Home Politike Emaili i Priftit, Meta: Me ofroi te behesha kryeminister dhe te bashkohem...

Emaili i Priftit, Meta: Me ofroi te behesha kryeminister dhe te bashkohem me Ramen

702
0

Me poshte eshte teksti i nje emaili qe ka mberritur sot pasdite ne adresat email te mediave ne Tirane nga ish-ministri Prifti:
‘..Mardheniet 10 vjecare me Ilir Meten me kane sjelle shume here trishtim ne jeten
time, por sot me kane bere te qesh me gjithe shpirt. Une qenkam korrier i Edi Rames!
Une qenkam pucist ndaj Sali Berishes! Une i paskam bere oferte Ilir Metes te behet
kryeminister ne emer te Edi Rames! Plotesisht qesharake. Jam tallur disa here kohet e fundit me kete klloun, qe vdes per t’u bere kryeminister, dhe kam mesuar prej tij kulisat dhe makinacionet qe shpreson ta ribejne kryeminister me votat e PS. Ai ka mbi 2 muaj qe komunikon me Edi Ramen duke i ofruar votat atij per te rrezuar Berishen ne Parlament, duke i kerkuar qe te jete vete kryeminister. Une kam qene pengese e planit te tij sepse kam qene vota nr.71 per Sali Berishen. Sali Berishen e kam informuar per keto tratativa te Ilir Metes prej kohesh. Qeshni te gjithe me Ilir Meten, se me qesharak se sot nuk e ka bere ndonjehere veten..’ – perfundon emaili.
**************

Denoncimi i Priftit, Meta: Janë lajthitje. Do bënte puç parlamentar
UPDATE- Numri dy i qeverisë, Ilir Meta ka reaguar ashpër pas intervistës së dhënë nga ish ministri i METE-s, Dritan Prifti dhe akuzave të tij në drejtim të policisë lidhur me kontrabandën e naftës.

Në një komunikim për mediat, Meta ka ashpërsuar gjuhën, një gjuhë krejt ndryshe nga ajo më të cilën njoftonte pak kohë më parë se e priste me shumë dashuri dhe krahëhapur në takim, fill pas shkarkimit nga kabineti.

“Çudirat e radhës që ka thënë Prifti, se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë kontakt me përfaqësuesit e opozitës nuk janë të vërteta. Ai tre ditë më parë u takua me Edi Ramën dhe më përcolli mua ofertën e zotit Rama për të bërë një puç parlamentar, në të cilin unë do isha kryeministër kurse Dritani kishte marrë garanci që të kthehej te METE”- tha Meta.

Deklaratat e bëra nga prifti ai i ka quajtur oshilacione të denja vetëm për një kameleon pa përgjegjësi e normalitet. “Lajthitje që e ne i kemi toleruar edhe më parë, për arsye dhe të problemeve shëndetësore që ai ka pasur, por gjuha e përsëritur e shantazhit është e papranueshme dhe më tepër kur bëhet në emër të krimit të organizuar dhe korrupsionit”- tha ai.

Sipas tij, justifikimet me vdekjen e gjyshesh jane te pabaza, pasi Prifti e dinte prej muajsh shkarkimin, por shtynte mbledhjen.
________________

Prifti: Zëvendës kreu i policisë, Kuliqi bën kontrabandë nafte

Ministri i saposhkarkuar akuzon ish-truprojën personale të Sali Berishës, sot nëndrejtor i policisë shqiptare, si organizatorin e kontrabandës së naftës: Kam njoftuar Berishën për kontrabandën e naftës, në të cilën janë përfshirë edhe policia e shtetit, doganat e tatimet. Kryeministri i dha porosi Bodes, por asgjë nuk u bë.

TIRANË – Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka thyer heshtjen dhe ka folur për herë të parë për shkarkimin e tij, marrëdhëniet me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, qeverinë, por dhe kontrabandën e naftës që kryhet nga policia e shtetit dhe krerët e doganave. Në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, Prifti ka komentuar momentin e shkarkimit të tij si një veprim të padrejtë në një moment të gabuar. Ndërsa për kontrabandën e naftës, ai ka akuzuar në mënyrë direkte Agron Kuliqin, ish-truprojën personale të Sali Berishës dhe sot nëndrejtor të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por edhe ministrin e Financave, Ritvan Bode, i cili nuk ka marrë asnjë masë për ta ndaluar.

Shkarkimi
“Gjyshja ka vdekur në krahët e mi, por unë arrita ta takoja të gjallë. Pasi ndodhi kjo, u dërgova një sms 4-5 miqve të mi, mes të cilëve edhe zotit Meta dhe pas 2 minutash marr një sms, ku ai më lajmëron se të nesërmen ishte mbledhja e kryesisë për ndryshimet në kabinet. Nuk kishim folur asnjëherë më parë për largimin tim. Ai kërkoi që deri të nesërmen të bisedonim. Unë i kërkova ta shtynim mbledhjen për pasdite, por nuk mundesha të mos i jepja gjyshes lamtumirën e fundit. Nuk më erdhi mirë, sepse ishte një veprim brenda familjes, tepër imoral, ku nuk ishte guximi as për ta diskutuar dhe as për të dhënë arsyet”, – u shpreh Prifti.
Dritan Prifti ka komentuar dje edhe arsyen e dhënë nga Ilir Meta se po ikte nga Ministria e Jashtme për t’u marrë më shumë me punët e partisë. Sipas tij, kjo arsye mund të jetë e drejtë por shumë e vështirë, pasi ministri i Ekonomisë duhet të kalojë në duart e tij më shumë se një mijë faqe dokumente, të cilat nuk të lënë shumë kohë të lirë.

Kontrabanda
Akuza më e fortë e hedhur dje nga ish-ministri i Ekonomisë në emisionin “Top Story” ishte ajo e kontrabandës së naftës, e cila po kryhet nga njerëzit e afërt të kryeministrit Berisha dhe askush nuk e merr mundimin që ta ndalojë. Dritan Prifti cilësoi si një nga rastet e presionit arrestimin e këshilltarit të tij, Eduard Belegu. “Arrestimi i tij nuk është një gjë që duhet thjeshtuar. Ky rasti i tij është një rast tipik i presionit që është kryer mbi mua nga segmente të qeverisë shqiptare. Belegu është arrestuar në një mënyrë bombastike në zyrën e tij në ministri padrejtësisht për një çështje të vjetër që prokuroria, me turp, pas një muaji, e mbylli dhe e deklaroi atë të pafajshëm”, – tha Prifti. Por ish-ministri e ashpërsoi tonin teksa zbuloi një nga aferat korruptive të shtetit shqiptar që është kontrabanda e naftës. “Nga analiza ime kam evidentuar një person në këtë mes që quhet Agron Kuliqi, ish-badigardi i Sali Berishës, që sot është nëndrejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Unë në momente të caktuara kam informuar edhe kryeministrin për kontrabandën e naftës, në të cilën janë përfshirë edhe policia e shtetit, doganat e tatimet. Bëheshin dokumente eksporti false dhe ajo shitej në tregun shqiptar. Kryeministri i ka dhënë porosi ministrit të Financave, por edhe sot nuk ka asnjë rezultat”, – tha Dritan Prifti. Agron Kuliqi ka qenë për shumë vite truproja personale e kryeministrit Berisha dhe në vitin 2005 u rikthye në radhët e policisë, duke marrë fillimisht postin e kreut të policisë Kriminale. Një vit më pas, ai mori postin e nëndrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, post të cilin e mban edhe sot.

“Me Metën po rikrijojmë raporte bashkëpunimi”
Në lidhje me marrëdhëniet personale me kreun e LSI-së, Prifti pohoi se ka pasur disa fërkime, por situata tani po qetësohet. “Mes meje dhe Metës ka pasur një lidhje që herë ka qenë e mirë dhe herë problematike. Kemi pasur përplasje të lehta dhe të forta dhe sigurisht që disa nga këto kanë qenë dhe në periudhat e fundit. Ai është një lloj politikani që bashkëpunëtorët ka qejf t’i ketë servilë ose ushtarë dhe nuk i vlerëson njerëzit e aftë që ka përballë. Në këtë kuptim, unë kam pasur një marrëdhënie problematike, sepse jo të gjitha porositë dhe kërkesat e tij mund të zbatoheshin duke pasur parasysh ligjin”, – tha ish-ministri Prifti. Por, sipas tij, tashmë situata është më ndryshe. “Mes meje dhe Metës ka ende raport. Isha dje (pardje) në drekë me të, jemi në përpjekje për të rikrijuar një raport bashkëpunimi, pavarësisht se në një moment duket i vështirë. Unë jam i përgatitur që mos ta hedh poshtë investimin tim në LSI. Jam bashkëthemelues i saj. Do të përpiqem që të qëndroj pranë LSI-së dhe të ringrihem mbi ngjarjet e fundit, për të krijuar një raport të ri, jo vetëm me Metën, por edhe me partinë”, – ka deklaruar Prifti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here