Home Aktualitet Denoncimi ndaj saj, Roza Lati: “Do ta paguaj me kastravecë”

Denoncimi ndaj saj, Roza Lati: “Do ta paguaj me kastravecë”

1110
0

Plot 90 mijë euro është shuma që pronari i një dyqani kafshësh në Tiranë u kërkon prezantueses Roza Lati dhe këngëtares Iva Aliko si dëmshpërblim për prishje imazhi. Dy vajzat kanë publikuar në rrjetet sociale një seri statusesh, nëpërmjet të cilave denonconin mënyrën e tmerrshme, që sipas tyre trajtoheshin kafshët shtëpiake që shiteshin në këtë dyqan.

roza lati

Foto e video, të kafshëve të sëmura, ambienteve me mungesë higjiene apo ushqimesh të skaduara, janë vetëm disa nga e gjithë panorama e publikimeve të dy vajzave, të cilat e përfunduan këtë “fushatë” kundër keqtrajtimit të kafshëve me një denoncim kundër pronarit të dyqanit të kafshëve. Në fakt, ishte Iva Aliko ajo që ka bërë një padi zyrtare fillimisht, pasi në këtë dyqan kishte blerë një qen, bartës i një sëmundjeje që i mori edhe jetën. Aliko e kishte blerë qenin e saj për 1700 euro, ndërsa sipas saj, në të vërtetë çmimin e kishte vetëm 350 euro. Këngëtarja e ka denoncuar për kanosje pronarin e dyqanit dhe bashkëshorten e tij, që siç duket kanë kërcënuar Iva Alikon.

Megjithatë, Roza Lati është po aq e përfshirë në këtë histori. E kontaktuar nga “VIP Pages”, Roza rrëfen se në dyqanin e kafshëve në fjalë ka blerë një mace kohë më parë, e cila ishte e infektuar me HIV-in e maceve. “Masha ishte e sëmurë nga HIV-i i maceve, sëmundje që macet e marrin vetëm kur janë ende kotele dhe të pavaksinuara”, – shprehet Roza. Ajo tregon se ndaj personit në fjalë janë ngritur një sërë denoncimesh nga njerëz të ndryshëm, që sipas prezantueses “janë mashtruar” nga ai.

“Ka shumë denoncime dhe dëshmi kundër tij. Iva e denoncoi dhe menjëherë pas saj shkoi edhe një grua që kishte pasur të njëjtin problem. Janë mjekët e kafshëve, të cilët kanë trajtuar kafshët e sëmura që janë blerë tek ai. Është gjithashtu edhe Anaid Kaloti, ish-fitues i ‘Big Brother’ që bleu një qen, i cili rezultoi që nuk ishte i racës që ai kishte kërkuar”, – shprehet Roza Lati për “GSH”.

E pyetur nëse i trembet padisë, Roza tregon se u qëndron sërish atyre që ka thënë më herët, pasi sipas saj janë të vërteta. “Unë nuk kam shpifur, kam prova për gjithçka që kam thënë. E keqja është se ne i kemi publikuar të gjitha fotot e videot dhe ai ka marrë masat. Kafshët ishin të pavaksinuara, jetonin në kushte të mjerueshme dhe ushqimi që shitej aty ishte i vitit 2004. Ai e ka pastruar dyqanin dhe i ka hequr të gjitha tani”, – shprehet prezantuesja, por gjithsesi e bindur se filmimet që ka publikuar vërtetojnë gjithçka që ka thënë më herët.

“Mua nuk më ka ardhur asnjë denoncim, asnjë njoftim nga organet e akuzës për padi ndaj meje. Megjithatë ai njeri e ka dërguar padinë me postë, sepse ka aq shumë denoncime kundër tij që duhet të përgjigjet, saqë nuk mund të shkojë personalisht”, – pohon ajo. Por, çfarë do të ndodhë nëse Roza detyrohet të paguajë 40 mijë euro, shuma që ka kërkuar si dëmshpërblim pronari i dyqanit të kafshëve? Prezantuesja e “Hangover” përgjigjet: “Kur Erion Veliaj i dërgoi gjobën Lul Bashës dhe i kërkonte të paguante 163 mijë euro, ai i tha: ‘Do ta paguaj me kastravecë’. Kështu do ta paguaj edhe unë Tanin. Besoj se e morët përgjigjen”.

“Ai është duke shpifur për ne, por meqë ka marrë kafshë të reja në dyqan, do të pastrojë imazhin duke na denoncuar, që njerëzit të besojnë se ne kemi shpifur”, – përfundon Roza Lati, teksa thekson se kafshët mbrohen me ligj. Prezantuesja e njohur shquhet për dashurinë e veçantë ndaj kafshëve dhe mendon që të hapë edhe një shoqatë për mbrojtjen e tyre, apo përfshirjen në iniciativa të ndryshme me këtë qëllim. Megjithatë, përpara kësaj Roza rrëfehet se është e impenjuar në një projekt që synon të ndihmojë fëmijët jetimë.

“Kam marrë shumë gjëra përsipër në këtë organizimin për fëmijët jetimë. Do bëhet edhe një koncert për këtë më 20 maj. Pastaj më vonë mund të formoj edhe një shoqatë për mbrojtjen e kafshëve. Të gjithë e dinë që unë i dua shumë dhe duhet t’i mbrojmë nga keqtrajtuesit”, – thotë Roza Lati.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here