21 persona kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi i një bombole gazi 80 litroshe. Shpërthimi i përmasave të mëdha ka ndodhur në një dyqan ëmbëltoreje në hyrje të zonës së Don Boskos dhe është dëgjuar edhe qindra metra larg nga vendngjarja.
Kjo ngjarje mund të kishte pasur pasoja më të mëdha duke parë përmasat e bombolës, por fatmirësisht nuk ka qenë e mbushur plot.
Menjëherë pas shpërthimit në vendngjarje kanë mbërritur forcat e zjarrfikëses, policia dhe autoambulanca.
Kjo e fundit ka marrë edhe një pjesë të personave të plagosur dhe i ka transportuar për në spitalin e Traumës për t’u dhënë edhe ndihmën e nevojshme.
Nga 21 të plagosurit, 4 prej të cilëve që janë edhe më rëndë janë dërguar në repartin e djegieve në QSUT. Mësohet se në gjendje më të rëndë janë anëtarët e stafit të cilët kanë qenë më pranë pikës së shpërthimit.
Të plagosur kanë ngelur dhe pronarët e ëmbëltores, Abdulla Dervishi bashkë me vajzën e tij dhe bashkëpronarja e Dervishit
Ora 21:30 Zbardhen emrat e të plagosurve nga shpërthimi në Don Bosko
Të plagosurit nga shpërthimi i bombolës janë: Klaudjo Marashi 18 vjeç, Enrik Hima 27 vjeç, Sabri Baruni 60 vjeç, Dhori Qirjo, Mateo Zoto 30 vjeç, Xheladbie Kulla 67 vjeç, Alfred Shani 67 vjeç, Fadil Tuzi, Edvin Liko 30 vjeç, Kujtim Cani 50 vjeç, Xhemile Shani 60 vjeç, Edlira Shima 20 vjeç, Evgjeni Bregu 48 vjeç, Kristi Koreci 20 vjeç, Krenar Bega 38 vjeç, Olsi Beqiri 27 vjeç, Nebie Muhedini 67 vjeç, Endrit Marku.
Të plagosur kanë ngelur dhe pronarët e ëmbëltores, Abdulla Dervishi bashkë me vajzën e tij dhe bashkëpronarja e Dervishit
Ora 21:16 Mjeku:6 janë rëndë, por të gjithë jashtë rrezikut për jetën
“Në spital janë paraqitur në spital 18 persona. 6 prej tyre janë në gjendje të rëndë. Më rëndë është një person i cili ndodhet në reanimacion. Për momentin nuk ka asnjë rast të kritik për t’u dërguar jashtë shtetit. Kemi pasur një person të dëmtuar në sy.”- u shpreh mjeku i Spitalit të Traumës.
Ora 20:45 Transportohet edhe një person tjetër për repartin e djegieve në QSUT
Ora 19:57 Dëshmitari: Ndihmova 8-9 vetë të larë në gjak, autoambulanca vonoi
“Ndihmova 8-9 vetë që ishin brenda lokaleve. Nuk i njohta se ishin me gjak. Ambulanca vonoi pak. 5 i nisëm me autoambulancë, pjesën tjetër me makina private. Njëri ishte më rëndë nga të gjithë.”- tregon për mikrofonin e A1 Report, Roland Guri. një nga dëshmitarët e shpërthimit.
Ora 19:42 Nëndrejtori i Spitalit të Traumës, Zeneli: Të plagosurit kanë plagë të ndryshme
Nëndrejtori i spitalit të Traumës, Arben Zeneli në një lidhje telefonike për A1 Report ka konfirmuar se janë 17 persona të plagosur, por s’ka dhënë detaje të mëtejshme rrreth gjendjes së tyre. Ai bëri me dije se 2 prej të plagosurve janë dërguar në repartin e djegieve në QSUT.
“Janë 17 persona të plagosur. Nuk mund të them për momentin shkallën e dëmtimit të tyre. janë duke u bërë ekzaminimet. Aktualisht janë 15 të shtruar në Spitalin e traumës, 2 të tjerë janë dërguar në repartin e djegieve në QSUT. Ekipi mjekësor po merr ekzaminimet, në fund do themi për situatën e tyre. Janë dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Janë edhe dëmtime për shkak të goditjeve nga pajisje të ndryshme.”– tha Zeneli.
Ora 19:35 Konfirmohen 17 të plagosur, 15 në Spitalin Ushtarak, 2 në QSUT
17 është numri i konfirmuar i personave të plagosur nga shpërthimi i fuqishëm i bombolës së gazit në ëmbëltoren në zonën e Don Boskos. Ku burime për A1 Report bëjnë me dije se 15 ndodhen Spitalin e Traumës, 2 të tjerë janë dërguar në repartin e djegieve në QSUT
Ora 19:30 Shpërthimi, Policia: Shkak rrjedhja e gazit ne pajisen pjekëse
Burime nga policia bëjnë me dije për A1 Report se nga hetimet paraprake dyshohet se shkak për këtë shpërthim të fuqishëm ka qenë rrjedhja e gazit në pajisjen pjekëse të lidhur me bombolën.
Gjithashtu policia ka bërë të ditur se ka nisur hetimet për pronarin e dyqanit për shkelje të kushteve teknike.
Ora 19:00 Bombola e shpërthyer 80 litroshe, fatmirësisht s’ishte plot
Përmasat e kësaj ngjarja mund të kishin qenë më tragjike duke parë edhe përmasat e mëdha të bombolës së gaziz e cila kishte një kapacitet prej 80 litrash, por fatmirësisht nuk ka qenë e mbushur plot.