Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të djele në hyrje të portit të Durrësit duke lënë të vdekur dy të rinj. Ervin Kodra 33 vjeç dhe Endri Çaushaj 25 vjeç nga Vlora janë qëlluar për vdekje teksa po lëviznin me një makinë tip ‘BMW’ nga persona ende të paidentifikuar.
Nga të dhënat dyshohet se autorët i kanë zënë pritë automjetit dhe në moment që ai ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi relativisht të ulët, ata ka qëlluar me nje arme tip kallashnikov në drejtim të dy personave që ndodheshin brenda në BMW, që më pas është përplasur me një automjet tjetër dhe ka përfunduar në një lokal. Fatmirësisht nuk ka pasur persona të tjerë të lënduar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:45 të mbrëmjes së të djelës, e gjithë qëndra e qytetit ku ndodhi ngjarja është bllokuar duke paralizuar lëvizjen e mjeteve dhe këmbësorëve. Policia është vënë në ndjekje të autorëve.
Grupi hetimor i policisë së Durrësit ka nisur punën në disa pista për zbardhjen e autorëve dhe arrestimin.
Pista e parë ku po hetohet është prishja e pazareve të drogës dhe hakmarrja, teksa Ervin Kodra njihej si person problematik në qytetin bregdetar, ndërsa për Endri Çaushajn ka nisur bashkëpunimi me homologët e Vlorës për t’u njohur me dosjen.
Njoftimi i policise
Policia e Durrësit jep informacionet e para për ngjarjen. Sipas saj më datë 20.12.2015, rreth orës 21:45, në lagjen Nr. 1 në afërsi të Portit, Durrës në mjetin tip “BMW” me targa AA 292 IH janë vrarë dy persona me armë zjarri, konkretisht shtetasit: • Ervin Kodra, banues në Durrës; • Endri Caushaj, banues në Vlorë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Forcat e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.