak i kryeministrit të fundit komunist, Adil Çarçani, për disa vite, deri në rënien e komunizmit, ka qene nëndrejtor i “Hotel Tirana” dhe njëkohësisht personi i ngarkuar me detyra operative nga ish-Sigurimi i Shtetit. Ai është emëruar në këtë detyrë të lartë pikërisht si funksionar i ish-policisë sekrete të diktaturës komuniste. Xhelo ka qenë në këtë detyrë edhe në kohën kur djaloshi Lulzim Basha sapo ishte emëruar ndihmëskamarier në barin e Aeroportit të Rinasit. Ajo që është e qartë në gjithë këtë histori është fakti se, nëse pesë vjet më parë Lulzim Basha është akuzuar se ka favorizuar kompaninë “Belle Air”, sot kompania po favorizon kandidatit demokrat për kryetar bashkie, duke i sjellë militantë për votim. Çfarë e lidh Lulzim Bashën me një nga ish-drejtuesit e Sigurimit të Shtetit në Tiranë? Një pyetje që si shumë të tjera të ngritura nga “Shekulli” do të ngelen pa përgjigje këtë fushatë.