Home Aktualitet Vendet bosh në universitet, 3536 studentet qe do te pranohen fazen e...

Vendet bosh në universitet, 3536 studentet qe do te pranohen fazen e dyte

943
2

Universitetet do të pranojnë edhe 3 mijë e 536 studentë të rinj, të cilët i përkasin fazës së dytë të pranimeve. Këta kandidatë do të mund të regjistrohen në datë 27 shtator (ditën e hënë) dhe më datë 1 tetor mbyllen regjistrimet. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë dje publike listën e vendeve bosh sipas programeve të studimit në të gjithë Institucionet e Arsimit të Lartë Publik në vend.
Lista
MASH njofton të gjithë maturantët se Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) ka përfunduar procesin e hartimit të listave të vendeve bosh sipas programeve të studimit në të gjithë Institucionet e Arsimit të Lartë Publik në vend. Vendet bosh në këtë fazë plotësohen vetëm mbi bazën e pikëve të fituara (merita) dhe programeve të studimit të kërkuara nga çdo maturant kandidat në formularin A2 (preference). Ndërsa në bazë të udhëzimit të lëshuar nga MASH, APRIAL do të bëjë publike listën e ndërmjetme të fituesve (me emra) në IALP më datë 25 shtator 2010.
Regjistrimet
Procedurat për këtë faze të dytë janë përcaktuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, sipas të cilit, regjistrimet e ndërmjetme të studentëve fitues nisin më 27 shtator dhe mbyllen më 1 tetor. Sipas udhëzimit, “kandidatët që në listat e ndërmjetme janë shpallur fitues në një program studimi të një preference të tyre më të lartë se ai i regjistrimit paraprak, do të çregjistrohen nga vetë sekretaritë mësimore nga programi i studimit ku ishin regjistruar më parë. Këta studentë tërheqin dosjen individuale me dokumentet e cilësuara në pikën 7.2 të këtij udhëzimi nga sekretaritë mësimore ku janë çregjistruar dhe regjistrohen në programin e studimit, në të cilin janë shpallur fitues me listat e ndërmjetme”.
Skualifikimet
Kandidatët, të cilët edhe në listat e ndërmjetme rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk është e nevojshme të regjistrohen. Edhe në këtë fazë, studentët e shpallur për herë të parë fitues, që nuk kryejnë regjistrimin, skualifikohen automatikisht. Ndërkaq faza përfundimtare e regjistrimit zhvillohet më 6 tetor dhe do të zgjasë deri në tre ditë. Për studentët kandidatë nga trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërore, udhëzimi përcakton se listat e tyre “përjashtuar kandidatët nga Republika e Kosovës, të përcaktuara nga institucionet përgjegjëse të vendeve përkatëse, në përputhje me kuotat e pranimeve të miratuara me vendimin “Për kuotat e pranimit në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, cikli i parë i studimeve me kohë të plotë, si dhe tarifat e shkollimit për vitin akademik 2010-2011″, dërgohen nga Drejtoria e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor në MASH, në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë deri më 30 shtator 2010”.
Trojet
Administrimi i aplikimeve dhe përzgjedhja e kandidatëve nga Republika e Kosovës bëhet nga universitetet pritëse, mbështetur në notën mesatare të shkollës së mesme dhe koeficientët e përcaktuar. Kandidatët shqiptarë nga Republika e Kosovës, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja regjistrohen pranë sekretarive mësimore të fakulteteve në datat 4, 5 dhe 6 tetor 2010, duke paraqitur dokumentet përkatëse në gjuhën shqipe e të noterizuara në Republikën e Shqipërisë. Viti i ri akademik nis më 11 tetor. Të 12 universitetet publike po vazhdojnë përgatitjet për të pritur rreth 150 mijë studentë, ndërkohë që mbi 20 mijë të rinj të tjerë do të studiojnë në rreth 37 universitete private. Këtë vit akademik në Arsimin e Lartë Publik do të vazhdojnë studimet e larta në ciklin e parë 11 % më shumë studentë se një vit më parë. Qeveria ka miratuar rreth 23.500 kuota pranimi për studentët e rinj.

3 mijë e 536
studentë të rinj do të pranohen në universitetet, të cilët i përkasin fazës së dytë të pranimeve

27 shtator
nisin regjistrimet e ndërmjetme të studentëve fitues dhe mbyllen më 1 tetor.

6 tetor
zhvillohet faza përfundimtare e regjistrimit e cila do të zgjasë deri në tre ditë

11 tetor
nis viti i ri akademik 2010-2011. Të 12 universitetet publike po vazhdojnë përgatitjet për të pritur rreth 150 mijë studentë

20 mijë
studentë do të studiojnë në rreth 37 universitete private të vendit

4, 5 dhe 6 tetor
kandidatët shqiptarë nga Republika e Kosovës, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja regjistrohen pranë sekretarive mësimore të fakulteteve

2 COMMENTS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here